UÇK-ja përplas PDK-në me AAK-në

Politika

UÇK-ja përplas PDK-në me AAK-në

Nga: A.Z Më: 19 janar 2021 Në ora: 20:53
UÇK

Ish-ushtarja e UÇK-së njëherësh kandidate për deputete nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka ironizuar me PDK-në.

Kadrijaj thotë se është e çuditshme kur dëgjon PDK-në tek sa flet për vlerat e luftës në vitin 2021 kur në përbërje të tyre dhe në listën për deputetë nuk gjen as për së afër vlera të luftës.

“E çuditshme ta dëgjosh PDK-në e 2021 kur flet për UÇK-në, derisa në përbërje të tyre dhe në listën për deputetë nuk gjen as për së afër vlera të luftës, aq më pak tek ata që flasin në emër të PDK-së” ka thënë Kadrijaj.

Lidhur me këtë analisti Leon Duhanaj,në një prononcim për "Bota sot",  ka thënë se tani që jemi në prag të zgjedhjeve çdo ditë e më shumë vërehet edhe ashpërsimi i gjuhës së komunikimit.

Sipas tij, Kadrijaj nuk ka qenë e bindur për atë që thotë, ashtu siç nuk besoj që çështja e trashëgimisë së UÇK-së, duhet të trajtohet si trashëgimi partiake.

“Tani më kur jemi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme çdo ditë e më shumë vërehet edhe ashpërsimi i gjuhës së komunikimit, si dhe hudhja e deklaratave politike, shpeshherë vend e pavend. Nuk mendoj që znj. Kadrijaj është e bindur për atë çfarë thotë. Ashtu siç nuk besoj që çështja e trashëgimisë së UÇK-së, duhet të trajtohet si trashëgimi partiake”, tha ai.

Tutje ka thënë se UÇK-ja dhe trashëgimia e saj si dhe vlerat e luftës i takojnë Kosovës, dhe se ish-ushtarët janë të shpërndarë në të gjitha partitë, por padyshim që numri më i madh i takon PDK-së.

“UÇK, është shqiptare dhe trashëgimia e sajë dhe vlerat e luftës i takojnë Kosovës. Për ndryshe mendoj që ish ushtarët janë të shpërndarë në të gjitha partitë shqiptare, por nëse do t'i bënim ndonjë matje numrit të pjesëmarrjes së tyre në ndonjë parti politike, atëherë padyshim se numri me i madh i takon PDK-së”, përfundoi ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat