Ftesa nga Borrell, Mehazi ka një porosi për kryeministrin Kurti

Politika

Ftesa nga Borrell, Mehazi ka një porosi për kryeministrin Kurti

Nga: A.Z Më: 9 prill 2021 Në ora: 21:10
Albin Kurti dhe Josep Borrell

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Peter Stano, ka thënë se pas konstituimit të institucioneve, Kosova tani mund të fokusohet qartë në procesin e reformave dhe dialogut me Serbinë.

Stano ka thënë se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell, po pret që të takojë presidenten Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti së shpejti, pa dhënë detaje të tjera.

“Shefi i politikës së jashtme të BE-së u ka dërguar urimet e tij liderëve të sapo zgjedhur, presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti dhe po pret që t’i takojë së shpejti. Kosova tani vendosmërisht mund të përqendrohet përpara në punë të rëndësishme, përfshirë çuarjen përpara të reformave të ndërlidhura me BE-në dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.

Lidhur me këtë njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e Stanos është për t’u përshëndetur, së pari që ka uruar Kurtin, e më pas që kërkon pritjen e takimit të Kurtit dhe Osmanit me Joseph Borell.

Por, sipas Mehazit, nga paralajmërimet e qeverisë, dialogu është sekondar, sepse prioritet primar qeveria ka çështjet e brendshme politike, sociale dhe ekonomike.

“Është për t'u përshëndetur Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, i cili ka uruar Albin Kurtin për formimin e qeverisë se re të Kosovës, njëkohësisht, kërkon pritjen dhe takimin e parë të Kurtit e Vjosa Osmanit me misionarin e BE-së për dialogun me Serbinë, Joseph Borrell. Takimi, Kurti-Borrell, i paralajmëruar nga zëdhënësi, Stano, pa përcaktuar datën e takimit se sa do të jetë serioz e me çfarë tendence, do të shihet në të ardhmen. Në anën tjetër, paralajmërimet qeverisëse të Kurtit vijnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk është për qeverinë e Kosovës prioritet primar, por sekondar para çështjeve të brendshme politike, sociale ekonomike, korruptive e juridike të Republikës së Kosovës. Agjenda kryesore e qeverisë së Kosovës është stabiliteti politik, social, ekonomik e diplomatik e tek më vonë dialogu me Serbinë”, deklaroi Mehazi.

Më tej, ai theksoi se deklarata e Peter Stano, ka për qëllim që në plan të parë të jetë dialogu me Serbinë.

Por, sipas tij, qeveria e Kurtit nuk duhet të pranojë takime me misionerë të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, sepse delegacioni në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jetë përballë këtyre shteteve.

“Deklarata e Zëdhënësit të BE-së, Stano, "se Joseph Borrell, po pret që të takojë presidenten Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti së shpejti" e ka kuptimin e kushtëzimeve ndaj qeverisë së Kurtit e ndaj presidentes Vjosa Osmanit për të futur në plan të parë dialogun me Serbinë e jo në plan të tretë e të katër. Qeveria e Kurtit nuk duhet të pranojë takime të tilla dialogjesh me Serbinë me misionarë të ardhur nga shtetet që s’e kanë njohur Kosovën sikurse që janë Lajçak nga Sllovakia dhe Borrell nga Spanja. Kjo pasi ky dialog nuk është i barabartë, për shkak se dialogu i delegacionit të Kosovës me Serbinë do të jetë i vetmuar përballë tre shteteve, Sllovaki, Spanjë e Serbi që nuk e njohin Kosoven. Në këtë rast duket sikur Peter Stano më shumë bëhet zëdhenës i Serbisë sesa i BE-së”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat