A po e konsideron Vjosa shtetin si pronë private?

Politika

A po e konsideron Vjosa shtetin si pronë private?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 janar 2021 Në ora: 17:09
Vjosa Osmani

Vjosa Osmani e ka nisur vrullshëm fushatën elektorale të zgjedhjeve, ajo ka filluar takimet me anëtarë të ish-subjektit të saj politik, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe siç duket e ka gjetur mënyrën e duhur për t’i joshur ata të kalojnë në listën e saj zgjedhore.

Tanimë, dihet se Osmani ka punësuar tre ish-anëtarë të LDK-së në Presidencë si shenjë “falënderimi” që aderuan në iniciativën e saj politike.

Vjosa Osmani në dhjetor të 2020-tës priti në Presidencë disa asamblistë të LDK-së në Ferizaj. Më pas u dha njoftimi se ata iu bashkuan listës së saj.

Por për njërin prej të aderuarve, presidenca nuk ishte ambient i panjohur. Disa ditë me parë i sapo aderuari në Listën e Osmanit, Burim Karameta, me vendim të u.d presidentit, ishte emëruar si këshilltar i Osmanit.

Pas kësaj, më 6 janar, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim në Malishevë. Aty shihet edhe Valon Krasniqi, ish-asamblisti i LDK-së. Vetëm disa ditë më pas Krasniqi, iu bashkua Osmanit në iniciativën e saj.

E 6 ditë para anëtarësimit, Krasniqi kishte fituar një kontratë pune me Presidencën. Para se të zyrtarizojë kalimin në Iniciativën e Osmanit, Valon Krasniqin u emërua si Zyrtar i Sigurisë në kabinetin e saj.

Por këta dy nuk janë të vetmit aderime që Osmani i punësoi në Presidencë.

Kryetari i nëndegës së LDK-së në Gjilan, Albin Devaja, u emërua zyrtar i lartë ekzekutiv në kabinetin e U.D. Presidentit, derisa vetëm 1 javë më vonë edhe ai iu bashkua listës së quajtur “Guxo”.

Megjithatë, të tre personat e mohuan se punësimet e tyre në Presidencë ishin kushtëzim për anëtarësimet në iniciativën e krye kuvendares në detyrë.

Njohësit e çështjeve politike kritikuan ashpër Osmanin për punësimet e saj partiake në Presidencë. Ata thanë se kjo gjë është në kundërshtim me premtimet dhe idealet që ajo ka përcjell në opinionin publik.

Shahu: Kosova “prona private” e Vjosa Osmanit

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik, Rexhep Shahu, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” deklaroi se punësimet në Presidencë ndodh shkaku i shfrytëzimit të postit të presidentit nga ana e Vjosa Osmani.

Ai ia bëri me dije se institucioni që ajo drejton nuk është as personal, as familjar.

“Vjosa Osmani po e shfrytëzon postin që ka, me njerëzit e punësuar në institucionet që drejton ajo po bën listën e saj partiake. Këto institucione nuk, janë personale as familjare”, theksoi Shahu.

Shahu u shpreh se me këto veprime, Osmani po e konsideron shtetin si pronë private duke punësuar njerëz të grupit të sa politik dhe kjo gjë nuk është e lejueshme,

“Kjo që në krye tregon se Vjosa do ta ketë shtetin si pronë private. Ajo punëson njerëz për votat për veten e saj dhe grupin e saj politik. Mendoj që nuk duhet të jetë e lejueshme kjo gjë dhe as e drejtë”, përfundoi ai.

Bajraj: Luftë kundër krimit të organizuar, apo konflikt interesi?

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Bajraj, ironizoi me kompetencat kushtetuese të U.d të Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Image
Fatmir Bajraj

Ai u shpreh se sipas logjikës së Osmanit, ajo ka shumëfish kompetenca më shumë se një president i zgjedhur nga Parlamenti i Kosovës.

“Sipas mënyrës dhe logjikës se si funksionon Vjosa Osmani, nga pozita e "U.D" e Presidentit, ka kompetenca kushtetuese shumëfish ma shumë se sa Presidenti i zgjedhur nga Parlamenti, pra një President legjitim dhe legal, ka null (0) kompetenca karshi Vjosa Osmanit si "U.D"”, deklaroi Bajraj.

Analisti ka se Osmani ka lënë shije të keqe në fillimet e turbulencave të saj politike, pasi vendimet e saj për punësime bien ndesh me institucionin e Presidentit dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Hapat e ndërmarrë të U.D të Presidentit, zonja Vjosa Osmani në këtë fillim vit të vlimeve të mëdha dhe të turbulencave politike, lënë shije të keqe nga fakti zonja Osmani ka filluar fushatën parazgjedhore nga zyra e Presidentit, por me vendime spektakolare të cilat bien ndesh me Institucionin e Presidentit dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në konflikt të hapur interesi, dhe ja pse? U.D e Presidentit, zonja Osmani, nuk guxon që në cilësinë e U.D të Presidentit, të punësojë dhe të njëjtit anëtarësojë në Listën e saj zgjedhore "GUXO", ose e kundërta; të anëtarësuarit në "GUXO", t'i punësoj në një zyrë shtetërore siç është zyra e Presidentit në shenjë kompensim për servilizëm dhe klientelë politike partiake, ku ajo nuk është Presidente e zgjedhur, por vetëm U.D e Presidentit”, potencoi Bajraj.

Veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj tha se punësimet nga Osmani janë në kundërshtim me ligjin, këto sjellin edhe konflikt interesi në mes interesit publik dhe atij privat.

“Sipas ligjeve pozitive: asnjë zyrtar me funksion publik nuk duhet të jetë pjesëmarrës në veprime që në një mënyrë ose tjetër qojnë në shfrytëzimin e postit të tij publik në shërbim të interesit personal.

Me fjalë të tjera: Konflikti i interesit është në papajtueshmëri midis interesave publike dhe interesave private.

Përndryshe duhet t'a hetoj "Agjencinë kundër korrupsionit" , theksoi veprimtari.

Në vazhdim, Bajraj këtë gjë e vlerësoi uzurpim të zyrës së Presidencës, nga ana e Vjosa Osmanit e cila nga pozita e saj në mënyrë ilegale punëson persona të partisë së saj në institucione shtetërore.

“Zonja Osmani, U.D pa legalitet institucional, në një zyrë të të huazuar nga ajo, për të mos thënë të uzurpuar pas shpërndarjes së Parlamentit në krye me të si Kryeparlamentare, dhe nga kjo pozitë, tanimë edhe ilegale, punëson për vete dhe partinë saj, "GUXO" në një institucion shtetëror klientelë partiake dhe tribale, absurd i llojit sui-generis !

A ishte kjo kauza në të cilën thirret zonja, Vjosa Osmani: Lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, çkapja e shtetit dhe mbajtja e fjalës së dhënë, mbajtja e premtimeve dhe ruajtja e parimeve?”, nënvizoi ai.

Tutje, ai shtoi se në mënyrë shumë të shpejtë dhe të keqe është shpërfaqë Osmani, e cila për shkak të një grushti të votave ajo theu të gjitha premtime e saj dhe shkeli edhe ligjet e Kushtetutës së Kosovës.

“Kaq shpejtë dhe kaq keq është shpërfaqë e stërkeqe zonja Osmani, sa që punë e parë dhe deri në fund të ditës, në shkelje të të gjitha premtimeve e kauzave, por çfarë është edhe ma keq, duke shkel edhe ligjet pozitive dhe vetë Kushtetutën e Republikës për një grusht vota , të cilat edhe ashtu nuk i ka për vete dhe as për Kosovën, por për liderin bolshevik të Vetëvendosjes, anti-amerikanin dhe anti-Rugoivistin e egër, z. Kurti”, u shpreh Bajraj.

Analisti i bëri thirrje prokurorisë së shtetit të i përcjell çdo vendim dhe veprim që është në kundërshtim me ligjet e kushtetutës.

“Prokuroria e shtetit dhe organet e ndjekjes, duhet të përcjellin çdo veprim e vendim të atyre që nuk respektojnë dhe as durojnë vendime, e aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, sa herë që të njëjtat nuk janë të përputhje me pritjet dhe interesin e tyre, duke aluduar në sintagmën bolshevike ; populli dhe vullneti i tij, është mbi ligjet dhe gjykatat, e që i bije ; e ligjshme është vetëm ajo që pëlqejmë e pranojmë ne, të tjerat janë inekzistente”, deklaroi Bajraj.

Për fund, Bajraj tha se me politikanë si Vjosa Osmani dhe Albin Kurti shumë shpejtë do të kemi përplasje të ligjeve me ambiciet populliste dhe autoritare të Bolshevizmit Kurtian.

“Në këtë sens dhe logjikë, me akter politik sikur Vjosa & Albini, do të vinim shpejt në një përplasej të ligjeve pozitive dhe ambicieve populiste dhe autoritariste të Bolshevizmit Kurtian në Kosovë! Koha është që të parandalojmë (preventivë), nesër do ishte vonë dhe pasojat për vendin do vuanim të gjithë bashkë”, përfundoi Bajraj.

Zogaj: “Mendjelehtësia fatkeqe” e Vjosa Osmanit

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” shprehi dyshime për punësimet partiake të. U.d. Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani në zyrën e Presidencës. Pasi, sipas Zogajt kjo do të ishte një “mendjelehtësi fatkeqe” për një figurë si Osmani.

“Fjalëve të përhapura se kinse Vjosa Osmani i ka punësuar në Zyrën e Presidencës tre persona që kanë aderuar në listën e saj, nuk u besoj dhe nuk dua t'u besoj, sepse, kjo do të ishte një "mendjelehtësi fatkeqe" për nivelin e një figure madhore të vendit, e cila zotëron dy postet kryesore shtetërore”, deklaroi Zogaj.

Tutje, analisti tha se duke u mbështetur në faktin se një veprim i tillë do të kishte pasoja të mëdha në karrierën politike të Vjosa Osmanit, e bën edhe më pak të vërtet një gjë të tillë. Zogaj përmendi edhe disa kritika të Osmanit lidhur keqpërdorimet e detyrës zyrtare.

“Nuk e besoj sepse një kësi veprimi do të jetë me pasoja për Vjosën, e cila e dinë mirë se kjo paraqet dukurin e keqpërdorim të pozitës dhe të detyrës zyrtare! Prandaj, unë nuk e besoj sepse nuk përkon aspak me qëndrimet dhe deklarimet e njohura të Vjosës, e cila për shumë kohë ka qenë nga mē të zëshmet qē ka kritikuar ashpër dukuritë e këtilla, dhe nuk ka mundësi ti ketë ndryshuar qëndrimet!”, theksoi Zogaj.

Në fund, ai potencoi se ky do të ishte një gabim i cili do të ndikonte në zvogëlimin e aderimeve në listën e Osmanit dhe jo shtimit të tyre.

“Ky do të ishte gabim i madh që jo vetëm nuk ia shton numrin e aderimeve, por përkundrazi, mendoj se do ndikojë nē zvogëlimin e aderuesve tē listës së saj”, përfundoi Zogaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat