“Realizimi i kësaj detyre i hap rrugë liberalizimit”, ja sa vota janë siguruar për Albin Kurtin kryeministër

Politika

“Realizimi i kësaj detyre i hap rrugë liberalizimit”, ja sa vota janë siguruar për Albin Kurtin kryeministër

Nga: P.R Më: 15 mars 2021 Në ora: 20:48
Albin Kurti

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, ka caktuar për datën 22 mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

E lidhur me krijimin e institucioneve të reja, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë dhe tashmë emrat e deputetëve që marrin mandatin njihen. Tashmë iu hap rruga krijimit të institucioneve të reja dhe fillimit të punës për të realizuar në praktikë programin elektoral të fituesve. Vetëvendosja mori mbi 50 përqind të votave, por nuk mundi që të ketë shumicën absolute në parlament. Megjithatë tetë nga dhjetë deputetët e minoriteteve jo serbe, si dhe Behxhet Pacolli do ta mbështesin krijimin e këtyre institucioneve, përfshirë dhe qeverisë Kurti 2”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Supas tij, fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës së Vjosa Osmanit, kësaj radhe ka krijuar bazament të qëndrueshëm për funksionimin normal të shtetit të Kosovës.

“Për herë të parë në disa vite koalicioni qeverisës nuk ndikohet e aq më pak të diktohet nga Lista Srpska. Për herë të parë vijnë në pushtet njerëz të rinj, politikanë, të cilët i janë kundërvënë me forcë në opozitë pushtetarëve të kaluar, të cilët jo vetëm nuk ndërtuan institucione të qëndrueshme e kompakte, por gjithashtu u zhytën në korrupsion të thellë, duke dëmtuar imazhin e vendit”, thekson Bytyçi.

Më tej, Bytyçi shton se tashmë janë 67 vota të sigurta për Albin Kurtin kryeministër.

“Nga deklarimet e partive opozitare, si dhe nga ajo çfarë kërkoi diplomati amerikan, Palmer, duket qartë se të tri këto parti do të mbajnë qëndrime konstruktive dhe këto institucione do të krijohen shpejt. E kam thënë dhe herë të tjera, se nuk guxon ndonjëra prej partive opozitare të bojkotojë zgjedhjen e presidentit. Ndërsa për kryeministrin janë tashmë 67 vota të sigurta. Nga komuniteti serb nuk ka ende një qëndrim të publikuar. Duket se Lista Srpska është vënë në vështirësi. Nëse deklarohet kundër institucioneve, atëherë mund të dëmtojë raportet e Beogradit, nga I cili udhëzohet, me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të. Nëse deklarohet pro procesit dhe për qëndrime konstruktive, atëherë do të dalë jashtë premtimeve që I ka bërë komunitetit serb për “mosnjohje të institucioneve” të vendit”, thekson Bytyçi.

“E sigurt është se me ose pa Listën Srpska qeveria do të krijohet dhe presidenti do të zgjidhet. Emrat e tyre tashmë dihen, sepse janë produkt i rezultatit të thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit të kaluar. Ata janë askush tjetër, përveç Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Unë pres që ky proces të përfundojë shumë shpejt”.

Por cilat duhet të jenë objektivat kryesor të Albin Kurtit si kryeministër?

“Por opinionin publik nuk është njohur deri tani me ndonjë program të mirëfilltë qeverisjeje. Dihen objektivat dhe prioritetet e qeverisjes, por nuk dihen detajet. Dua të besoj se është punuar gjatë këtij muaji, pas zgjedhjeve për programin e qeverisë, sepse është e ditur që në mbrëmjen e 14 shkurtit se Vetëvendosje dhe Lista Vjosa do ta krijojnë qeverinë e re. Kanë mbetur më pak se dy javë nga dita kur qeveria do të votohet në parlament dhe atë ditë është mirë të paraqitet edhe programi i qeverisë Në optikën time programi duhet të fokusohet te reforma në drejtësi, por duke mos përsëritur gabimet e Shqipërisë. Nëse kjo reformë realizohet shpejt dhe mirë, atëherë qeverisja e re do ta mbajë premtimin për luftën kundër korrupsionit dhe lidhjeve të politikës me krimin. Nuk duhet harruar se votat e shqiptarëve për qeverisjen e re kishin si motiv luftën kundër korrupsionit. Kjo nënkupton se qytetarët kanë një pritshmëri të lartë për këtë. Ky është dhe duhet të jetë prioriteti kryesor i qeverisë dhe institucioneve të reja. Realizimi i kësaj detyre i hap rrugën jo vetëm liberalizimit të vizave me vendet Shengen, por edhe për integrimin në Bashkimin Evropian”, deklaron profesor Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se Qeveritë e kaluara kanë dështuar në luftën kundër korrupsionit.

“Nëse kthehemi të shohim opinionin e qarqeve të ndryshme dhe opinionit në Perëndim, duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se qeveritë e kaluara nuk e kapërcyen perceptimin se “Qeverisja e Kosovës është një qeverisje mafioze”. Nuk e kam fjalën se nuk u kundërshtuan këto pohime në median dhe qarqet evropiane. Por nuk u bë asgjë praktikisht në luftën kundër korrupsionit. Ndërkaq kjo drejtësi e kapur nga politika e vjetër, nuk është e aftë të realizojë detyrimin kushtetues dhe ligjor që të ndëshkojë politikanët e korruptuar dhe inkriminuar. Të tillë ka ende sot në ndonjë parti politike, sidomos në Partinë Demokratike”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat