Sinjale për njohje nga Greqia, Gërvalla t’ia kërkojë këtë Athinës

Politika

Sinjale për njohje nga Greqia, Gërvalla t’ia kërkojë këtë Athinës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 prill 2021 Në ora: 08:34
Donika Gërvalla, foto ilustrim nga "Bota sot"

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë.

Përveç Greqisë, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur as shtetet anëtare të BE-së: Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Spanja.

Mirëpo, së fundi nga Greqia ka ardhur ftesa për një vizitë atje për Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ndonëse ky shtet deri tash ka mbajtur qëndrimin të pandryshuar për mos njohjen e Kosovës.

Ftesa ka ardhur nga ambasadorja Chryssoula Aliferi, udhëheqëse e Zyrës ndërlidhëse të Athinës në Prishtinë.

Ajo gjithashtu ka shprehur mbështetjen për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe në rrugën e saj evropiane.

Me këtë, sa ka shpresa që Greqia të mund ta njoh pavarësinë e Kosovës?

Analistët flasin për këtë dhe pritjet nga vizita e Gërvallës në Greqi.

Blakaj: Njohja nga Greqia duhet të jetë kryetema e vizitës së Gërvallës në kryeqytetin grek

Njohësi i integrimeve evropiane, Sami Blakaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se edhe pse Greqia bën pjesë në 5 vendet që nuk e ka njohur Kosovën, ajo ka mbështet rrugën tonë evropiane me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave.

“Greqia ndonëse është njëra nga 5 vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur subjektivitetin shtetëror të Kosovës, ajo vazhdon të mbështet vendin tonë në rrugën evropiane, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Blakaj.

Image
Sami Blakaj

 

Sipas tij, ky shtet po tregohet shumë i interesuar për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Kosovën.

“Shteti grek po tregohet gjithnjë e më shumë i interesuar për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Kosovën dhe ky është lajm i mirë për ne. Në këtë frymë bashkëpunimi vjen edhe ftesa për Ministren e re të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla për ta vizituar Athinën zyrtare”, është shprehur ai.

Blakaj shton se kryetema e vizitës së zonjës Gërvalla në kryeqytetin grek duhet të jetë njohja e Kosovës nga Greqia.

“Vizita e ardhme e kryediplomates kosovare në Greqi jo vetëm që fuqizon marrëdhëniet ndërshtetërore, por është edhe një hap para drejt njohjes reciproke. Në fakt, njohja nga Greqia duhet të jetë kryetema e vizitës së zonjës Gërvalla në kryeqytetin grek. Politika greke synon të ndërtojë një mjedis paqeje dhe prosperiteti për popullin e Kosovës dhe ky synim grek mund të jetësohet vetëm atëherë kur Greqia njeh të drejtën e Kosovës për të qenë e pavarur dhe sovrane”, ka deklaruar Sami Blakaj për “Bota sot”.

Shahu: Shpresoj se Greqia do ta njohë Kosovën

Ndërsa, analisti Rexhep Shahu, duke folur për këtë temë për “Bota sot”, ka thënë se me marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, njohja nga Izraeli do t’i hapë shumë dyer Kosovës dhe se Greqia nuk mund të mos i përgjigjet sinjaleve amerikane.

“Pasi Kosova vendosi marrëdhënie diplomatike në Izraelin me ndërmjetësimin e presidentit Trump, akti i arritur në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë që nuk kishte ndodhur kurrë në histori, pas vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Izraeli është çelësi që do t’i hapë shumë dyer Kosovës. Në këtë kuadër lëviz Greqia, e cila nuk mund të mos i përgjigjet sinjaleve amerikane”, ka thënë Shahu.

Image
Rexhep Shahu

 

Sipas tij, Kosova do të ecë mbarë e mirë, por hedh kritika ndaj Gërvallës.

“Kosova do të ecë mbarë e mirë, vetëm ministrja e jashtme duhet të bëhet vetëm pak diplomate, e në emër të paqes me Serbinë të mos fyejë Gjermaninë sikur ajo ka bërë gjenocid në Serbi, kur në fakt Gjermania ka shpëtuar nga zhdukja racën shqiptare në Kosovë. Shpresoj se Greqia do ta njohë Kosovën”, është shprehur Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Ahmeti: Në këtë vizitë të kërkohet njohja e shtetit të Kosovës nga Greqia

Edhe analisti politik Hidajet Ahmeti, për “Bota sot” ka thënë se ky është një sinjal i mirë për Kosovën.

“De fakto, ftesa e Greqisë për një vizitë zyrtare për znj.Gërvalla është një sinjal i mirë për ndryshim qëndrimesh në raport më shtetin e Kosovës. Në këtë rast është mirë që znj. Gërvalla si kryediplomate të paraqes në mënyrë objektive shtetin e Kosovës në raport me Greqinë, por edhe rrugën e Kosovës drejt mekanizmave ndërkombëtarë, e posaçërisht drejt BE-së”, është shprehur Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

 

Ai thekson se Greqia duhet të bindet se pavarësia e Kosovës ka ardhur si nevojë e domosdoshme, duke e mbështetur në të drejtat ndërkombëtare e jo në mënyrë të njëanshme.

“Duhet të bindet shteti i Greqisë së pavarësia e Kosovës ka ardhur si nevojë e domosdoshme, duke e mbështetur në drejtat ndërkombëtare e jo në mënyrë të njëanshme. Në këtë vizitë duhet të shfrytëzohet rasti që znj.Gërvalla të kërkojë njohjen e shtetit të Kosovës nga Greqia, pasi që edhe Kosova në një të ardhme do të jetë pjesë e BE-së për ta ndërtuar një të ardhme të përbashkët për popujt e Evropës dhe këtë të ardhme mund ta ndërtojmë me politika të përbashkëta dhe pa dallime”, ka përfunduar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat