Vjen thirrja e fundit nga ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt: LDK, ndiz motorët – vetëm kështu mund t’i fitojë kjo parti zgjedhjet!

Politika

Vjen thirrja e fundit nga ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt: LDK, ndiz motorët – vetëm kështu mund t’i fitojë kjo parti zgjedhjet!

Nga: N. H Më: 20 janar 2021 Në ora: 12:29
Anton Quni, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se partia e tij, synon fitoren e radhës në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 14 shkurt.

Këto deklarata, kryeministri në detyrë i ka dhënë gjatë aktiviteteve tw tij të fundit nëpër degët e LDK-së, ku mes tw tjerave ka thënë se aktivistët e kësaj partie janë të gatshëm për fitore.

Mirëpo, si e shohin nga jashtë, veprimtarët e LDK-së gjendjen në këtë parti. Për këtë çështje, “Bota sot”, ka kontaktuar veprimtarin e njohur.

Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, e ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se disponimi i anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës për këto zgjedhje është në nivel shumë të lartë.

Ndërsa, konsideron se në nivelin jo të duhur ndodhet Kryesia qendrore e kësaj partia.

Image
Saim Tahiraj

“Ajo si çdo herë gjatë të gjitha periudhave historike, qofshin ato të rezistencës kundër armikut apo organizimin e zgjedhjeve nacionale dhe lokale, ka qenë dhe është në nivelin e duhur. Isha për disa ditë në Kosovë dhe e pashë këtë nivel entuziast për fitore. Mendoj se strukturat udhëheqëse të LDK-së duke filluar nga Kryesia qendrore e deri te Kryesitë e nëndegëve nuk është në nivelin e duhur. E them këtë për faktin se nuk janë në kontakt të vazhdueshëm me anëtarësinë e saj e në veçanti me rininë e cila i është nënshtruar një fushate të tmerrshme propagandistike të VV-së. Në Vetëvendosje janë bashkuar tri rryma shumë të rrezikshme të cilat për synim kryesorë kanë shkatërrimin e LDK-së, si e vetmja alternativë pro perëndimore. Rryma e parë e drejtuar nga shtabi i LPK-së i bashkuar me disa mbetje të komunizmit në Shqipëri. Kjo rrymë ka për orientim Moskën dhe si qëllim kthimin e Neobolshevizmit në Kosovë dhe më gjerë”, ka thënë Tahiraj.

Ai ka thënë edhe disa fjalë edhe për kalimin e ish-nënkryetares së LDK-së Vjosa Osmani, në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Rryma e dytë është Erdoganizmi i cili përmes disa teologëve dhe hoxhallarëve qëllim kryesorë ka kthimin e Neootomanizmit në Kosovë dhe më gjerë. Të dy këto rryma busullën e kanë të drejtuar ka lindja, pikë e cila momentalisht i bashkon edhe pse ideologjikisht janë shumë të ndryshëm. E treta rrymë çuditërisht është Lista “Guxo” e cila ju bashkua VV-së. Kjo rrymë e re politike thirret në emër të Rugovizmit, madje duke e paraqitur veten si e vetja forcë politike që e mbron Rugovizmin, paradoks në vete. Në fakt, kjo forcë e re politike po shfrytëzohet nga VV-ja për të ja marrë anëtarësinë e LDK-së dhe shkatërrimin e saj. Ky bashkim heterogjen i këtyre tri rrymave momentalisht kanë bashkuar forcat dhe si pikë goditëse pandërprerë kanë LDK-në”, tha ai.

Ai madje ka deklaruar se strukturat e LDK-së nuk po arrijnë t’i përgjigjen në mënyrën e duhur Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ky është misioni i tyre që kanë marrur mbi supet e tyre nga qendrat e tyre komanduese në Lindje. Kjo ndodhë për faktin se LDK-ja si e vetmja forcë politike që është orientuar ka perëndimi dhe me besnikëri po i qëndron stoike dhe pamposhtur rrymave politike që janë të orientuar nga Lindja. Duke e parë këtë luftë të ashpër propagandistike dhe shumë të pandershme, nga këto tri rryma politike heterogjene, të cilat janë bashkuar nën kulmin e VV-së, strukturat drejtuese të LDK-së nuk janë në nivelin e duhur organizativë që t’i përgjigjën në mënyrën e duhur. Të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së duhet që sa më parë të ndezin motorët dhe të fillojnë takimet me anëtarësinë e saj nëpër degë dhe nëndegë, t’i kundërvihen kësaj propagande të çmendur. Ka mjaftë fakte që të çmontohet dhe të deklasohet një propagandë e tillë e cila është përplot demagogji dhe gënjeshtra”, ka deklaruar ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt.

Veprimtari dhe ish anëtari i FARK-ut, Saim Tahiraj, konsideron se Lidhja Demokratike e Kosovës, kishte kryeministrin më të mirë dhe Qeverinë më të suksesshme që nga paslufta, por që këtë sukses nuk po arrin ta plasojë mirë tek populli.

“LDK-ja kishte kryeministrin dhe Qeverinë më të suksesshme që nga paslufta, por fatkeqësisht, nuk po arrin që këtë sukses ta plasojë në popull dhe ta bindë atë se këto suksese janë realitet. Deri sa VV-ja po e shet shumë shtrenjtë demagogjinë, gënjeshtrën dhe ideologjinë e shkatërruar me decenie, LDK-ja nuk po e arrin ta shesë të vërtetën, suksesin dhe ideologjinë e saj progresive që sot krenohet Amerika dhe Evropa me të. LDK ndiz motorët se nesër është vonë. Lista me kandidat për deputet e LDK-së nga Kosova është shumë e mirë, me persona me kredibilitet,të ndershëm dhe profesionist të nivelit të lartë. Ndërsa, me kandidatët nga mërgata len për të dëshiruar. Mënyra e zgjedhjes së kandidatëve nga Zvicra është tipike komuniste dhe e papranueshme. Nuk ka pasur fare konsultime me kryesit e nëndegëve, por thjeshtë emërime nga një mini-kryesi. Gjithashtu nuk janë kandidatët më të mirë të cilët do i mblidhnin votat e mërgimtarëve në Zvicër”, ka theksuar Tahiraj.

Krejt në fund, ai ka treguar mënyrën se si, sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës mund të dal fituese nga këto zgjedhje.

“Kësaj radhe LDK-ja në Zvicër do humbë shumë vota. Disa nëndegë të LDK-së po përpiqemi, që së paku të i bindim anëtarësinë tonë, të votojnë kandidatet në Kosovë sepse këta në Zvicër nuk do i votojnë pjesa dërmuese e anëtarësisë së këtyre nëndegëve. Jam i bindur se me një organizim më të mirë, me një propagandë pozitive duke i plasuar në opinion, sukseset e LDK-së, me një kundër propagandë ndaj demagogjisë, gënjeshtrës dhe veprimeve anti shtet të VV-së, LDK-ja do dali fituese në këto zgjedhje”, tha ai krejt në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat