Deklarata e Gërvallës u keqpërdor nga kundërshtarët e saj, analistët tregojnë thelbin e saj

Politika

Deklarata e Gërvallës u keqpërdor nga kundërshtarët e saj, analistët tregojnë thelbin e saj

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 maj 2021 Në ora: 09:15
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, foto ilustrim nga "Bota sot"

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ditëve të fundit ka rënë pre e disa akuzave në lidhje me një deklaratë që është bërë kohë më parë por që u bë virale këto ditë.

Në këtë video të publikuar shihet teksa Gërvalla thotë se do ta ndihmojë Gjykatën Speciale nëse do të ketë ndonjë material për ta vënë drejtësinë në vend.

Por si duket kjo deklaratë u rishfaq dhe po përdoret kundër Gërvalles pikërisht tani, për ta prishur imazhin e saj, duke e përdorur atë për t’iu kundërvënë asaj, shkruan “Bota sot”.

Gërvalla që nga marrja e detyrës është duke e përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të drejtë të mundshme dhe profesionale, e si duket kjo po iu pengon kundërshtarëve të saj duke u munduar në çdo formë që ta vendosin ministren në një pozitë të palakmueshme.

Mirëpo, karshi tyre normalisht qëndron e pathyeshme e bija e Jusuf Gërvallës, duke iu kundërpërgjigjur me një deklaratë të gjithë akuzave që po vijnë ndaj saj.

Ajo u shpreh se asnjëherë nuk do të pushojë së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, duke iu drejtuar atyre që po e akuzojnë me fjalët se po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme.

“Dje, sot por edhe nesër! Asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh. Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit. Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim. Shumë punë na presin, vërtet”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Për këtë deklaratë reaguan edhe PDK e cila edhe kërkoi të jep dorëheqje ministrja Gërvalla, pasi që sipas tyre nuk mund të arsyetohet deklarata e saj.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën se kjo deklaratë ka dalë nga konteksti, pasi që ajo është bija e një trimi dhe e tëra që ka dëshiruar është të thotë se do ta ndihmojë drejtësinë, gjë që secili duhet ta bëjë.

Bytyçi: Nuk është e drejtë kampanja kundër zonjës Gërvalla

Njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se nuk është e drejtë kjo eufori me akuza ndaj Gërvallës sepse ajo ka merita të shumta në mbrojtjen e interesave të Kosovës.

Image
Adem Bytyçi

Sipas Bytyçit, ajo është bija e një patrioti dhe qëndrimi për të u dënuar krimet është në sinkron me popujt e civilizuar të cilët dënojnë krimet e luftës.

“Zonj. Gërvalla është bija e një patrioti të pa epur për lirinë e popullit të tij. Kjo zonjë ka merita të shumta në mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Ka marrë pjesë në disa takime të rëndësishme në të cilat i ka dalë zot Kosovës në raport me gjenocidin serb anti shqiptar, para se të kishte postin të cilin e ka sot. Zonj. Gërvalla, qëndrimi i saj ndaj krimit është në sinkron me popujt e civilizuar, të cilët as njëherë nuk hezitojnë për ta dënuar krimin dhe krimet e luftës në radhët e tyre kurdo që ato mund të shfaqen”, u shpreh Bytyçi.

Analisti më tej përmend Gjermaninë e cila ende dënon krimet e luftës duke thënë se për këtë arsye nuk duhet të vlerësohet tragjike deklarata e Gërvallës, e aq më pak të kërkohet të jep dorëheqje nga posti i ministres së jashtme të Kosovës.

“Shembulli më eklatant i një lufte kundër krimeve të luftës dhe të cilin shembull duhet ta marrin edhe popujt dhe shtetet tjera është Gjermania. Gjermania edhe pas kaq shumë vitesh të përfundimit të luftës së dytë botërore, vazhdon t'i gjykojë shtetasit e saj për krime lufte në Gjykata penale, në një moshë tepër të thyer thuajse para vdekjes. Nuk mund të vlerësohet tragjike deklarata e zonj. Donika Gërvalla pse kërkon drejtësi për viktima dhe të detyrohet për të dhënë dorëheqje nga posti i Ministres së punëve të jashtme të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Adem Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Gërvalla është keqinterpretuar për deklaratën e saj

Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se Gërvalla ishte pjesë e LDK-së e që kjo e fundit vazhdimisht ka lëshuar akuza kundër PDK-së apo SHIK-ut dhe normalisht që edhe Gërvalla ka ndjekur politikën e partisë së saj.

Image
Islam Krasniqi

“Nëse bazohemi në të kaluarën, ajo ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila haptas gjatë çdo fushate zgjedhore ka akuzuar PDK-në apo SHIK-un e që ajo ka ndjekur një politik të cilën e ka praktikuar partia e saj. Mirëpo, duhet kuptuar së ata që kanë dashur të jeni pjesë e parlamentit është dashur t'i shajnë të tjerët”, theksoi analisti.

Më tej, analisti shton se Gërvalla edhe është keqinterpretuar në deklaratën e saj, duke mos lënë anash edhe mediat e caktuara që po marrin këtë deklaratë të saj për ta penguar rrugëtimin e saj në përfaqësimin në arenën ndërkombëtare.

“Mirëpo, duhet pyetur edhe znj.Gërvalla së çka ka dashur të thotë më këtë deklaratë dhe të tregojë edhe për dëshmitë që ka pasi që të gjithë po e kërkojnë të vërtetën, sa do që ajo të jetë e hidhur ose të kërkojë edhe falje për deklaratën e dhënë. Një përgjegjësi e kanë edhe mediat, të cilat kapen pas deklaratave të tilla për të penguar rrugëtimin e saj që të na përfaqësojë në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat