Çka i ndodhi LDK-së, nga 700 mijë anëtarë në vetëm 100 mijë vota? Veprimtari tregon se si duhet veprojë kjo parti për t’i rikthyer votuesit

Politika

Çka i ndodhi LDK-së, nga 700 mijë anëtarë në vetëm 100 mijë vota? Veprimtari tregon se si duhet veprojë kjo parti për t’i rikthyer votuesit

Nga: N. H Më: 2 maj 2021 Në ora: 15:50
Lumir Abdixhiku

Subjekti më i vjetër në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dikur kishte 700 mijë anëtarë partie, ndërsa, në zgjedhjet e fundit, ato të 14 shkurtit, votues ka gjashtë herë më pak.

110 mijë e 978 është numri i votave ë LDK-së tani – më së paku në histori të partisë më të vjetër në Kosovë.

Në lidhje me këtë, ka folur veprimtari i kësaj partie politike, shkruan “Bota sot”.

Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë dhe e ish-bashkëluftëtari i heroit Sali Çekaj, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se për ta rikthyer lavdinë e dikurshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duhet punuar shumë në teren me anëtarësinë e cila i mbeti besnike këtij subjekti në momentet më të vështira.

Image
Saim Tahiraj

“Fillimisht duhet punuar shumë në teren me këtë anëtarësi e cila i mbeti besnike LDK-së në momentet më të vështira. Është jetike për LDK-në që kjo anëtarësi të ruhet e paluhatur, për t’ia arritur kjo duhet të sqarohet dhe të arsyetohet votimi i Presidentit i cili ishte kundër vullnetit të tyre. Vazhdimi i reformave nga baza duke biseduar dhe afruar të gjithë ata që i linçuan, përjashtuan, anashkaluan, injoruan dhe nënçmuan me vite të tëra. Kjo logjikë përjashtuese, linçuese dhe nënçmuese duhet të përfundoj sa më parë dhe kurrë më mos të përsëritet. Të fillohet me degën e LDK-së në Gjakovë, ku dhe fillojë kjo logjik shkatërrues, për të vazhduar në tërë Kosovën dhe në mërgatë. Të bisedohet me persona autoritativ të cilët tërë jetën ja kushtuan luftës dhe veprimtarisë për liri dhe pavarësi”, ka thënë Tahiraj.

Tutje, ai për “Bota sot”, ka thënë se gjithashtu edhe familjarëve të heronjve dhe dëshmorëve duhet t’iu kushtohet një kujdes i veçantë gjë e cila ka munguar deri më tani nga ana e LDK-së.

“Ka ardhur koha që lidershipi i LDK-së të marrë guximin dhe t’i dali në ballë mbrojtjes së rezistencës së armatosur që nga viti 1991 e gjerë në përfundimin e luftës së hapur në Kosovë. Si themelues i atyre institucioneve të cilat drejtuan atë rezistencë dhe luftën e hapur, LDK ka përgjegjësi historike ta mbrojë me fanatizëm dhe ta thotë haptas e më shumë guxim se ishte themeluese dhe drejtuese e tyre. Mjaftë më që njëzet vite me gënjeshtra dhe mashtrime se pronarë i saj ishte LPK. Ky ishte dhe vazhdon të jetë gabimi fatal i LDK-së, ajo duhet të jetë pronare e krijesës së saj. Figurat kryesore që i prinë dhe drejtuan atë rezistencë, LDK i la pas dore, kjo duhet të marri fund dhe t’i nderojë duke i vendosur në vendin që meritojnë”, u shpreh ai për “Bota sot”.

Krejt në fund, Tahiraj thekson se nëse lidershipi i ri i LDK-së arrin që këto gabime t’i përmirësojë, është shumë i bindur se sukseset do të janë të mëdha, dhe se ky do ishte shtrati i vërtetë nëpër të cilin do rrugëton suksesshëm LDK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat