Skenari ruso-serb me “Non paper”, mësohet qëllimi i frikshëm ndaj Kosovës

Politika

Skenari ruso-serb me “Non paper”, mësohet qëllimi i frikshëm ndaj Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 maj 2021 Në ora: 08:22
Ilustrim

Dokumentet jo formale “Non paper” tronditën Ballkanin. Përmbajta e këtyre dokumenteve që fillimisht u publikua në mediet sllovene, po konsiderohet si tejet e rrezikshme nga shumëkush.

Draft dokumenti i ri që në fokus ka ndryshimin e kufijve në Ballkan, pretendohet të jetë publikuar nga kryeministri slloven Janez Jansha.

Kundër ndryshimit të kufijve deri më tani janë deklaruar disa shtete evropiane si Gjermania dhe Franca. Ngjashëm kanë vepruar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë kundër një ndryshimi të tillë. Gjithashtu për këtë draft dokument ka reaguar edhe presidenti slloven.

Mirëpo, e mistershme edhe me tej mbetet se kush realisht mund të qëndrojë pas këtyre “Non papers”.

Njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se “Non paperi” i sotëm vetëm se ringjall apo rilind ideologjitë djallëzore e luftënxitëse të Sllobodan Millosheviçit, dhe pasardhësve të tij; Vuçiq, Brnabiq e Daçiq, e që në fokus të parë ka të kënaq epshet nacionaliste serbe.

Sipas analistëve, qëllimi i publikimit në këtë kohë lidhet me negociatat për ta vënë në presion Kosovën, duke u menduar që Serbia të ketë avantazh në raport me Kosovën. Mirëpo, ata shprehen skeptik se ky plan do të ketë sukses, meqenëse është kundërshtuar dhe mohuar nga shtetet më të fuqishme të botës.

Mehazi: “Non paperi” do mbetet mister i harruar i ambicieve nacionaliste serbe

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejam Mehazi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se “Non paperi” i Janez Janshës e ka vlerën e një zhurme mediatike të shteteve ballkanike në formën e pandemisë së sotme covid-19.

Image
Sulejam Mehazi

Ai është i mendimit se ky plan më së shumti i përshtatet serbëve dhe Aleksandar Vuçiqit.

““Non paperi” i Janshës është një letër me vlera të humbura, ky far “Non paperi” të kishte dalë para tridhjetë viteve gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë do ishte ushqyese e shteteve nacionale brenda ish-Jugosllavisë, kurse tani “Non paperi” i Janshës e ka vlerën e një zhurme mediatike të shteteve ballkanike në formën e pandemisë së sotme covid-19. Edhe pse thuhet se “non paperi” u plasua nga Gjermania e Franca, po më së miri e di Jansha i Sllovenisë se nga e ka bazën e nga doli ky “non paper” i “famshëm” që më së shumti ju konvenon serbëve të Vuçiqit e askujt tjetër”, shprehet fillimisht profesori Mehazi.

Më tej, njohësi i çështjeve politike ka bërë me dije se rilind ideologjitë luftënxitëse të “Kasapit të Ballkanit”, dhe pasardhësve të tij Vuçiq, Brnabiq e Daçiq.

““Non paperi” i sotëm ringjall apo rilind ideologjitë luftënxitëse të Millosheviçit, që është djallëzore e jo ndryshe, është “Non paper” i Millosheviqit dhe pasardhësve të tij Vuçiq, Brnabiq e Daçiq që kënaq epshet naconaliste serbe. Të kota janë reagimet e propozimet se nga doli ky “dokument fantom” i “non paperit” kur më së miri e di vetë ai që e plasoi këtë “bombë nacionaliste ndjellakeqe për popujt e Ballkanit”, e ai është Jansha, dhe, ky duhet të përgjigjet e të tregojë se nga erdhi në duart e tij, mos ndoshta ia dhanë serbët e rusët, pasi “non paperi” ballkanik më shumë ju konvenon serbëve e askujt tjetër”, ka shtuar me tej Mehazi.

Profesori Mehazi ka theksuar se plani “Non paper”, nuk do të ketë asnjë ndikim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dora e parë e “non paperit” është Rusia, dora e dytë është Serbia, dora e tretë e “Non paperit” është Jansha. Ky “Non paper” nuk do luajë asnjë rol ndaj dialogut Kosovë-Serbi. Do mbetet mister i harruar i ambicieve nacionaliste serbe”, ka theksuar njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: “Non paper” është gatuar në kuzhinat e Serbisë dhe Rusisë

Kurse, nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, është i mendimit se “Non paper” është gatuar në kuzhinat e Serbisë dhe Rusisë, të cilat, sipas analistit, kanë për skenar destabilitetin e rajonit.

Image
Faton Mehmeti

“Pas kësaj fshihen qarqet serbe dhe ruse, të lidhura me të gjithë ata që nuk e duan Kosovën dhe pavarësinë e saj. “Non paper” është gatuar në kuzhinat e Serbisë dhe Rusisë, e të cilat po tentojnë të krijojnë destabilitet”, ka thënë analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Ai madje konsideron se publikimi i këtij plani lidhet me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të vë vendin tonë në presion.

“Qëllimi i publikimit në këtë kohë lidhet me negociatat për ta vënë në presion Kosovën, duke u menduar që Serbia të ketë avantazh në raport me Kosovën. Megjithatë, nuk besoj se kjo do të ketë sukses, meqenëse, është kundërshtuar dhe mohuar nga Gjermania dhe Franca, dhe idenë për ndarje dhe shkëmbim nuk e mbështesin Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Sipas analisti Mehmeti, është tejet e rëndësishme publikimi emrave që kanë iniciuar këtë plan, gjersa nënvizon se në mesin e tyre janë edhe Thaçi dhe Rama.

“Kështu që kjo tezë ka vdekur , dhe nuk ringjallet më. Por, është më rëndësi që të dalin publikisht emrat e atyre që kanë sajuar, dhe atyre që kanë mbështetur, e në mesin e tyre edhe Hashim Thaçi dhe Edi Rama”, ka përfunduar njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat