“Arrestimet nga Specialja, lëkundje për skenën politike të Kosovës”

Politika

“Arrestimet nga Specialja, lëkundje për skenën politike të Kosovës”

Nga: G.B Më: 5 janar 2021 Në ora: 23:03
Foto ilustruese

Viti 2020 u karakterizua me arrestime të shumta nga Gjykata Speciale.

Ndër të arrestuarit ishin edhe kreu i shtetit, Hashim Thaçi, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Nasim Haradinaj, Salih Mustafa e Hysni Gucati.

E për këto arrestime, duke folur për gazetën "Bota sot" deputetja Mimoza Kusari Lila, thotë se Specialen e solli dështimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke shtuar se këto arrestimet ishin lëkundje e madhe e skenës politik dhe që nuk ngritën imazhin e Kosovës.

"Dështimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë e solli Gjykatën Speciale. Arrestimet e muajit të kaluar natyrisht se paraqesin një lëkundje të madhe të skenës politike të Kosovës dhe nuk janë pamje që ngritën imazhin e Kosovës, apo shqiptarëve të Kosovës", është shprehur ajo.

Sipas Kusari-Lilës, më e rënda është se u fitua përshtypja se në luftë kemi pasur palë të barabarta dhe krimet janë kryer barabartë nga serbët dhe shqiptarët, ndërsa që autorët e shumë masakrave në Kosovë nuk janë arrestuar.

"Më e rënda është se u fitua përshtypja se në luftën e Kosovës kemi pasur palë të barabarta dhe krimet janë kryer barabartë nga serbët dhe shqiptarët, çka nuk është aspak e vërtetë. Përderisa nuk janë arrestuar autorët e shumë masakrave ndaj shqiptarëve të Kosovës edhe pse dihen me emër, do të ekzistojë një zhgënjim i përgjithësuar me drejtësinë ndërkombëtare se njëanshëm po gjykohen vetëm shqiptarët e Kosovës", ka deklaruar Mimoza Kuari-Lila për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat