Pasuesi i Mustafës, “mollë sherri” për LDK-në?

Politika

Pasuesi i Mustafës, “mollë sherri” për LDK-në?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 20 shkurt 2021 Në ora: 11:13
Isa Mustafa, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri

Zgjedhjet e 14 shkurtit i sollën disfatën më të madhe në zgjedhje Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas humbjes, Isa Mustafa dha dorëheqja nga posti i kryetarit të partisë, e me të u largua edhe kryesia e LDK-së.

Pas kësaj, janë shtuar zërat brenda kësaj partie se duhet të ketë reflektim për të mirën e LDK-së, në mënyrë që të ketë reformim të partisë.

Zyrtarët të LDK-së cilët po kërkojnë një gjë të tillë janë Adem Salihaj, Besa Gaxherri, Naser Rugova, e shumë të tjerë, të cilët janë shprehur që në krye të partisë të vije ndonjë nga figurat që ka pasur ndikim në gjithë këtë rënie të partisë.

Ish deputeti Salihaj ka akuzuar Mustafën se ka shkatërruar LDK-në dhe trashëgiminë rugoviane.

“Dorëheqja e Isa Mustafës tepër e vonuar, po e lë LDK-në të shkatërruar, të poshtëruar e të fyer jashtë mase. E arriti qëllimin e tij. Askush deri më tash nuk ka mundur ta shkatërrojë LDK-në dhe trashëgiminë rugoviane sa Isa Mustafa”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka treguar se cila do të jetë lufta brenda LDK-së pas dorëheqjes së Mustafës.

“Lufta jonë tash duhet të bëhet që të mos na e lërë trashëgimtar ndonjë të përkëdhelur të tij, i cili do ta vazhdonte veprën e tij të keqe”, ka shkruar ai në Facebook.

Të njëjtin mendim për dorëheqjen e Mustafës e ka edhe Besa Gaxherri.

Ajo ka sugjeruar që çështjet duhet të diskutohen brenda, pa servilizëm, pa improvizime, me maturi e transparencë e kur të kthehen në vendime, nga jashtë të jemi të unifikuar e të bashkuar.

“LDK, do të filloj një rrugëtim të ri, me njerëz qe e duan LDK-në dhe Kosovën, me njerëz të devotshëm qe janë të gatshëm të japin më të mirën nga vetja për të mirën e të gjithëve. Kjo është e mundur dhe këtë do ta bëjmë, ia kemi borxh Kosovës, themeluesve të LDK-së dhe gjeneratave që vinë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kurse, ish deputeti Naser Rugova ka treguar se çfarë po ndodh brenda LDK-së pas dorëheqjeve në LDK.

“Këto ditë, kryesia në dorëheqje po përpiqet ta imponojë kandidatin e vet për Kryetar të ardhshëm. D.m.th, përkundër katastrofës zgjedhore, akoma vazhdohet me idetë e klaneve dhe dallavereve. Kryetari i ri duhet të vijë vetëm nga baza dhe atë nëpërmes një gare vërtet demokratike, me shumë kandidatë dhe vetëm me votë të fshehtë”, ka shkruar Rugova në Facebook.

Njëjtë sikurse zyrtarët e LDK-së nuk shprehen analistët politik, ata mendojnë se brenda LDK-së mund të ketë pakënaqësi, por jo edhe përçarje.

Mehmeti: Nuk mund të këtë përçarje nëse i rikthehen votuesit

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë për gazetën “Bota sot” se një figurë e besuar nga elektorati, do bënte që të rikthehet përsëri LDK-ja e dikurshme.

“Tanimë s`ka asnjë dyshim, LDK duhet ta merr një figurë e respektuar dhe e besuar nga elektorati, por assesi nga ata që e kanë sjellë këtë parti në këtë gjendje. Arroganca ndaj elektoratit, injoromi që iu bë atyre nga kreu i partisë dhe një pjesë e madhe e kryesisë, janë arsye e debaklit që pësoi LDK. Por, kjo parti nuk mund të ngritët nga ata që e kanë sjellë në këtë gjendje, andaj një figurë e besuar nga elektorati do bënte që të rikthehet përsëri LDK-në e dikurshme”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, një figure e tillë do të ishte Osmani, për të cilën vlerëson se mund të kishte ndonjë pakënaqësi tek zyrtarët e tjerë të LDK-së.

“Mbase Vjosa Omsani do të ishte figura e vetme besoj që mund ta rikthejë besimin tek elektorati i zhgënjyer i kësaj partie. LDK mund ta sjellë dëshpërim te ndonjë nga ish zyrtarët e afërt me Isën, mirëpo e rikthen votuesin, kështu që nuk mund të këtë përçarje nëse i rikthehen votuesit”, ka cilësuar ai për “Bota sot”.

Në fund, ai tregon se çfarë efekti mund të këtë në këtë parti nëse do të kishte përçarje

“Mund të këtë përçarje, por që s`do kenë asnjë efekt negativ, përkundrazi mund të këtë efekt pozitiv, nëse largohen nga partia të gjithë ata që u treguan arrogantë ndaj qytetarëve”, ka përfunduar Mehmeti.

Duhanaj: Përgjegjësia nuk është e koncentruar vetëm te Mustafa

Image
Leon Duhanaj

Ndërkaq, analisti politik Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se LDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit doli të jetë partia me e sfiduar në vend.

“Në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK doli të jetë partia me e sfiduar në vend. Ajo humbi pothuaj se gjysmën e elektoratit të vetë. Shkaqet për ketë rënie sigurisht janë të shumta, megjithatë shkaku kryesor doli të jetë prishja e koalicionit të ashtuquajtur " koalicioni i shpresës", të cilin e kishin lidhur me VV-në. Tani, a nuk ishte hapi i duhur rrëzimi i Qeverisë, apo dështuan ta adresojnë mesazhin e drejtë tek shumica e qytetarëve, tani kjo mbetet enigmë, pasi që qytetarët ndëshkuan vetëm LDK-në”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Duhanaj ka thënë se për dështimin e LDK-së nuk bie përgjegjësi vetëm mbi Mustafën.

“Tani për ketë dështim, natyrisht që duhet të merren përgjegjësitë. Sipas mendimin tim përgjegjësia nuk është e koncentruar vetëm te Mustafa por me gjerë. Përgjegjësia e ndëshkimit, nuk është vetëm tek rrëzimi i qeverisë por është mbledhur me kohë edhe shumë me herët”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK-ja duhet të gjejë figurë e cila është e pranueshme dhe se nuk identifikohet me dështimet e vazhdueshme, për të cilën do të kishe unitet brenda partisë.

“Në ketë kontekst, LDK duhet të gjejë ndonjë figurë e cila është e pranueshme, përkatësisht nuk është e përfolur nga publiku, apo nuk identifikohet me dështimet e vazhdueshme. LDK, ka figura mjaftë, por ajo çfarë është me rëndësi, duhet të ketë unitet të plotë rreth emrit dhe natyrisht kandidati duhet të jetë sadopak i dëshmuar në LDK, pasi që nuk do të ishte normale që një figurë që pretendon ketë post, opsion të nesërmen ta kishte aderimin apo garimin në ndonjë subjekt tjetër, siç ishte rasti me znj. Osmani”, ka potencuar Duhanaj për “Bota sot”.

Bytyçi: Nuk mund të ketë përplasje brenda LDK-së

Image
Adem Bytyçi

Ndërkaq, opinionisti Adem Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, nuk beson që mund të ketë përplasje brenda LDK-së e cila mund të ishte e pa menaxhueshme.

“Nuk besoj të këtë edhe aq përplasje për tu mos u menaxhuar, për shkak se tani kjo parti gjendet buzë rrënimit! Për shkak të humbjes së zgjedhjeve Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dha dorëheqje nga Kryetari i partisë, me qëllim që në vend të tij të vije një bashkëpartiak tjetër. Sidoqoftë, supozohet se dorëheqja e Isa Mustafës është e vonuar, posi që kjo parti ka humbur shumë elektorat pas largimit apo përjashtimit nga kjo parti të Vjosa Osmanit një figurë shumë e respektuar në LDK”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi ka përmendur emrat e disa zyrtarëve të LDK-së për të cilët thuhet se mund të ishte njëri prej tyre udhëheqësi i partisë.

“Tani, pas dorëheqjes së Kryetarit partisë Isa Mustafës flitet se në krye të partisë, përkatësisht Kryetar partie, do të vije Lutfi Haziri, akademiku Shala apo Abdixhiuku. Jo vetëm pse LDK-ja, e ka një eksperiencë të hidhur nga udhëheqja e saj nga Akademik, por përveç kthimit në krye të kësaj partie të Vjosa Osmanit, as një individ tjetër nuk do të mund ta shpëtojë nga rrënimi i mëtutjeshëm këtë parti deri në zhbërje përfundimtare, kur do ta ketë të pa mundur kalimin e pragut zgjedhor në ndonjërën prej zgjedhjeve të ardhshme nacionale”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Bytyçi shprehet se nga LDK-ja duhet të largohen pesë zyrtarë të kësaj partie.

“Por për t'u kthyer përsëri në këtë parti Vjosa, nuk mjafton dorëheqja e vetëm Isa Mustafës, por edhe një 5 individë tjerë, nuk po ua përmendi emrat sepse kjo i takon Vjosës ta thotë nëse pranon të kthehet në këtë parti përsëri. Në të vërtetë, Vjosa nuk ka devijuar rrugën Rugoviane, nëse nuk veprohet sipas opsionin të cilin e paraqita unë, nuk do të jetë larg ditë kur edhe elektorati i mbetur i LDK-së, ekzistuese do t'i bashkohet Vjosa Osmanit”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat