“Të akuzuar për vrasjen e shqiptarëve”, vjen akuza e fortë: Ky është skandali i radhës në Kosovë për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin

Politika

“Të akuzuar për vrasjen e shqiptarëve”, vjen akuza e fortë: Ky është skandali i radhës në Kosovë për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin

Nga: P.R Më: 8 prill 2021 Në ora: 20:54
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që nga 5 nëntori i vitit të kaluar gjenden të burgosur në Hagë, ku nga Gjykata Speciale ndër tjerash akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, gjegjësisht anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E tashmë kur ka nisur procesi i tyre në Hagë, Ministria e Drejtësisë ka aprovuar kërkesat për katër avokatët mbrojtës të të akuzuarve në Gjykatën Speciale, dhe ka kryer pagesat për ta në vlerë prej 464,600.00 euro.

“Mbulimi i shpenzimeve për mbrojtje juridike dhe financiare bëhet sipas legjislacionit përkatës në fuqi dhe që këto të drejta janë të aplikueshme ndaj të gjithë personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara, pa marrë parasysh se kush është subjekt i procedurës pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në një përgjigje nga zyra për media e Ministrisë së Drejtësisë.

Por këtë vendim e quan skandaloz analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

“Qeveri hipokrite, politikë hipokrite, shou i madh skandaloz, një shaka e rëndë. Hashim Thaçi me shokë është në Gjykatën Speciale i akuzuar veç të tjerash për vrasje shqiptaresh të Kosovës, në bazë edhe të akuzave publike që ia kanë bërë aktorët e sotëm të politikës në Kosovë dhe tani na del shteti i Kosovës dhe paguan avokatët mbrojtës të Thaçit me shokë”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

Sipas tij, vendimi i sotëm është fyerje për viktimat e vrasjeve politike dhe tallje me familjarët e tyre.

“Kjo është të rivrasësh përsëri si qeveri, si shtet, si parlament ata njerëz ata shqiptarë që mendohet se janë vrarë nga Thaçi me shokë sipas akuzave të përfolura ose nga urdhrat e Thaçit e shokëve të tij. Ky veç të tjerave, veç rivrasje e të vrarëve, është tallje e poshtërim i të vrarëve se shteti i Kosovës, qytetari i Kosovës me taksat e tij po paguan mbrojtjen e atyre njerëzve të akuzuar për vrasje të bijve të Kosovës. Njëra duhet të jetë e pavërtetë, njëra është krim, ose vrasja e bijve të Kosovës nga të akuzuarit, ose mbrojtja e të akuzuarve”, është shpeheru publicisti, Rexhep Shahu.

Ai shton se nëse Hashim Thaçi dhe të tjerët janë të pafajshëm, atëherë nuk ka gjykatë në botë që e dënon.

“Pagesa për mbrojtjen e të akuzuarve është non sens, është tallje me shoqërinë e Kosovës. Nëse të akuzuarit kanë bërë krime, nëse vërtetohet se kanë bërë krime, pse duhet të paguajë populli i Kosovës për krimet e tyre. Nëse ata dalin të pafajshëm, Gjykata u jep pafajësi e bashkë me pafajësinë u jep edhe dëmshpërblimin moral e financiar për dëmin që u është bërë. Pse duhet fëmijët e Kosovës të paguajnë sot për të mbrojte Hashim Thaçin me grupin e tij që është në gjyq. Nëse Hashim Thaçi është i pafajshëm nuk ka gjykatë në botë që e dënon. Nëse është i fajshëm, pse nuk duhet të vuajë dënimin, pse duhet ta paguajë pafajësinë, pse duhet ta blejë pafajësinë, pse duhet fëmijët e Kosovës të paguajnë për të blerë pafajësinë e Hashim Thaçit e shokëve të tij”, ka deklaruar Shahu.

“Nëse është i pafajshëm nuk dënohet, nëse del i fajshëm të vuajë dënimin, nëse e blen pafajësinë populli nuk do t’i besojë kurrë se është jo i pafajshëm dhe do të jetojnë si vrasës të lirë që e kanë blerë pafajësinë por qe nuk janë të pafajshëm”.

Për fund, Shahu ka thënë se në Gjykatën Speciale nuk është duke u gjykuar Kosova dhe lufta e UÇK-së, por janë duke u gjykuar individët të cilët kanë kryer krime.

“As Hashimi e asnjë nga ata që janë në gjyq nuk janë në gjyq për Kosovën, janë për vetën e tyre, nuk është në gjyq Kosova, as UÇK, as liria as pavarësia, janë në gjyq ata që akuzohen individualisht dhe të përgjigjen individualisht, nëse janë me faj dënohen individualisht, nëse janë pa faj lirohen individualisht. Qytetari i Kosovës nuk ka pse varfërohet as pse poshtërohet që të paguaje për të akuzuar për krime, për ata të akuzuar. Dhe qeveria Kurti, e vet Kurti që nuk ka lënë të zezë pa thënë kundër Thaçit, mos të paguajë për mbrojtjen e Thaçit me paratë e qytetarëve të Kosovës, të paguajë Albini nëse don ta ndihmojë Thaçin, nga rroga e tij”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat