“Orkestrimi është nga SHIK-u”, Mehmeti tregon qëllimin e sulmeve ndaj Donika Gërvallës

Politika

“Orkestrimi është nga SHIK-u”, Mehmeti tregon qëllimin e sulmeve ndaj Donika Gërvallës

Nga: P.R Më: 7 maj 2021 Në ora: 21:45
Donika Gërvalla

Ministrja e Jashtme dhe Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, po ballafaqohet me sulme të ashpra nga Partia Demokratike e Kosovës dhe njerëzit e afërt me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

E shkak i këtyre sulmeve janë bërë deklaratë që Donika Gërvalla i ka dhënë vite më parë para se të vije në postin e Ministres së Jashtme të Kosovës.

E Ministrja Gërvalla në reagimin e saj, ka shkruar se do të kërkojë gjithmonë drejtësi.

“Asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh. Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit. Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim. Shumë punë na presin, vërtet”,”, ka shkruar në reagimin e saj Ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Por, sulmet ndaj Gërvallës janë zhvilluar edhe sot, ku Rinia Demokratike e PDK-së vendosën grafite të UÇK-së në objektin e MPJ-së, dhe kërkuan edhe shkarkimin e saj.

E këto veprime po i kritikon analisti politik, Faton Mehmeti. Ai thotë se sulmet ndaj Gërvallës lidhen me presidenten, Vjosa Osmani.

Image
Faton Mehmeti

“PDK, ka ra në gropën që vet e ka hapur, të gjendur në një pozitë të tillë ata spo dinë as çfarë po flasin dhe as çfarë po veprojnë. PDK, gjithnjë kërkojnë diçka për të sulmuar qeverinë Kurti. Sulmet ndaj Donikës janë sulme që lidhen me Vjosën, e cila ka ndihmuar që VV të fitojmë mbi 50 % të votave”, shprehet Mehmeti.

Ai shton se PDK target të sulmeve e ka Vjosa Osmanin.

“PDK ka target listën " Vjosa" dhe këdo që ka ndikuar që ata të mbesin në opozitë. Klani "Pronto" është në aksion për të goditur vajzën e heroit, Donikën e cila nuk është trembur kurrë përballë të këqijave që PDK ia ka bërë vendit”, thekson Mehmeti.

Për fund, analisti Mehmeti deklaron se sulmet ndaj Gërvallës kanë për qëllim edhe frikësimin e dëshmitarëve.

“Natyrisht se po, janë PDK ata që frikësohen, ndërsa orkestrimi është nga SHIK. Kështu që, Donika po sulmohet pa të drejtë me qëllim që të tremben edhe dëshmitarët në Hagë”, përfundon analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat