Befason analisti: Ky është problemi më i madh me të cilin po përballet LDK-ja

Politika

Befason analisti: Ky është problemi më i madh me të cilin po përballet LDK-ja

Nga: A.Morina Më: 8 mars 2021 Në ora: 23:12
Foto ilustrim

Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri kanë shpallur zyrtarisht kandidaturat për postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike (LDK). Derisa, zgjedhjet e brendshme në LDK priten të mbahen më 14 mars.

Këto zgjedhje, po mbahen pas dështimit në zgjedhjet parlamentare, ku LDK pësoi humbjen më të madhe në historinë e saj.

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar kandidaturat e Lumir Abdixhikut dhe Lutfi Hazirit për kryetar të Lidhjes Demokratike.

Duhanaj u shpreh se LDK ka pasur probleme me menaxhimin e fraksioneve brenda subjektit. Derisa, shtoi se këtë problem LDK nuk e ka pasur në kohën e Ibrahim Rugovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, për mendimin tim asnjëherë nuk e ka pasur problem për kuadro. Problemi i tyre qëndron te fakti se nuk kanë arritur t'i menaxhojnë si duhet fraksionet brenda subjektit dhe se akterë relevant brenda këtij subjekti në periudha të ndryshme nuk janë dëshmuar konsistent në lojalitetin e tyre karshi partisë si dhe edhe pasi që kalojnë në një subjekt tjetër, vazhdojnë të zhvillojnë ndikim negativ brenda subjektit. Sa ka qenë Rugova gjallë, satelit të tillë, nuk i ka përfillur askush, as strukturat dhe as elektorati, derisa tani nuk ka diçka që i rehabiliton”, deklaroi Duhanaj.

Në vazhdim, analisti tha se LDK gjendet para një udhëkryqi të madh, të cilin nëse nuk arrin ta menaxhojë siç duhet do të ketë pasoja fatale.

“Tani LDK gjendet para një udhëkryqi të madh, të cilin nëse nuk arrinë ta menaxhojë siç duhet, do të ketë pasoja të mëdha, ndoshta edhe fatale për të ardhmen e saj. Gara me kandidatura, për mendimin tim është një rrugë e mirë dhe sa me shumë që zyrtarizohen, aq me demokratike dhe me e pranueshme mund të bëhet gara”, theksoi Duhanaj,

Në fund, ai tha se nuk është me rëndësi personi që bëhet kryetar, mirëpo mënyra e të zgjedhjes së tij dhe pranimi i rezultateve nga të gjithë pjesëmarrësit.

“Me rëndësi të veçantë do të jetë konsensusi për mënyrën e të zgjedhurit dhe pranimi i rezultateve cilat do qofshin ato. Nëse ketë e arrijnë, nuk do jetë shumë me rëndësi se cili emër i prinë, sa mënyra se si dhe me kënd, sepse nuk është individi që e bën partinë, por partia individin. Nëse për partinë, është i pranuar pa ekuivok, atëherë do të pranohet edhe nga masat”, përfundoi Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat