Paralajmërohen arrestime të reja/ Gjykata Speciale tregon në cilën fazë është çështja e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Politika

Paralajmërohen arrestime të reja/ Gjykata Speciale tregon në cilën fazë është çështja e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 18 shkurt 2021 Në ora: 08:41
Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë. Foto nga arkivi.

Janë bërë më shumë se tre muaj që kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë arrestuar dhe po mbahen të burgosur në Hagë.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po akuzohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, po hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Të martën është mbajtur seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare. Palët edhe kësaj here i kanë dhënë propozimet e tyre për seancën e radhës, ndërsa avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kanë zgjedhur pak fjalë të mirë për Gjykatën Speciale, pas shumë vërejtjeve që i parashtruan. Prokuroria ka propozuar që në fillim të marsit të ketë një tjetër seancë paragjyqësore në këtë çështje.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, pas përfundimit të seancës të së martës, ka alarmuar se ekzistojnë përpjekje për të minuar punën e Gjykatës që po i heton krimet e pretenduara të kryera nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë vitit 1998-2000.

Kryetarja e Gjykatës Speciale ka deklaruar se në kuadër të këtyre përpjekjeve kanë qenë thirrjet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të rishikojë vendimin e prillit të vitit 2015, që hapi rrugën për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Bota sot”, ka provuar të marrë informacione shtesë nga Gjykata Speciale, lidhur me të arrestuarit, dhe për arrestime e mundshme që mund të ndodhin në ditët në vazhdim.

Zëdhënësit e Speciales, kanë konfirmuar se çështja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit aktualisht është në fazën paraprake.

Ata, madje, kanë bërë me dije se ZPS-ja po vazhdon të zbatojë mandatin e saj, por që nuk i diskuton aktakuzat e mundshme në shtyp.

E, njohësit e çështjeve juridike në vend, kanë thënë se do të ketë edhe arrestime tjera lidhur me aktakuzën e Gjykatës Speciale, pasi që konsiderojnë se ky është vetëm fillimi, dhe se prokurori i Gjykatës Speciale ka lenë të kuptohet se akoma nuk është kompletuar aktakuza.

Griep: Çështja për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimi është në fazën paraprake

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara Angela Griep, në një përgjigje elektronikë dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se çështje e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është në fazën paraprake.

Ajo edhe kësaj here ka refuzuar të jap detaje për ndonjë veprimtari specifike të të akuzuarve, kjo për shkak të privatësisë, dhe për ndonjë arrestim tjetër të mundshëm.

“Çështja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është aktualisht në fazën paraprake. Konferenca e tretë për ecurinë e çështjes, që është seancë publike, u mbajt të martën dhe ka mbuluar çështje të lidhura me nxjerrjen e provave, statusin e hetimeve nga prokuroria dhe mbrojtja dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me përgatitjen e çështjes për gjykim”, ka thënë Griep, për “Bota sot”.

Tutje, Griep ka treguar se edhe zyrtarisht se më 22 janar është refuzuar kërkesa të katër të akuzuarve për lirim të përkohshëm.

“Më 22 janar 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i refuzoi kërkesat e të katër të akuzuarve për lirim të përkohshëm. Të katër të akuzuarit e kanë apeluar këtë vendim dhe është caktuar Paneli i Gjykatës së Apelit nga Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës më 4 shkurt 2021”, ka deklaruar ai.

Chris Bennett: ZPS-ja nuk diskuton akt-akuzat e mundshme në shtyp

Kurse, nga ana tjetër, zëdhënës i Gjykatës Speciale për Kosovën, Chris Bennett, në një përgjigje elektronike i ka thënë gazetës “Bota sot”, Zyra e Prokurorit Specialist po vazhdon edhe me tej ta zbatojë mandatin e dhënë.

Kurse, ka bërë me dije se nuk diskuton akt-akuzat e mundshme në shtyp

“ZPS-ja vazhdon të zbatojë mandatin e saj, por nuk diskuton akt-akuzat e mundshme në shtyp”, ka thënë shkurtimisht zëdhënës i Gjykatës Speciale për Kosovën, Chris Bennett.

Juristi: Zbardhja e rasteve është vonuar shumë , do të ketë edhe shumë arrestime tjera

Image
Blerim Burjani

E, juristi Blerim Burjani, konsideron se procesi me të arrestuarit e Gjykatës Speciale mund të zgjas deri në pesë vite.

Ai madje parashikon se do të ketë edhe shumë arrestime të tjera, ndërsa ka bërë me dije se e gjithë kjo do të varet nga Prokuroria e Speciales.

“Ky proces do të marrë më shumë se pesë vjet, do të ketë edhe shumë arrestime tjera. Tash kjo varet nga Prokuroria e Speciales, por bazuar në shumë probleme me lendet dhe akuzat është e pamundshme që vetëm këta persona paskan pas të gjitha përgjegjësitë që ka ndodhë, për të zbardhë atë periudhë është e pamundshme vetëm me këta të arrestuar, dhe që po zhvillohen seancat, fakte nuk ka fare ka thashetheme shumë, e me thashetheme nuk funksionon drejtësia”, është shprehur juristi Burjani.

Ndërsa, me tej ka theksuar se është vonuar shumë drejtësia në Kosovë në zbardhjen e rasteve dhe krimeve që kanë ndodhur ndër vite.

“Pra, këta edhe pas pesë vjetëve mund të shpallen jo fajtor, dhe jo përgjegjës, pra do të shpallen të pafajshëm pa marr parasysh sa zgjatin seancat. Zbardhja e rasteve është vonuar shumë që 20 vjet”, ka thënë ai.

Krasniqi: Do të ketë edhe arrestime, nuk është kompletuar aktakuza

Image
Islam Krasniqi

Kurse, edhe njohësi tjetër i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, për “Bota sot”, ka thënë se do të ketë edhe arrestime të tjera.

Ai mendon se ky është veçse fillimi, dhe se askush nuk e di epilogun së çka do të ndodhë me Gjykatën Speciale.

“Natyrisht së do të ketë edhe arrestime tjera lidhur me aktakuzën e Gjykatës Speciale, pasi që ky është vetëm fillimi dhe së prokurori i Gjykatës Speciale ka lenë të kuptohet së akoma nuk është ndërtuar aktakuza komplet, e që në një aktakuzë mund të akuzohen edhe 100 veta. Ky është vetëm fillimi, akoma se di askush epilogun së çka do të ndodhë më këtë tribunal çfarë fundi do të ketë, tribunal i cili është i republikës së Kosovës, por punon sikur të kishte themeluar shteti serb”, tha Krasniqi, për “Bota sot”.

Krejt në fund, Krasniqi ka theksuar se njëjtë sikurse drejtësia e UNMIK-ut dhe e EULEX-it, do të dështojë edhe Gjykata Speciale, pasi sipas tij, lufta çlirimtare ishte e drejtë dhe e pastër.

“Bashkësia Ndërkombëtare asnjëherë nuk ka ndarë drejtësi, asnjëherë nuk i ka interesuar e vërteta, e qysh në fillim të punës së këtij tribunali ju dolën pakot me dëshmitarë të mbrojtur për të treguar së sa i pa ndërgjegjshëm është ky tribul e që në mesin e tyre ka gjyqtar dhe prokuror të EULEX-it, të cilët janë kapur me afera korruptive dhe janë larguar nga misionet për të cilin kanë ardhur. Pra, ky tribunal do të dështojë siç ka dështuar Tribunali Hagës, drejtësia e UNMIK-ut, EULEX-it, e që në fund do të lirohen të gjithë të pafajshëm apo në mungesë të provave, pasi që të gjithë e dinë së lufta çlirimtare ishte e drejtë dhe e pastër”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat