Më 25 prill në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare.
Edi Rama doli fitues, i cili do të jetë edhe për mandatin e tretë kryeministër.
Por, a do të jetë ndikuese fitorja e tij për Kosovën?
Në një prononcim për “Bota sot”, analisti Sulejman Mehazi, ka thënë se fitorja e tij nuk do të ketë asnjë ndikim për Kosovën, vetëm se Kurti do të ndikojë në Shqipëri, sepse nëse ai lufton korrupsionin dhe nëse rrit standardet politike nuk do të ketë arsye të mos ndikojë edhe në Shqipëri.
Sipas tij, fitores së Ramës i janë gëzuar disa politikanë të Kosovës, ndër të cilët Thaçin sepse sipas tij, këta nuk duan ndryshime për shkak të interesave të tyre.
“Fitorja e Edi Ramës nuk do ndikojë kurrsesi në Kosovë, përkundrazi nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, punon pandërprerë me qeverinë e tij, ai do ndikojë në Shqipëri e në RMV. Edi Ramën e njohin, e dinë të gjithë shqiptarët se kush është e sa ka punuar për Shqipërinë, kurse Albin Kurti është në pritje të veprimeve shpresëdhënëse politike shqiptare, nëse Albin Kurti, lufton korrupsionin shtetëror, nëse ju kundërvihet ashpër gjykatave të padrejta të korruptuara të interesit me një gjykatë të drejtë, të pavarur e të ndershme, nëse Albin Kurti rrit standardet ekonomike, sociale, politike, ndërkombëtare te Kosovës, atëherë pse Albin Kurti mos të ndikojë te qytetarët e Shqipërisë dhe RMV-së. Fitores së Edi Ramës i janë gëzuar tipat e politikanëve të Hashim Thaçit, politikanëve të Kosovës dhe RMV-së të cilët nuk duan ndryshime për shkak interesave e posteve të tyre shtetërore”, ka deklaruar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.