‘Thumboi’ Kurtin, profesori kritikon Hoxhajn: Fjalori i rrugaçërisë nuk të sjellë vota

Politika

‘Thumboi’ Kurtin, profesori kritikon Hoxhajn: Fjalori i rrugaçërisë nuk të sjellë vota

Nga: A.Morina Më: 28 janar 2021 Në ora: 22:11
Albin Kurti dhe Enver Hoxhaj

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, fokus ‘kryesor’ të fushatës zgjedhore e ka kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurtin, shkruan "Bota sot".

Tash e sa herë, Hoxhaj po i bën ftesë për debate televizive Kurtit, i cili siç duket, nuk e ka ndër mend të pranojë një gjë të tillë.

E pas këtyre refuzimeve, Hoxhaj ka vendosur ta thumbojë kreun e LVV-së, me deklarata të llojit “do ta fusë në xhep Kurtin në cilin do debat televiziv”.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar këto deklarata të kandidatit për kryeministrit të PDK-së, Enver Hoxhaj kundër kreut të LVV-së, Albin Kurtit

Mehazi e cilësoi Hoxhajn si një person të zbrazët intelektualisht e politikisht, pas deklaratës së tij se "do ta fusë në xhep Kurtin në cilin do debat televiziv."

Image
Profesor Sulejman Mehazi

“Kërkesa e debatit televiziv të kandidatin për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka të bëjë me thënien popullore: "Kalliri i zbrazët e pa kokra misri e mba kokën lart, kurse kalliri i plotë e i mbushur me kokra misri e mba kokën teposhtë, dhe deklaratën e Hoxhajt mund të përshtatet më këtë thënie. Çdoherë e përherë personat e zbrazur intelektualish, mendërisht e politikisht shprehin kryelartësinë e llojeve të fjalëve të Hoxhajt: "Do ta fusë në xhep Kurtin në cilin do debat televeziv””, deklaroi ai.

Profesori tha se një kandidati për kryeministër të Kosovës, nuk i takon të shprehet me fjalor rrugaçërie të lavdeve të zbrazura e pa shije edukate politike. Ai theksoi që Hoxhaj, më mirë është të i bëj thirrje qytetarëve ta votojnë PDK-në, sesa të merret me Albin Kurtin.

“Naiviteti e turpi më i madh është t'i lavdërohesh kundërshtarit politik në këtë mënyrë, nuk i takon një pretendenti për kryeministër të shpreh kësi fjalor rrugaçërie të lavdeve të zbrazura e pa shije edukate politike. Kërkesa e debatit kërcënues televiziv të Enver Hoxhajt e ka kuptimin e inferioritetit të tij intelektual e politik ndaj Albin Kurtit. Shumë e logjikshme që Hoxhaj gjatë fushatës zgjedhore të debatonte me qytetarët për ta votuar PDK-në se sa ta "fuste në xhep Albin Kurtin””, nënvizoi Mehazi.

Në fund, ai tha se edhe nëse Albin Kurti do ta pranonte të zhvillonte debatin, kjo prapë se prapë do të t’i ndihmonte aspak Partisë Demokratike të Kosovës. Madje, profesori tha se shprehja e Hoxhajt "do ta fus në xhep Kurtin", pas zgjedhjeve do bëhet barcoletë për gjithë qytetarët e Kosovës.

“Sikur edhe të pajtohej Albin Kurti të debatonte me Hoxhaj do ishte e kot, pasi asnjë dobi nuk do t'i jepte PDK-së, përkundrazi do ta forconte dhe më Kurtin dhe LVV-në. Logjikshmëria politike e Kurtit është të debatojë jo me Enver Hoxhaj, po me qytetarët e Kosovës që do vendosin me anë të votave fitoren e LVV-së. Shprehja e Hoxhajt "do ta fus në xhep Kurtin", pas zgjedhjeve do bëhet barcoletë për gjithë qytetarët e Kosovës”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat