“Burg i përjetshëm për Veselin”, Haziri drejton gishtin: SHIK-u organizatë kriminale – ja kush i urdhëroi vrasjet...

Politika

“Burg i përjetshëm për Veselin”, Haziri drejton gishtin: SHIK-u organizatë kriminale – ja kush i urdhëroi vrasjet...

Nga: P.R Më: 21 janar 2021 Në ora: 18:40
Kadri Veseli

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e Ben Emmerson, avokatit të Kadri Veselit, për ta liruar përkohësisht nga paraburgimi ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Madje në një përgjigje të gjatë të Prokurorisë Speciale që mban në fund firmën e kryeprokurorit Jack Smith, Prokuroria ka përmendur edhe mundësinë e dënimit të Veselit me burgim të përjetshëm, si një prej arsyeve se pse ai nuk duhet të lirohet as përkohësisht.

“Veseli është akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në 40 vende të mbajtjes anembanë, përfshirë vrasjet dhe torturat. Krimet e paraqitura në akuza kundër Veselit sjellin një dënim të mundshëm me burgim të përjetshëm. Kjo perspektivë krijon rrezik të vazhdueshëm të arratisjes së tij, që do të rritet vetëm pasi Veseli do të mësojë fushën e plotë të provave kundër tij”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e Prokurorisë.

E lidhur me mundësinë e dënimit të ish kreut të SHIK-ut, Kadri Veseli me burgim të përjetshëm, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, i cili SHIK-un e quan organizatë kriminale.

Image
Nexhat Haziri

“Se sa do të dënohet Veseli, kjo është çështje që i takon gjykatës, po ajo që unë mund të them është se pjesa dërmuese e aktakuzës së prokurorisë kundër shefit të organizatës kriminale SHIK, Kadri Veselit përbëhet me përgjegjësitë e Veselt si kreu i një organizate kriminale, për vrasjet dhe maltretimin e kundërshtarëve politik, në këtë rast të zyrtarëve të lartë të LDK-së dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, thotë Haziri për gazetën “Bota sot”.

Më tej, Haziri shprehet se përveç Veselit, përgjegjësi kanë edhe Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi.

Haziri ka paralajmëruar edhe arrestime të reja në Kosovë, të cilat sipas tij do të ndodhin në muajin mars.

“Dhe në këtë aspekt jo vetëm Veseli ka përgjegjësi, por edhe të tjerët që tani po përballën me procesin gjyqësor në Hagë, si Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe të tjerët, po ashtu edhe të tjerë që priten të arrestohen në muajin mars”, thekson Haziri.

“Të gjitha vrasjet e zyrtarëve të lartë të LDK-së, qoftë gjatë luftës dhe pas saj, janë urdhëruar dhe planifikuar nga i ashtuquajturi SHP i UÇK-së dhe për këtë Gjykata Speciale tashmë ka dëshmi të mjaftueshme”, deklaron analisti Haziri për “Bota sot”.

Për fund, ai thekson se në Speciale, do të zbardhet ana e errët e SHIK-ut.

“Natyrisht se procesi gjyqësor, sidomos ndaj Veselit, do të zbardhet edhe ana e errët e një organizate kriminale siç është SHIK-u, veprimtaria e së cilës ishte për llogari politike të PDK-së dhe konkretisht ta ndihmonte Thaçin që të ngjitej në skenën politike edhe mbi vrasjet, frikësimin dhe shantazhimin e kundërshtarëve politik”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat