“Situata para shpërthimit”, ndizet alarmi për PDK-në

Politika

“Situata para shpërthimit”, ndizet alarmi për PDK-në

Nga: P.R Më: 19 janar 2021 Në ora: 19:50
Enver Hoxhaj

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit dhe ish anëtar dhe deputet i PDK-së, Rrustem Mustafa ka goditur partinë e tij, për të cilën thotë se në të kanë hyrë njerëz që njihen për afërsinë e tyre me ish-pushtetin.

“PDK është parti e themeluar nga njerëz që kanë demonstruar kredenciale të larta morale e kombëtare në kohët e arritjeve të mëdha kombëtare. Me kalimin e viteve, ajo ka akomoduar edhe oportunistë e njerëz që kanë qenë të afërt me ish pushtetin e para vitit 1999. Sot, me njerëz që janë angazhuar rishtazi (Doktoranta, mastera të internetit e lloj-lloj kualifikimesh)në PDK, kemi arritur deri aty sa dikush që vjen nga lidhje të afërta me ish pushtuesin, të jap ‘çertifikata’ për individë brenda PDK-së, që përcaktojnë shkallën e lojalitetit të tyre ndaj vlerave të UÇK-së, madje, këtë ‘çertifikatë’ ja akordojnë edhe vet eprorëve të UÇK-së. Të tillët nuk i duhen gjë PDK-së dhe ata, është koha të largohen nga ky diskurs krejtësisht cinik. Ka një kohë që e kam pushuar aktivitetin tim në strukturat e PDK-së, por nuk mund të rrija neutral e të mos reagoj ndaj personazheve që njihen për afërsinë e tyre me ish pushtetin e që sot, kinse në emër të reprezentimit të PDK-së, aktrojnë superioritet e lidership ndaj personaliteteve më meritore të hierarkisë së UÇK-së. Kjo nuk duhet të tolerohet nga PDK. Është e tepërt”, ka shkruar Rrustem Mustafa – Remi.

E lidhur me këto akuza të komandant Remit ndaj PDK-së, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.

Ai thotë se kjo vjen si rezultat i luftës brënda PDK-së për pushtet.

“Realisht në PDK janë dy rryma tashmë dhe kjo s’ka diskutim, rryma që ka mbështetur Thaçin në njërën anë, dhe në anën tjetër Veselin. Remi i takon mbështetësve të Thaçit, të cilët ndjehen kryesisht të lanur jashtë strukturave vendimmarrëse të PDK”, thotë Mehmeti.

Ai kritikon ashpër PDK-në për aderimet e reja në këtë parti.

Image
Faton Mehmeti

“Faktikisht PDK është shndërruar në një parti ku ka çdo gjë, një lloj marketi ku çdo gjë 1 euro. Në mungesë të nxjerrjeve të kuadrove të saja, PDK po "transferon" nga jashtë njerëz të cilët nuk kanë dhanë asnjë kontribut për PDK. Andaj është i arsyeshëm reagimi i Remit, i cili nuk përfillet aq sa të sapo ardhurit”, thekson Mehmeti.

Për fund, analisti Mehmeti ka paralajmëruar përçarje dhe përplasje të mëdha brenda PDK-së.

“PDK s’po punon për kuadro por për vota, duke rehatuar njerëz që nuk kanë asnjë meritë në parti, mirëpo sjellin vota. Situata është para shpërthimit në këtë parti. Pas zgjedhjeve do të këtë akoma më shumë përçarje brenda PDK, ku do njëri nga krahët do të kërkojë zgjedhje për të marrë frenat në dorë, meqenëse Veseli pritet të mungojë gjatë. Pas zgjedhjeve pritet të ketë përplasje më të forta brenda PDK, me të lanurit jashtë strukturave e të cilët do të kërkojnë të rikthehen në maje të partisë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Faton Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat