AAK-ja në “rrugë” të Nismës

Politika

AAK-ja në “rrugë” të Nismës

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 21 shkurt 2021 Në ora: 12:42
Ramush Haradinaj

Zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën më 14 shkurt janë parë si “pastrim” i politikës vendore.

Shumë politikanë të cilët kanë zhvilluar karrierë politike në këto 21 vitet e pasluftës, nuk kanë arritur të sigurojnë votat për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e ardhshme.

Një rënie të madhe të votave ka pasur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, derisa lideri i saj synon prej kohësh postin e presidentit të Kosovës.

Kjo parti ka arritur t'i marrë rreth 58 mijë e 743 vota apo 7,43 %, për dallim nga zgjedhjet e vitit 2019, ku patën 96 mijë 883 vota apo 11.477 %.

Për vetëm një vit, kjo parti ka humbur mbi 41 mijë vota.

Përkundër, që kjo parti udhëheq disa komuna në gjithë Kosovë, ajo ka arritur të fitojë vetëm në dy sosh. Komunat të cilat i ka fituar AAK-ja janë Deçani dhe Juniku.

Humbja në këto zgjedhje është indikacion që kjo parti i ka humbur bastionet e saj.

Por, si pritet të jetë rezultati i kësaj partie, a do të ketë ngritje apo ulje të votave në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti, për këtë gazeta “Bota sot”, ka pyetur zyrtarët e kësaj partie, por nuk ka marrë një përgjigje të tillë.

Këtë çështje e kanë komentuar analistët politik, të cilët janë shprehur se zgjedhjet lokale dallojnë nga ato zyrtare. Ata theksojnë se nëse AAK-ja nuk bën reforma brenda partisë, mund të ketë fatin e Nismës Socialdemokrate, e cila në këto zgjedhje nuk e ka kaluar pragun zgjedhor.

Duhanaj: Elektorati ka lëvizur

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë qenë sui generis, në kuptimin e plotë të fjalës.

Image
Leon Duhanaj

“Zgjedhjet e 14 shkurtit kanë qenë sui generis, në kuptimin e plotë të fjalës. Qytetarët, të traumatizuar afër një vit me slogane e parulla nga më të ndryshmet, janë hutuar dhe si pasojë nuk kanë shikuar program por kanë votuar kuturu, pa asnjë analizë, veç duke thënë hajt se po ndryshojmë me shpresë që do të bëhet mirë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sa i përket AAK-së, Duhanaj ka deklaruar se nuk do ta ketë të lehtë, pasi që elektorati kur lëvizë njëherë,  mund edhe të mos kthehet.

“Natyrisht që ketë ua kanë bërë të lehtë të gjitha partitë, pasi që në dy dekada, kanë bërë gabime mjaftë. Tani zgjedhjet lokale janë në vjeshtë dhe deri atëherë, secili subjekt, por dhe AAK, mund të këndellen dhe ta mbrojnë votën e tyre,  megjithatë, nuk do të jetë e thjeshtë dhe e lehtë, pasi që elektorati, kur lëvizë njëherë,  mund edhe të mos kthehet”, ka vlerësuar Duhanaj.

Sipas tij, për dallim nga zgjedhjet qindore, ato lokale kanë një pasqyrë tjetër.

“Po besoj që zgjedhjet lokale do të kenë pasqyrë tjetër, por varet nga oferta dhe sjellja e partive në këtë periudhë deri në zgjedhje”, ka potencuar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

Hertica: AAK mund ta ketë fatin e Nismës

Ndërkaq, njohësi i rrethanave politike në vendin tonë Ali Hertica, ka hedhur kritika tek udhëheqësit e partive politike, duke shtuar se rezultati i zgjedhjeve të fundit nuk do të duhej që të merrej si një momentum i ri politik nga disa parti politike.

Image
Ali Hertica

“Jetojmë me të vërtetë në një kohë fatkeqësie mendore që ka pllakosur mbi debatin publik, ku jo thjesht vetëm një grusht udhëheqësish pa vizion, pa ide, pa asnjë urtësi intelektuale, por dhe pa pikën e zgjuarsisë natyrale dhe të edukatës elementare qytetare, në një aleancë partish njëra më e dështuar se tjetra, në sytë e shumicës së qytetarëve. Rezultati në këto zgjedhje  për disa parti politike nuk do të duhej që të merrej si një momentum i ri politik në Kosovë. Por, kur këtij momentumi i shtohen edhe problemet tjera të koalicionit qeverisës, posaçërisht problemeve me sigurimin e një shumice parlamentare të thjeshtë në kuvend për të kaluar ligje të tipit ‘rimëkëmbja ekonomike’, pastaj kriza rreth presidentit të ardhshëm, atëherë mbase shoqëria kosovare po jep shenja që zgjedhjet e reja janë imperativ socialë”, ka vlerësuar ai.

Më tej, Hertica ka thënë se AAK-ja mund të ketë fatin e Nismës, në qoftë se nuk reformohet.

“Ne zgjedhje e fundit AAK ka dalë me një rezultat jot e lakmueshëm vetëm me 7,43 që tregon së ky subjekt politik nëse nuk reformohet brenda saj do ketë fat të keq sikur NISMA, sepse iku koha e familjarizimit brenda subjekti dhe klaneve, tani subjektet duhet të kenë politika parësore me programe që ti bindin elektoratin e tyre me kandidat të qëlluar dhe të respektuar për qytetarinë”, ka thënë analisti.

Gjithashtu, ai ka vënë në theks se zgjedhjet lokale me ato qendrore ndryshojnë.

“Se shpejti do janë edhe zgjedhjet lokale por do ndryshojnë nga këto parlamentare për kohën sepse zgjedhjet lokale do kenë 30 ditë fushatë, ku mund t'i bindin qytetarët me programet e tyre realizuese për jetën më të mirë të qytetarit. Nëse çdo subjekt politik nuk bën reformë brenda saj dhe të largohet nga klanet brenda subjekti edhe AAK nuk do ta kalojë pragun nëse vazhdon me këtë politikë siç e ka që 21 vite, sepse qytetari është vetëdijesuar dhe pa kurrfarë dhimbje po i dënon politik bërësit mashtrues”, ka thënë ai.

Në fund, Hertica ka treguar se çfarë i shqetëson qytetarët.

 “Megjithatë, kjo nuk është se na shqetëson shumë, sepse ne gjykojmë se zgjedhjet nuk fitohen as me sistem, as me marrëveshje, as me kod, por me frymë politike, dhe ne po mundohemi të krijojmë frymën, të bëjmë një program dhe ta shpërndajmë, dhe për të pasur një fitore të madhe që të ndryshojmë shumë gjëra”, ka deklaruar Hertica për “Bota sot”.

Mehmeti: AAK-ja të fillojë spastrimin

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”,  ka thënë se është fryma e ndryshimeve dhe kjo në masë të madhe mund do të reflektohet edhe në zgjedhjet lokale.

Image
Faton Mehmeti

“Duhet kuptuar se zgjedhjet lokale dallojnë në masë të madhe nga ato qendrore. Edhe pse AAK ka fituar vetëm dy komuna, nëse ka kandidatë të duhur mund të fitojë më shumë në zgjedhjet lokale, edhe pse në masë të madhe është fryma e ndryshimeve, dhe e cila në masë të madhe do të reflektohet edhe në ato lokale. Edhe pse po them prapë, zgjedhjet lokale deri tani kanë qenë ndryshe nga ato lokale”, është shprehur ai.

Mehmeti ka treguar se çfarë duhet të merret parasysh nga AAK-ja.

“Marrim shembull komunën e Ferizajt ku udhëheq PDK-ja. Kjo parti nuk gëzon mbështetje tek qytetarët e Ferizajt dhe kjo u pa në zgjedhjet e 14 shkurtit ku VV fitoi 60 % të votave, mirëpo në ato lokale ka një kandidat të  pëlqyer nga masa, pa dallim partie. Andaj, të tillë mund të ketë, andaj një gjë e tillë duhet të merret parasysh AAK, dhe jo vetëm ajo, duhet që të fillojnë të spastrohen që tani dhe në zgjedhjet lokale të dalin me kandidatë më të besuar tek qytetarët, ndryshe do e pësojnë më keq se me 14 shkurt”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat