Njohja historike nga Izraeli, analisti jep parashikimin, tregon se cili do të jetë ndikimi i madh në fuqizimin e Kosovës

Politika

Njohja historike nga Izraeli, analisti jep parashikimin, tregon se cili do të jetë ndikimi i madh në fuqizimin e Kosovës

Nga: G.B Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 11:46
Kryediplomati izraelit Gabi Ashkenazi duke nënshkruar dokumentin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën

Historike u vlerësua vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, pasi u zyrtarizua njohja në mes të dy shteteve.

Ceremonia u zhvillua online në mes të ministrave të jashtëm të të dyja vendeve.

Kjo njohje vjen si pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi në SHBA në shtator të vitit të kaluar.

Image
Fadil Lepaja

E hap historik njohjen nga Izraeli e quan edhe njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja.

“Unë e shoh si hap historik, njohjen reciproke të dy shteteve të kontestuara, të dy popujve që përjetuan gjenocid përmasash globale, me një përhapje nëpër glob përmasash mitike, për të shpëtuar nga ndjekja dhe shfarosja fizike. Mund të kontestohet gjithçka politikisht, por nuk mund të kontestohet instikti i jashtëzakonshëm për mbijetesë i dy popujve tonë, rrënjët e të cilëve vijnë përtej mjegullës së historisë dhe përmasat dhe vitaliteti i tyre mahnitin globin”, është shprehur ai.

Lepaja shpreson që me këtë akt, të hapet një epokë e re e komunikimit ndërkulturor, jo vetëm mes dy shteteve por edhe mes dy kulturave e besimeve.

“Të shpresojmë se me këtë akt, po hapet një epokë e re e komunikimit ndërkulturor, ndërcivilizues, jo vetëm mes dy shteteve, por edhe mes dy kulturave, edhe mes besimeve, në veçanti për faktin e karakterit multifetar të popullit tonë, të shpërndarë nëpër disa shtete dhe nëpër tërë planetin”, ka vlerësuar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Sipas tij, ky akt e heq argumentin e ndytë nga Serbia, se Kosova është qendër rekrutimi për rrjetin global të fanatizmit dhe ekstremizmit islamik, derisa shton se mbetet që ky akt të ndikojë në fuqizimin dhe afirmimin e faktorit shqiptar dhe Kosovës.

“Ky akt, e heq një nga argumentet më të ndyta të shtetit serb kundër pavarësimit të Kosovës, duke e paraqitur atë si qendër rekrutimi për rrjetin global të fanatizmit dhe ekstremizmit islamik. Mbetet që ky akt të hapë bashkëpunimin mes dy vendeve në shumëdimensionalitetin e tyre dhe të ndikojë në fuqizimin dhe afirmimin e faktorit shqiptar dhe Kosovës, jo vetëm në rajon”, ka deklaruar Lepaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat