“E frikshme”, analisti kritikon ashpër tubimet në kohë pandemie: Për 100 karrige të deputetëve, një popull po harron veten

Politika

“E frikshme”, analisti kritikon ashpër tubimet në kohë pandemie: Për 100 karrige të deputetëve, një popull po harron veten

Nga: G.B Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 15:39
Foto ilustruese

Qytetarë të shumtë janë dënuar e po dënohen vazhdimisht nga Policia e Kosovës, për shkak të mosrespektimit të masave anti-Covid.

Por, pavarësisht pandemisë, tani kur jemi në prag të zgjedhjeve, partitë politike po mbajnë tubime me qytetarë në kuadër të fushatës, shpesh duke mos u respektuar as masat.

Partitë deri tani janë dënuar me gjobë për shkak të tejkalimit të numrit të personave në tubime, ndërsa që janë kritikuar shumë nga shoqëria civile e analistët.

Image
Rexhep Shahu

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se kjo është e frikshme dhe se më shumë po mblidhen njerëz nëpër tubime, se sa për vdekjen e dikujt nga Covid.

"Tubimet po bëhen në kohë pandemie, kjo është llahtari dhe e frikshme, sikur ne nuk e duam jetën, nuk ia dimë vlerën jetës. Më shumë njerëz mblidhen për mbledhje politike, për fushatë zgjedhore se sa për vdekjen e dikujt nga pandemia", është shprehur ai.

Sipas Shahut, sa më shumë tubime, më shumë njerëz vdesin por që nuk po e shohim si po vdesin njerëzit, derisa të na vie në shtëpi apo veten tonë vdekja nga Covid.

"Duke u mbledhur sa më shumë njerëz Covidi po ia merr jetën sa më shumë njerëzve. Por ne nuk shohim se si po na vdesin njerëzit nga Covidi, nuk pyesim për vdekjen por shkojmë në tubime politike derisa të na mbërrijë vdekja në shtëpi ose në veten tonë. E frikshme. Nivel i ulët i njerëzve dhe marrëzi militantizmi që durojnë edhe gjobat e nuk shmangin tubimet",ka vlerësuar ai.

Ai shton se për karrigen e 100 njerëzve që do të bëhen deputetë, një popull e harron veten, sikur i duam më shumë politikanët se jetën tonë.

"Për karrigen e 100 njerëzve që do të bëhen deputetë, një popull i tërë harron veten e tij dhe e ndëshkon me vdekje. Sikur ne duam më shumë politikanët se jetën tonë", ka deklaruar Rexhep Shahu për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat