Lista e LDK-së, fitore për Kosovën demokratike!

Politika

Lista e LDK-së, fitore për Kosovën demokratike!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 20 janar 2021 Në ora: 21:56
Avdullah Hoti

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të shtunën ka publikuar listën për zgjedhjet në Kosovë me 110 emrat e renditur.

Kandidati për kryeministër, dhe njëherit kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, do të kryesojë listën, kurse, Behgjet Pacolli i cili është në një listë të përbashkët me të është vendosur i pesti.

Nga ana tjetër, pas Avdullah Hotit janë Kujtim Shala, Hykmete Bajrami e Agim Veliu. Në 10-shën e dytë janë emra mjaftë të njohur gjithashtu të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si Lumir Abdixhiku, Besian Mustafa, Armend Zemaj, Vlora Dumoshi, dhe Arban Abrashi.

Pjesë e kësaj liste sikurse në dy palë zgjedhje, as kësaj radhe nuk është kreu i këtij subjekti, Isa Mustafa.

Njohësit e çështjeve politike në vend, e vlerësojnë lartë listën e publikuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tyre, kjo është lista më përfaqësuese dhe më garuese për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, e cila, sipas tyre, përbëhet nga njerëz të profileve të ndryshme, por që bazament kanë filozofinë politike rugoviane.

Analistët konsiderojnë se me këtë listë, kjo parti synon që të dalë e para e në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Latifi: Listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e LDK-së

Image
Haki Latifi

Analisti politik, Haki Latifi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka deklaruar se lista e publikuar nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës me 110 emrat e renditur, është një listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për Latifin, e rëndësishme është se në këtë listën e LDK-së nuk janë të përfshirë kandidatë që kanë rënë ndesh me ligjet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.

“Mendoj se lista emërore e kandidatëve të LDK-së për deputetë është listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e LDK-së. Të gjithë kandidatët janë të përkushtuar, në rend të parë, për shtetin e Kosovës. Të përcaktuar që Kosova të forcohet ekonomikisht, kulturalisht dhe ndërkombëtarisht. Është një rast i mirë që të punojnë në ndërtimin e një Kosovë evropiane, në miqësi të përhershme me SHBA-të, ashtu siç e predikonte Presidenti ynë i parë, dr. Ibrahim Rugova. Me rëndësi është se në këtë listë zgjedhore të LDK-së, nuk janë të përfshirë kandidatë që kanë ra ndesh me ligjet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Gjë që është një përparësi në krahasim me partitë tjera konkurrente të cilat në listat e tyre kanë përfshirë kandidat që janë të dënuar nga drejtësia e Kosovës”, ka thënë Latifi.

Tutje, Latifi po ashtu shprehet se lista e LDK-së reflekton një diversitet specifik të kuadrove, duke përfshirë; akademikë, profesorë universitar, e kuadro tjera të shquara.

Ai konsideron se është momenti që të gjitha strukturat e organizimit duhet të mbështesin LDK-në, në mënyrë që të dalë mirë nga këto zgjedhje.

“Pra, lista e kandidatëve të LDK-së, siguron që ligjet në të ardhmen të mos aprovohen në Parlament nga ata që kanë probleme me shtetin ligjor. Njëherit kjo listë reflekton një diversitet specifik të kuadrove, duke përfshirë: akademikë, profesorë universitar, kuadro të shquara të kulturës, të biznesit, ministre dhe ministra të suksesshëm, mësues, drejtues shkollash e biznesesh, inxhinierë, juristë, ekonomistë, mjekë. Në të cilën mendoj se janë të gjithë të përkushtuar, në rend të parë, për shtetin e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve. Tani nuk ka kohë për të humbur, të gjitha strukturat e organizimit duhet të mbështesin LDK-në, me qëndrimin që Lidhja Demokratike me dalë më fortë dhe më unike në zgjedhjet e ardhshme të 14 shkurtit”, tha ai.

Latifi thekson se partia e cila në këto zgjedhje garon me Avdullah Hotin, duhet të përgatitet të synojë me dalë e para.

Ai ka nënvizuar se votuesit tashmë kanë rastin që të vendosin për vlerat e LDK-së dhe vlerat e çdonjërit kandidatë veç e veç.

“Natyrisht LDK, garon dhe duhet të përgatitet të synojë me dalë e para. Askush nuk hyn në garë me dalë i dyti e pastaj vendos elektorati cilin zgjedh të parin, të dytin e të tretin me radhë. Dihet se bartës i listës zgjedhore të LDK-së është Prof. Dr. Avdullah Hoti për kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme. Votuesit kanë rastin që të vendosin për vlerat e LDK-së dhe vlerat e çdonjërit kandidatë veç e veç. Kuptohet edhe LDK iu beson qytetarëve të Kosovës, dhe është e bindur se në Kosovën tonë të dashtun është vetëm populli i saj që vendos për të ardhmen dhe mirëqenien e vet”, ka deklaruar Latifi, për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Lista e kandidatëve për deputet e LDK-së, është lista fituese

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, njëjtë sikurse Latifi, mendon edhe analisti tjetër Nexhat Haziri.

Njohësi i rrethanave politike, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot” ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, se lista e publikuar nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës është lista më përfaqësuese dhe më garuese për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Mendoj se është lista më përfaqësuese dhe më garuese në këto zgjedhje, e cila përbëhet nga njerëz të profileve të ndryshme, por që bazament ka filozofinë politike rugoviane e cila në vete përmban konceptin e djathtë, si garantuese e kosovacentrizmit dhe zhvillimin e avancimin e vlerave kombëtare dhe atyre euro-perëndimore”, u shpreh analisti Haziri.

Haziri ka potencuar se kjo listë nuk identifikohet me individin, por që paraqet një vizion ekipor për sfidat që janë para shtetit të Kosovës.

“Kjo listë paraqet mundësi të mirë për qytetarët e Kosovës për ta votuar se cilin kandidat për deputet, pasi nuk është listë që identifikohet me individin, por një listë që paraqet një vizion ekipor për sfidat që janë para nesh dhe një ekip që premton realisht një qeverisje të suksesshme”, potencon analisti.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve politike ka shtuar se kandidatët e LDK-së për deputet janë lista fituese jo vetëm për këtë parti, por është fitore për Kosovën demokratike.

“Andaj bazuar në këto, mendoj se lista e kandidatëve për deputet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është lista fituese, jo vetëm për këtë parti, por është fitore për Kosovën demokratike, partnere e sinqertë me BE-në dhe SHBA-në, me ambicie normale për integrime euro-atlantike”, tha krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat