Juristi reagon pas kandidimit të personave me aktakuza, ka një paralajmërim për KQZ-në

Politika

Juristi reagon pas kandidimit të personave me aktakuza, ka një paralajmërim për KQZ-në

Nga: A.Morina Më: 17 janar 2021 Në ora: 17:05
Foto Ilustrim

Gjatë ditës së djeshme, subjektet politike kanë dorëzuar listat me kandidatët e tyre për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shkruan "Bota sot".

Ajo çfarë ka rënë në sy padyshim janë edhe personat të cilët kanë aktakuza të ngritura dhe janë të dënuar për vepra të ndryshme penale. Këto të dhëna janë publikuar nga Instituti i Drejtësisë për Kosovën.

Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar kandidimet e personave me aktakuza të ngritura, për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kelmendi bëri apel që listat të spastrohen nga kandidatët e dënuar, pasi është një çështje negative në skenën politike. Ai përmendi tri shkallë ligjore që një kandidat duhet të hyjë në proces zgjedhor.

“Çështja e moskandidimit të kandidatëve të dënuar apo të akuzuar për vepra penale është një çështje negative që po e përcjell skenën politike të Kosovës. Natyrisht se në këtë anë janë tri shkallë nga të cilat varet se a do të futet një kandidat në proces zgjedhor”, deklaroi Kelmendi.

Shkalla e parë, që juristi përmendi është subjekti politik, i cili duhet të marrë vendime që të mos i lejoj personat e dënuar ose akuzuar të kandidoj për deputetë të Kuvendit të Kosovës

“Shkalla e parë dhe më e rëndësishme është partia politike. Këtu duhet që subjekti vetë të marrë vendim dhe mos të lejoj personat e dënuar apo të akuzuar në listën e kandidatëve për deputet. Kjo është rruga më e mirë dhe më ndritshme e partisë”, theksoi Kelmendi.

Kurse, në shkallën e dytë Kelmendi përmendi kandidatët për deputetë, të cilët duhet vetë të mos kandidojnë shkaku i moralit njerëzor dhe politik. Madje ata duhet të kërkojnë të largohen nga listat.

“Së dyti, është vetë kandidati i propozuar, nuk ka rëndësi se nga kush, për listë, që ai vetë të tërhiqet nga kandidatura. Këtu lypset që kandidati për këtë vendim të ketë moral njerëzor dhe politik, të kuptoj se është e dëmshme rruga e tillë e kandidimit.


Kandidati i propozuar kërkohet që vetë të largohet. Por kjo nuk po funksionon, për faktin se mungon vetëdija dhe morali njerëzor dhe politik. Ata të akuzuarit, madje ndoshta edhe të dënuarit, gjenden përsëri nëpër listat e partive”, potencoi juristi.

Në fund, ai përmendi rëndësinë e KQZ-së në këtë proces zgjedhor e cila duhet të bëj spastrimin e listave. Kjo sipas Kelmendit duhet të bëj ndryshime në ligjin zgjedhor

“Shkalla e trete dhe e fundit është KQZ. Këtu duhet të bëhet spastrimi i listave nga kandidatët e dënuar me një e më shumë vite burg. Kjo është ligjore, këtë mund dhe duhet KQZ ta bëj domosdo.

KQZ nuk mundet t’i largoj nga listat kandidatët e akuzuar apo të dënuar jo në formën e prerë. Kjo nuk ka bazë ligjore. Prandaj kërkojnë ndryshime në ligjin zgjedhor që edhe kjo çështje të rregullohet me ligj. Përndryshe është shumë i dëmshëm kandidimi nëpër lista të kandidatëve të akuzuar apo të dënuar, kjo nuk shkon”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat