“Avullimi” i 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, eksperti i ekonomisë: Tani fjalën e kanë organet e drejtësisë

Politika

“Avullimi” i 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, eksperti i ekonomisë: Tani fjalën e kanë organet e drejtësisë

Nga: N. H Më: 8 maj 2021 Në ora: 13:42
Qeveria e Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e fundit të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike kanë kërkuar që të kthehen mjetet e avulluara nga Thesari i Shtetit.

Kurse, ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se as ajo nuk e di arsyen se përse nuk po kthehen në Thesarin e Shtetit 2.1 milionët e vjedhura, derisa dihet se ato janë shpërndarë nëpër subjekte ekonomike dhe individë.

Këto komente Bajrami i bëri të mërkuren pas pyetje që adresoi anëtari i komisionit Eman Rrahmani, i cili parashtroi pyetje për Ministrinë e Financave rreth këtij procesi.

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se adresimi i deputetëve është i palogjikshëm dhe po bëhet sa për të fituar poena politik, pasi që ai tregon se qeveria dhe ministritë nuk kanë më qasje ligjore për të marr hap në këtë drejtim.

Image
Mustafë Kadriaj

“Kërkesa është edhe më banale për faktin që paratë nuk kthehen me lutje, por përmes organeve të drejtësisë dhe organeve të rendit siç janë policia. E them këtë sepse keqpërdoruesit kanë pasur vullnet për të dëmtuar arkën e shtetit e jo për të kontribuar, pra po të kishte ndjenja të humanitet tek keqpërdoruesit nuk do ndodhte transferi i mjeteve prej 2.1 milionë eurove. Pra, skandalit ia shton marinimin edhe ish-ministrja Bajrami duke u munduar të shfajësoi veten sikurse se ka kryer detyrën e saj me një lutje që ju ka bërë keqpërdoruesve”, ka thënë eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Tutje, njohësi i çështjeve ekonomike shprehet se përfaqësuesit e popullit po bëjnë sehire me këtë temë vetëm sa për të bërë zhurmë, dhe përfitime politike, por zhurma e tyre sipas tij nuk e shtyn ketë proces përpara.

“Tani fjalën e kanë organet e drejtësisë nëse kanë mundësi për të rikthyer vlerën prej 2.1 milionë përmes mekanizmave ekzekutiv, përndryshe kjo temë mbetet fontanë dëshirash e institucioneve të Kosovës për t’i kthyer mjetet në fjalë dhe më e rënda është që ndoshta nuk qon shumë peshë vlera sesa ulja e imazhit si para miqve ndërkombëtar njëherit edhe para shteteve që e kontestojnë pavarësinë e Kosovës, pra një argument më shumë që Kosova është një shtet i dështuar dhe për këtë fajtor tërë përgjegjësinë e ka politikbërja në vend”, tha në fund, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat