Marrëveshja Kurti-Osmani, analisti shprehet skeptik se Vetëvendosje i jep ish-nënkryetares së LDK-së postin e presidentes

Politika

Marrëveshja Kurti-Osmani, analisti shprehet skeptik se Vetëvendosje i jep ish-nënkryetares së LDK-së postin e presidentes

Nga: N. H Më: 17 janar 2021 Në ora: 14:16
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të enjten zyrtarizuan marrëveshjen me të cilën i hyjnë bashkë garës në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kreu i Vetëvendosjes, tha se kjo ujdi është për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, me shoqëri me shëndet, punësim dhe arsim për qytetarët.

Analisti politik, Rexhep Shahu, duke e komentuar marrëveshjen mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo e fundit braktisi LDK-në pasi shfrytëzoi gjithçka nga kjo parti.

Image
Rexhep Shahu

“Vjosa Osmani kërkon shumë, kërkon që zgjedhjet politike për parlamentin e Kosovës të jenë zgjedhje presidenciale për Vjosën. Vjosa braktisi partinë pasi e shfrytëzoi e shtrydhi dhe pasi ajo parti e bëri kryetare të Kuvendit te Kosovës dhe zëvendësuese e presidentit të Kosovës përkohësisht. Meqenëse, LDK nuk ka çfarë i jep më shumë Vjosës, ajo iu bashkëngjit VV-së që në zgjedhjet e kaluara doli parti e madhe. Vjosa kërkon ose presidente e Kosovës ose asgjë tjetër pasi ajo beson se është e lindur vetëm për presidente dhe nuk është askush më i zoti se ajo për atë post. Por, zhvillimet politike nuk dihet a rrjedhin siç donë Vjosa”, ka thënë Shahu për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai deklaron se edhe nëse lista e Lëvizjes Vetëvendosje fiton 80 vota, nuk i jep Osmanit këtë pozitë.

“Besoj se edhe nëse fiton 80 vota vetëm Vetëvendosje, ajo parti nuk ia jep votat Vjosës dhe nuk e bën presidente të Kosovës, sepse braktisja e një partie, të asaj që të bëri, të rriti, të gradoi, të dha postet më të larta politike në shtet, për hir të karrierës të zgjatjes së karrierës në postin më të lartë të vendit në partinë tjetër nuk është aq e fisme. Vjosa beson se vetëm ajo është e lindur për postet më të larta në Kosovë, ose beson se postet më të larta në Kosovë si kryeministër apo president janë krijuar apo janë shpikur vetëm për Vjosën. Por, nëse do te viheshin në balancë me Ramush Haradinajn, nuk e dimë se si do shkonte votimi kur kemi parasysh se Haradinaj i ka dhënë gjakun lirisë së Kosovës, i ka dhënë provat në Hagë se është komandant, ka ushtruar detyrën e kryeministrit. Por, kundër Haradinajt e gjithë meritorëve janë tezat e kalcifikuara të Albin Kurtit që rri me pranga në gojë e në duar duke kërcënuar se do të burgosë gjithkënd që ka bërë krim. Sikur Albini është prokurori e gjykatësi sikur Albini ka burgun e qeverisë dhe fut e nxjerr nga burgu kë të dojë Albini”, u shpreh Shahu.

Në fund, analisti Shahu shprehet se gjithmonë ka dëshiruar që në krye të shtetit të Kosovës të vije dikush nga bota akademike.

“Kurti me retoriken e mashtrimet pafund e nxiu çdo njeri në Kosovë, çdo pushtetar që ka qeverisur në Kosovë në dy dekadat e fundit dhe bëri meritor me pa meritorët e Kosovës. Në raport me Ramushin dhe kontributet e tij, Albini dhe Vjosa bashkë janë me peshë të papërfillshme në kontribute. Unë nuk e di se kush vjen në krye të shtetit të Kosovës si president, pasi unë kam dëshiruar të jetë dikush nga bota akademike, por jo prerje e tipit të Rexhep Qosjes. E nëse do të viheshin përballë Vjosa e Ramushi në popull, unë besoj se Ramushi do të ishte president e Vjosa mund të ishte një nëpunëse në presidencë”, tha në fund analisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat