“Të bëhet një ndryshim rrënjësor”, drejtori i EPIK, qytetarëve: Dënojini me votë këto parti

Politika

“Të bëhet një ndryshim rrënjësor”, drejtori i EPIK, qytetarëve: Dënojini me votë këto parti

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 10 shkurt 2021 Në ora: 20:50
Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK

Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK Demush Shasha, ka thënë se sondazhet, të cilat po e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje fituese të zgjedhjeve të 14 shkurtit, e kanë kapur drejt disponimin e përgjithshëm politik të qytetarëve.

Ai në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo është konfirmuar edhe në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në Podujevë.

“Konsideroj se sondazhet janë duke kapur drejt disponimin e përgjithshëm politik të qytetarëve të Kosovës. Kjo u konfirmua edhe në zgjedhjet e parakohshme për Kryetarin e Besianës”, ka thënë Shasha.

Drejtori i EPIK ka përmendur arsyet se pse qytetarët e Kosovës, duhet që në zgjedhjet e reja t’i dënojnë partitë që udhëhoqën deri tani.

“Unë pres që qytetarët do të dënojnë partitë të cilat për dy dekada kanë siguruar që Kosova të jetë: Vend më demokracinë më të dobët në rajon, dhe në fakt vetëm 0.18 pikë larg kualifikimit si shoqëri me “Regjim Gjysmë-Konsoliduar Autoritar”, sipas Freedom House; Vend më i korruptuar se Bjellorusia, sipas Transparency International; Vend më i izoluar në Evropë, pa liberalizimin e vizave; Vend më i pa arsimuar në botë, sipas OECD; Vend më mjedisin më të ndotur në Evropë; Vend i vetëm në Evropë pa sigurime shëndetësore”, ka thënë më tej Demush Shasha për “Bota sot”.

Sipas tij, për herë të parë që nga paslufta, duhet të bëhet një ndryshim rrënjësor dhe opozita e djeshme të bëhet “pozita e nesërme”.

“Në këtë drejtim e shoh si tejet të shëndetshme për demokracinë e re të Kosovës që për herë të parë në Kosovën e pasluftës të përjetojmë një ndryshim rrënjësor demokratik dhe politik, duke siguruar që opozita e djeshme të bëhet pozita e nesërme”, është shprehur Shasha./BS

(Intervistën e plotë me Demush Shashën, mund ta lexoni nesër në versionin online në gazetën kombëtare “Bota sot”)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat