“Grabitja e madhe”, kërkohet hetim nga prokuroria për Qeverinë Hoti

Politika

“Grabitja e madhe”, kërkohet hetim nga prokuroria për Qeverinë Hoti

Nga: A.Z Më: 26 prill 2021 Në ora: 11:49
Avdullah Hoti

Kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, ka kërkuar nga Prokuroria që të nis hetimet ndaj ish-kryeministrit Avdullah Hoti, lidhur me Pakon e Rimëkëmbjes nga pandemia. 

Kurti e ka quajtur “grabitje të madhe” dhurimin e miliona eurove të taksapaguesve të Kosovës për kompanitë më të pasura në Kosovë. 

Reagimi i Kurtit vjen pasi Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, publikoi listën e 50 bizneseve që përfituan më së shumti nga pako prej 60 milionë eurove, e shpërndarë nga Qeveria e kaluar në tetor të vitit 2020. 

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se qeveria e kaluar e ka keqpërdorur pakon ekonomike dhe sipas tij, kjo pako nuk do të duhej të ishte për kompanitë të cilat kanë pasur fitim edhe në kohën e pandemisë.

“Pakoja e dhënë nga Qeveria e kaluar për gjendjen ekonomike në pandemi është keqpërdorur nga vetë mekanizmat e asaj qeverie. Këtë po e thonë shumë subjekte dhe tash doli hapur në dështim të qëllimit ndihmues te pakoja. Ajo iu nda 60 bizneseve. Pakoja nuk është menduar që të nxirret për kompanitë milionëshe e të cilat edhe në pandemi kanë punuar dhe kanë pasur fitime të mëdha. Madje shumë më të mëdha se para pandemisë”, është shprehur Kelmendi.

Por, lidhur me atë se pse pakoja nuk i është dhënë nevojtarëve, Kelmendi kërkon hetim nga prokuroria, por edhe llogari nga qeveria Hoti, sepse sipas tij, ky rast ka të bëjë me vepra penale. 

“Pse iu dhanë atyre kompanive mjetet, e jo masave të nevojshme për jetë, i takon prokurorisë të hetojë. Jam i bindur se këtu ka vepra penale dhe keqpërdorime të mëdha. Përndryshe nuk mendohet se ndarja e mjeteve është bërë pa njohje të Qeverisë Hoti. Qeveria Hoti duhet të jap llogari pse mjetet e tilla iu dhanë 60 bizneseve e jo masave të goditur nga pandemia dhe që mbetën shumë keq. Ata u larguan nga puna dhe nuk kishin mjete për jetë. Për këto masa duhet të bëhet dhe jepet ndihma nga shteti. Vepra penale është e rëndë. Prokuroria kërkohet të heton dhe të paraqes padi për këtë vepër”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat