Ekonomia e vendit në 'dorën' e zgjedhjes së presidentit

Politika

Ekonomia e vendit në 'dorën' e zgjedhjes së presidentit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 prill 2021 Në ora: 16:32
Foto ilustrim

Mungesa e bashkëpunimit të opozitës me qeverinë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, rrezikon ta dërgojë vendin në kriza tjera, përveç asaj politike.

Pasi në mungesën të kuorumit gjatë ditës së djeshme, dështoi seanca për zgjedhjen e Vjosa Osmanit president.

Përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, partitë e tjera opozitare po refuzojnë të ofrojnë stabilitet politik, përmes zgjidhjes së presidentit, me ç'rast po rrezikohet të mbahen edhe një palë zgjedhje të reja parlamentare.

Dihet se vendi po përballet me një situatë të rënduar pandemike, ku dhjetëra qytetarë po infektohen dhe po vdesin brenda ditës në vend.

Në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja, atëherë përveç shëndetit të qytetarëve, vendi do të rrezikohet seriozisht nga një krizë ekonomike e rëndë dhe vështirë e përballueshme.

Kjo pasi dihet se kostoja për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare do të kushtonte miliona euro dhe do të ‘godiste rëndë ekonominë e vendit.

Shkalla e zhvillimit në kohë pandemia ka qenë tepër e ulët, ndërkohë që shumë kapacitete ekonomike, nuk janë më në funksionin që kanë qenë dikur.

Rreth 23.5 milionë euro i ka kushtuar buxhetit të Kosovës organizimi i pesë cikleve të zgjedhjeve parlamentare në 11 vjetët e fundit, duke përfshirë edhe zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në Kosovë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare u mbajtën në vitin 2010, 2014, 2017, 2019 dhe 2021.

Për këtë arsye, njohësit e çështjeve ekonomike u kanë bërë thirrje deputetëve dhe Qeverisë së Kosovës të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të zgjedhin presidentin, në mënyrë që të shmangen krizat e reja ekonomike dhe pandemike.

Agim Shahini: Ekonomia e vendit e rënduar nga politika dhe pandemia

Image
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se ekonomia e vendit është duke u rrezikuar seriozisht nga pandemia Covid-19 dhe nga mungesa e një vizioni politik për të dalë nga kriza.

“Ekonomia e vendit po rrezikohet nga pandemia shëndetësore dhe nga politik bërja e pamjaftueshme për të dalë nga kriza dhe pa vizion se si të dalim nga kriza. Ne jemi duke u rrezikuar që ekonomia të goditet edhe shumë më thellë dhe atëherë të futemi në një krizë ekonomike që do e rëndonte edhe më shumë krizën shëndetësore. E cila është si pasojë e zgjedhjeve dhe fushatës zgjedhore, ku kishte grumbullim të njerëzve me qindra, mijëra duke mos e respektuar asnjë parti manualin Covid-19, që kishte dal pikërisht nga institucionet shtetërore”, ka deklaruar ai.

Sa i përket zgjedhjeve të reja, Shahini ka thënë se kjo çështje bie mbi barrën e deputetëve të Kuvendit, të cilët kanë përgjegjësi për stabilitetin e institucioneve.

Megjithatë, ai beson se sot do të zgjidhet presidenti dhe nuk do të ketë nevojë për një gjë të tillë.

“Se a po rrezikojmë të shkojmë në zgjedhje apo jo, mendoj se kjo çështje i përket deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët kanë përgjegjësi që të mbajnë institucionet stabile dhe mendoj që çështja e presidentit do të zgjidhet brenda ditës së sotme”, ka theksuar i kryetari i AKB-së.

Gjëja më e rëndësishme për Shahinin dhe Aleancën Kosovare të Biznesit, është nëse pas zgjedhjes së presidentit dhe formimit të plotë të institucioneve a do të ketë politikëbërje racionale.

“Por, ajo çka është më e rëndësishme, është se çka pasi të zgjidhet presidenti dhe të i kemi institucionet, a do të kemi politikë bërje racionale për zhvillim ekonomik të vendit. Kjo është temë interesante të cilën ne (AKB) e inkurajojmë qeverinë e vendit që të krijoj partneritet të qëndrueshëm, për të krijuar mundësi për zhvillim ekonomik të vendit, duke lënë të gjitha“, ka potencuar ai.

Në fund, Agim Shahini bën apel te të gjitha subjektet politike që të merren më shumë me problemet ekonomike, shëndetësore, arsimore, etj.

Ai ka thënë se sektori ekonomik ka degraduar shkaku i mungesës së harmonizimit të politikave me kërkesat të cilat i ka sektori privat.

“Ne ju bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe qeverisë së Kosovës, që t’i lënë manovrat politike për një kohë tjetër . Tash duhet të merren me problemet ekonomike, shëndetësore, arsimore, edukative për të cilat janë grumbulluar. Tani është duke degraduar çdo sektor ekonomik dhe zhvillimor për shkak të politikave të cilat nuk janë në harmonizim me kërkesat e kohës, me kërkesat të cilat i ka sektori privat. Deputetët dhe politikanët tonë duhet ta kuptojnë krizën dhe të merren me krizën ekonomike e cila e ka goditur thellë vendin tonë”, ka përfunduar kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

Kadriaj: Zgjedhjet e reja të panevojshme, mund ta rëndojnë seriozisht gjendjen ekonomike dhe pandemike

Image
Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj ka folur për gazetën “Bota sot”, ka folur për rrezikun e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Kadrijaj tha se disa ditë më parë Vetëvendosje, përmes ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje tentoi të gjejë arsye për të shkuar në zgjedhje.

“Për dallim të mazhornacave të tjera të cilat kanë tentuar që të jetësojnë qeverisjen e tyre, Lëvizja Vetëvendosje përkundër shumicës së numrave tenton që të gjejë shkas për të shkuar në zgjedhje, duke luajtur viktimën duke tentuar që të rrit mbështetjen te qytetari”, ka deklaruar Kadriaj.

Tutje, ai tha se Kurti është përgjegjës për gjetjen e një zgjidhje për presidentin dhe eliminimin e zgjedhjeve të reja.

“Por nëse tani në këtë kohë Lëvizja Vetëvendosje e dërgon vendin në zgjedhje, përgjegjësia mbetet te Kurt,i për faktin se me këto veprime z.Kurti po injoron mbështetjen që i ka dhënë qytetari në zgjedhjet e fundit”, ka nënvizuar ai.

Në fund, Kadriaj ka thënë se nëse nuk gjendet një gjuhë bashkëpunuese mes opozitës dhe qeverisë, atëherë vendi rrezikohet seriozisht nga kriza ekonomike dhe pandemike.

“Pra, në vend që të ketë plan qeverisës dhe të jetë bashkëpunues me opozitën duke menaxhuar pandeminë, përkrahjen e bizneseve dhe qytetarëve të stërlodhur si dhe të bëjë platformë për bisedime se si t’iu qaset bisedimeve natyrisht me të gjithë spektrin politik, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministri i vendit bënë akrobacione politike që më së paku Kosova ka nevojë si rezultat i gjendjes së rënduar ekonomike nga pandemia”, ka përfunduar Mustafë Kadriaj për "Bota sot".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat