Analisti tregon prapavijën e përplasjeve Daka-Kurteshi

Politika

Analisti tregon prapavijën e përplasjeve Daka-Kurteshi

Nga: A.Morina Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 16:34
Valdete Daka dhe Sami Kurteshi

Përplasjet gjatë mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) janë bërë të zakonshme.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka me zyrtarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshin janë palët kryesore të cilët nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët komunikimi.

Madje, përplasjet e këtyre të fundit janë shpeshtuar dhe kanë shkuar deri në atë pikë, derisa kryetarja e KQZ-së, Daka ka lëshuar edhe mbledhjet, shkaku i përplasjeve verbale.

Analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar këto përplasje të vazhdueshme brenda KQZ-së, të cilat filluan para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

Duhanaj e vlerësoi lartë organizimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Nëse ndonjëherë, diçka ka pasur vazhdimisht të mirë organizuar dhe pa probleme, atëherë kanë qenë proceset zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Dhe nëse ndonjëherë ka pasur rezerva apo përpjekje për të shfaqur pakënaqësi rreth këtyre proceseve, qoftë edhe artificialisht, atëherë ka qenë LVV-ja”, deklaroi Duhanaj.

Analisti sulmet ndaj Dakës i cilësoi si të qëllimshme nga ana e zyrtarit të LVV-së, Sami Kurteshi, madje ai tha se pas këtyre ka disa prapavija tjera.

“Kjo parti politike, asnjëherë dhe asnjë vendim institucional, nuk e pranon si të tillë nëse nuk është në përputhje me agjendat dhe interesat e tyre. Edhe përgjatë këtij procesi, që nga fillimi ka pasur një qasje destruktive dhe agresive e përfaqësuesve të VV-së karshi znj. Valdete Daka. Tani edhe pse i kanë fituar zgjedhjet, presioni akoma vazhdon dhe, jam i bindur se ky presion bëhet me një prapavijë tjetër”, theksoi Duhanaj.

Në fund, ai supozoj që Vetëvendosje po bën përpjekje që ta shkarkojnë Valdete Dakën për ta emëruar ndonjë përkrahës të VV-së në këtë pozitë. Duhanaj tha se ky është vetëm një mendim i tij, pasi VV ende nuk ka formuar qeverinë.

“Kësaj radhe, duke qenë fitues gati absolut të zgjedhjeve, do të bëjnë përpjekje që në emër të "ç 'kapjes" se institucioneve, përkatësisht KQZ-së, ta shkarkojnë znj. Daka për ta emëruar ndonjë përkrahës të VV-së në këtë pozitë, pra për ta kapur vërtetë.

Natyrisht që ky qëndrim është supozim. Pasi që akoma nuk janë në krye të qeverisjes, por duke ua njohur mentalitetin dhe mënyrën e qasjes operuese, nuk do të ishte aspak i befasishëm një vendim për ta shkarkuar znj. Daka dhe për ta zëvendësuar me ndonjë qytetarë të "ndershëm" sipas kritereve të VV-së, megjithatë kjo mbetet të shihet, por mënyra e tillë e veprimit politik, lë shumë për të dëshiruar”, përfundoi Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat