Opozita ka mbetur pa kauzë e agjendë, këto janë arsyet e kritikave ndaj kryeministrit Kurtit

Politika

Opozita ka mbetur pa kauzë e agjendë, këto janë arsyet e kritikave ndaj kryeministrit Kurtit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 13 prill 2021 Në ora: 20:30
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka një javë që ka vendosur masa të reja për parandalimin e virusit Covid-19.

E pas vendosjes së tyre, vetëm gjatë vikendit nga Kosova për në Shqipëri kanë shkruar mbi 48 mijë qytetarë.

Sipas të dhënave, mbi 48 mijë qytetarë nga Kosova kanë vizatuar Shqipërinë vetëm të premten, të shtunën dhe të dielën. Vetëm të dielën në hyrje dhe daljet e pikave kufitare Kosovë-Shqipëri janë kontrolluar 47 mijë e 83 persona.

Kritika ka pasur edhe në drejtim të Qeverisë Kurti dhe kryeministrit Albin Kurti, i cili gjatë vikendit ishte në Shqipëri për të mbështetur kandidatë të VV-së, të cilët garojnë në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.

Analistët vlerësojnë se kritikat po bëhen nga opozita, e cila ka mbetur pa kauzë dhe po bëhen si pasojë e humbjeve të thella në zgjedhjet e fundit.

Mehazi: Qeveria e Kurtit nuk është fajtore për rritjen e numrit të infektuarve, po ata që nuk po respektojnë masat

Lidhur me këtë, profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se ndaj këtij virusi po tregohemi shumë të pakujdesshëm.

Sipas tij, shkuarja në Shqipëri gjatë vikendit po çmohet më shumë sesa jeta jonë së bashku me të afërmit e shtëpisë.

Image
Sulejman Mehazi

“Sa të pa marrë vesh, sa shkel e shko e sa të pakujdesshëm jemi ndaj këtij virusi modern që ka kapluar botën, kjo vërehet gjatë vikendeve në Kosovë, çdo orë e ditë mjekët e qeveritarët apelojnë që t'i ikin këtij virusi duke u izoluar nëpër shtëpitë tona, në anën tjetër 48 mijë qytetarë të Kosovës as që dëgjojnë e as duan të dinë për masat anti-covid të marra nga Qeveria e Kosovës. Shkuarja e mijëra qytetarëve në Shqipëri është punë epshi, ushqimi, kafja apo makiato që e pinë, gjatë vikendeve në Shqipëri, çmohet më shumë se sa jeta jonë së bashku me të afërmit e shtëpisë. Se për shkak ahengjeve të bëra në Shqipëri do sëmuren edhe të tjerët fare gajle s'kanë. Për qytetarët e papërgjegjshëm dëshirat janë më të rëndësishme sesa shëndeti i tyre e i ynë”, është shprehur Mehazi.

Më tej, ai thotë se nga ky virus që ka kapluar gjithë botën, mënyra e vetme për të shpëtuar është izolimi dhe respektimi i masave.

“Këtij virusi të çmendur nuk mund t'i ikim duke dalë jashtë shtëpie e kufiri, po duke u izoluar sa më shumë, vetëm qytetarët e mençurit e kuptojnë se flakja e këtij gripi të keq largohet vetëm duke u izoluar e larguar nga njerëzit tjerë. Vetëm me izolim të vullnetshëm e me vetëdije të lartë shmanget Covid-19, e kurrsesi ndryshe. Ky izolim, më shumë u konvenon të urtëve e të mençurve të cilët vullnetshëm e me ditë të tëra mbyllen në vetmi për t'u larguar përkohësisht nga kjo botë e stresuar, e epshur dhe e ligësuar me shumë dëshira e lakmi të pista që dëmtojnë jo vetëm trupin, por edhe mendjen, zemrën e shpirtin njerëzor. Armike e pandemisë është asketizmi mistik që do largojë koronavirusin, vetëm me karantinosje shpirtërore qytetarët mund të largojnë këtë gjëmë të madhe që ka kapluar botën njerëzore”, ka vlerësuar ai.

Në fund, ai shprehet se qeveria Kurti nuk është fajtore për rritjen e numrit te infektuarve dhe vdekjeve, po janë ata që nuk respektojnë masat e marra të qeverisë.

“Nuk është qeveria e Kurtit fajtore për rritjen e numrit te infektuarve dhe vdekjeve, po janë ata që gjatë vikendeve largohen e nuk respektojnë masat e marra të qeverisë për karantinosjen e qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Lepaja: Opozita kanë mbetur pa kauzë dhe pa agjendë

Edhe analisti politik Fadil Lepaja për gjithë këto kritika lë fajtore opozitën që sipas tij, ka mbetur pa agjendë dhe pa kauzë.

Image
Fadil Lepaja

“Opozita ka mbetur pa kauzë dhe pa agjendë. Kundërshtimi dhe distancimi prej qeverisë sidomos për LDK-në, mbetet motor i rimëkëmbjes së tyre. Kritikat kundër angazhimit regjional të z. Kurti e diferencojnë presidenten prej qeverisë dhe sa më i madh të bëhet ky dallim, aq më afër e kemi LDK me presidenten dhe grupin e deputetëve nga lista "Guxo". Sidoqoftë unë mendoj se kritika antiqeveritare vazhdon të mbetet e pa artikuluar ende dhe kjo ndodhë për shkak të heshtjes së qeverisë dhe hapave të pritshëm të saj që pritet të prekin interesat e grupeve dhe individëve të opozitës”, deklaron Lepaja për “Bota sot”.

Bytyçi: Kritikat nga Qeverisë Kurti, janë të motivuara politikisht

Kurse, analisti Adem Bytyçi për “Bota sot”, ka thënë se masat të cilat janë marrë nga Qeveria Kurti duhet të respektohen, me qëllim të reduktimit të numrit të infektimeve të qytetarëve nga Covid-19.

Image
Adem Bytyçi

“Po të respektoheshin masat e kufizimi i qarkullimit të qeverisë aktuale, nuk do duhej që aq shumë qytetarë të Kosovës, në fundjavë të vërshonin Shqipërinë. Qeveria Kurti, masat e izolimit i ka ndërmarrë me qëllim reduktimit të numrit të infektimeve të qytetarëve nga Covid-19, dhe jo për ndonjë qëllim tjetër”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, të gjitha kritikat që vijnë në drejtim të Qeverisë Kurti, janë të motivuara politikisht nga partitë opozitare si pasojë e humbjeve të thella të zgjedhjeve të fundit të parakohshme.

“Kritikat ndaj Qeverisë Kurti dhe ndaj vetë Kryeministri Kurti, janë të motivuara politikisht nga partitë opozitare si pasojë e humbjeve të thella të zgjedhjeve të fundit të parakohshme. Të kritikohet një Qeveri, që ndërmerr masa për të mbrojtur jetën e qytetarëve të saj nga një pandemi vdekjeprurëse nuk ka asnjë kuptim tjetër përveçse urrejtje për motive politike”, ka deklaruar Adem Bytyçi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat