Përplasjet Hoti-Osmani për kreun e AKI-së

Politika

Përplasjet Hoti-Osmani për kreun e AKI-së

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 23 janar 2021 Në ora: 11:10
Avdullah Hoti dhe Vjosa Osmani

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti nuk po merren vesh as për emërime.

Vjosa Osmani, ka refuzuar propozimin e Kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti, për kryeshef të Agjencisë së Kosovës të Inteligjencës, Latif Merovcin, i cili më herët ka qenë zëvendësdrejtor në këtë institucion.

Gjithashtu edhe Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, nuk do ta pranojë propozimin e ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani për drejtorin e ri të AKI-së.

Ai ka thënë se emri që Osmani e ka propozuar nuk e ka përvojën e nevojshme për të marrë një përgjegjësi të tillë.

“Nuk jemi dakorduar. Nuk ka dakordim për personin që duhet të emërohet në pozitën e drejtorit të AKI-së. Ligji kërkon që brenda 20 ditësh nga momenti që lirohet pozita të emërohet. Nuk do të arrijmë që ta zgjedhim drejtorin në këtë mandat qeverisës. AKI-ja vazhdon punën e vet, është zëvendësdrejtoresha e cila po e kryen punën e saj plotësisht”, tha ai.

Shala tregon karakteret që duhet ti ketë shefi i AKI-së

Image
Drizan Shala

Lidhur me këtë eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se sektori i sigurisë është duke i përdorur nga të gjithë për t’i orientuar interesat personale, grupore apo edhe inatet personale.

“Përzgjedhja për numrin 1 të sigurisë së vendit, unë mendoj që sektori i sigurisë në vend është duke i përdorur nga të gjithë për të orientuar interesat personale/ grupor apo edhe inatet personale. Problemi qëndron në atë që numri 1 është njëherit me dy epror që në këtë rast është Kryeministri dhe Presidenti i vendit”, tha ai.

Më tej ka shtuar se është më mirë të vendoset personi i cili ka disa karakteristika të tilla, siç është mos lidhja me sistemin e RSFJ-së, profesion nga fusha e sigurisë dhe mos të jetë servil politik.

“Pra është mirë të shikohet përtej orbitës së ngushtë politike dhe të vendoset për personin i cili ka 4 karaktere kryesore siç janë: 1. Mos lidhja me ish sistemin e RSFJ-së, 2. Veting të përfunduar, 3. Profesion nga fusha e sigurisë, 4. Mos të jetë servil politik. Kosova duhet që të ndërtojë një shembull adekuat se si duhet të jetë siguria e vendit”, përfundoi ai.

Hoti e Osmani me inate të mëdha

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi, ka thënë se kundërshtimet e Hotit dhe Osmanit për propozimin e drejtorit shihet se nuk janë problem shtetëror, por inatet e mëdha që janë mes tyre.

Ai thotë se sipas ligjit, drejtorin e AKI-së e përcaktojnë presidenti së bashku me kryeministrin, pra e emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditëve.

“Kundërshtimet e Hotit dhe Vjosa Osmanit për propozimin e drejtorit me peshë të madhe të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës-AKI-së, shihet qartë se nuk është problem shtetëror që nuk mund të zgjidhet, vetëm me një marrëveshje të dy palëve, të ushtrueses së presidentit Vjosa Osmanit dhe kryeministrit Avdullah Hotit dhe zgjidhet drejtori i AKI-së, mirëpo inatet e mëdha të Hotit me Osmanin pengojnë zgjedhjen e drejtorit të ri, shefi i mëparshëm që e ka udhëhequr Kreshnik Gashi qe nga 17 dhjetori ka dhënë dorëheqje dhe ky vend i rëndësishëm për Kosovën ka mbetur i zbrazur. Sipas Ligjit drejtorinë e AKI-së, e përcaktojnë presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditëve”, tha ai.

Më tej ka shtuar se ka më shumë se një muaj që Kosova ka mbetur pa drejtor të AKI-së, për shkak të inateve që Hoti dhe Osmani kanë mes vete.

Përderisa as Osmani dhe as Hoti nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët, më së miri do të ishte që drejtori i mëparshëm, pra Kreshnik Gashi, të vazhdoj ta udhëheqë AKI-në, deri pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Propozimet nuk lejohen të bëhen publike deri sa të zgjidhet kandidati drejtor i AKI-së. Pra, kanë kaluar jo njëzet ditë, po më shumë se një muaj për shkak inateve të Hotit ndaj Osmanit, Kosova ka mbetur pa drejtor të AKI-së. Se janë inate e jo probleme politike shihet hapur, se, ushtruesja e presidentit Vjosa Osmani për drejtor të AKI-së ka propozuar emrin e drejtorit të AKI-së, kurse Hoti për inat i kundërvihet me një kundërkanditat për drejtor të AKI-së. Nëse as Vjosa Osmani e as Avdullah Hoti nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët, atëherë më së miri do ishte që drejtori i mëparshëm, Kreshnik Gashi, të vazhdojë të udhëheq AKI-në deri në zgjedhjen e presidentit e kryeministrit të ri të Kosovës që do zgjidhen e do jenë legjitim pas zgjedhjeve të 14 shkurtit”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat