Pritjet dhe sfidat për realizimin e programit qeverisës të kryeministrit Kurti

Politika

Pritjet dhe sfidat për realizimin e programit qeverisës të kryeministrit Kurti

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 9 maj 2021 Në ora: 16:38
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës para dy ditëve ka mbajtur mbledhjen e 11-të të rregullt, në të cilën ka miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021 – 2025 dhe vendime tjera të përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.

Programi i Qeverisë pasqyron qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes, sikurse edhe prioritetet themelore dhe iniciativat që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend, në të gjitha fushat.

Ndër vendimet të cilat ka marrë Qeveria dhe që synon të fokusohet, janë dy prioritete më urgjente:

1. menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke synuar që të minimizohen pasojat në shëndetin publik, dhe

2. lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia, të cilat kërkojnë mobilizimin e potencialit shtetëror.

Qarri: Plani i Qeverisë Kurti pasqyron prioritetet më urgjente dhe iniciativat e nevojshme

Analisti politik Gani Qarri, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se e mira e gjithë kësaj është se përveç programit, Qeveria pasqyron prioritetet më urgjente dhe iniciativat e nevojshme që do të merren në vijimësi, për të përmirësuar gjendjen e rënduar në të gjitha fushat dhe drejtimet në vend.

Image
Gani Qarri

“Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e saj të rregullt të mbajtur me 7 maj të këtij viti, ka miratuar planin qeverisës, Planet Strategjike e Operacionale të Ministrive të veta dhe vendime tjera me rëndësi ligjore e kushtetuese për 4 vitet e ardhshme, në vend. Dhe e mira e gjithë kësaj, është se përveç programit, Qeveria pasqyron prioritetet më urgjente dhe iniciativat e nevojshme që do të merren në vijimësi, për të përmirësuar gjendjen e rënduar në të gjitha fushat dhe drejtimet në vend, nga pandemia dhe të gjitha sferat tjera problemore që ka shkaktuar ajo, duke rritur papunësinë dhe rënduar gjendjen sociale të qytetarë të Kosovës. Por ajo që pikësëpari pritet nga Qeveria e re, është menaxhimi më i mirë dhe më me sukses i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke siguruar numër të mjaftueshëm të vaksinave, për të sanuar sa më shumë që të jetë e mundur dhe minimizuar sa më shpejtë pasojat e saj në ekonomi, gjendjen sociale dhe shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës, të cilat sidomos gjatë qeverisjes kundërkushtetuese të Avdullah Hotit, kategoritë më të varfra janë lënë pa asnjë përkujdesje shtetërore dhe tërësisht në mëshirën e fatit, ndërsa kompanitë më të fuqishme te cilat nuk e dinë çfarë është humbja as mbyllja, por vetëm kanë përfituar miliona edhe nga kjo situatë, janë mbështetur edhe me qindra mijëra euro, para të BE-së, për tu pasuruar edhe më shumë”, ka thënë Qarri.

Ai thotë se programi qeverisës duhet sa më shpejtë të procedohet në Kuvend dhe të nisë zbatimi i tij.

“Ndaj duke marrë parasysh situatën aktuale, jo vetëm epidemiologjike por edhe gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, përveç ndryshimit dhe plotësimit të vendimeve për masa të përgjithshme për parandalimin e infektimeve, vënien e gjendjes nën kontroll dhe luftimin e pandemisë COVID-19 nga Qeveria Kurti, pritet që sa më shpejtë programi i saj qeverisës të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim dhe të nisë urgjentisht shqyrtimi i këtij veprimi antihuman e kundërligjor, i qeverisë Hoti për vlerësimin e pasojave nga ky skandal monetar për buxhetin e Republikës së Kosovës, dëmet e shkaktuara qytetarëve me gjendje të rënduar sociale në vend, si dhe vendosja sa më parë e personave përgjegjës para drejtësisë, për këtë aferë të rëndë korruptive e kriminale”, është shprehur Qarri.

Tutje, ai ka përmendur edhe vendimet tjera të cilat i parasheh Qeveria që t’i përfundojë gjatë mandatit të saj katër vjeçar.

“Njëkohësisht Qeveria Kurti, në bazë të vendimit për rialokimin e mjeteve për Zhvillimin Rajonal dhe përkrahjen zhvillimore në pjesë të ndryshme të Republikës së Kosovës, përveç investimeve kapitale të cilat do të kontribuonin në zhvillimin socio-ekonomik, duhet të krijojë sa më parë edhe një fond humanitar shtetëror e rajonal në të gjitha komunat e vendit tonë, për tu ardhur në ndihmë personave pa të ardhura financiare dhe me gjendje të rrezikuar shëndetësore e sociale. Kështu që bazuar në Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2021 në Republikën e Kosovës përveç furnizimit me vaksinat anti-COVID-19, Qeveria Kurti duhet të caktojë edhe një lartësi monetare në formë të ndihmës sociale, si paradhënie për kategoritë më të rrezikuara financiarisht në vend, duke tërhequr të gjitha parat e shumta që u janë dhuruar pa të drejtë dhe në mënyrë tërësisht kundërligjore kompanive me fitimet më të mëdha në vend të cilat përkundër pandemisë grumbullojnë miliona, deri te pagesat dhjetëra mijëra euro kundërligjore, avokatit të ish kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, në kohën kur në Kosovë ka njerëz të cilët vuajnë edhe për gjërat më elementare për jetë, deri te vet buka e gojës”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”.

Halili: Qeveria Kurti me probleme të trashëguara

Kurse, analisti dhe njëherësh anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, Nijazi Halili, për “Bota sot” ka thënë se Qeveria Kurti ka trashëguar problemet e qeverive paraprake.

Ai shprehet se ky program Qeverisë pasqyron qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes, duke përmendur të gjitha ato vendime të cilat siç ka thënë Kurti do të përmirësojnë gjendjen në vend, në të gjitha fushat.

Image
Nijazi Halili

“Sipas komunikatës për medie programi i Qeverisë pasqyron qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes, sikurse dhe prioritetet themelore dhe iniciativat që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend, në të gjitha fushat. Si prioritet kryesor i qeverisë Kurti do të jetë shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit, luftimi i krimit dhe korrupsionit, transformimi ekonomik dhe social i vendit nëpërmjet një qeverisje që synon përfshirjen sociale dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët i kanë dhënë mbështetjen maksimale orientimit tonë që vë në krye të qeverisjes sonë: drejtësinë dhe punësimin.

Pjesë e programit dhe premtimeve dhe përmbajtjes kryesore të Programit Kuri është:

– Vetting në drejtësi e prokurori dhe pozitat e larta në polici dhe inteligjencë.

– Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme, sepse do të reformojmë skemat sociale dhe do të aktivizojmë fuqinë punëtore.

– Do të rishikojmë skemat e asistencës dhe do të reformojmë sistemin pensional.

– Do të sigurojmë shtesa për fëmijët, punësim të garantuar sezonal për një anëtar të familjes dhe rimbursim për familjet e varfra.

– Do të ndërtojmë 160 çerdhe të reja për fëmijë anembanë Kosovës.

– Do të mundësojmë banim të përballueshëm social për 4 mijë familje me skemat 120×120 dhe 150×150.

– Përmes rritjes së pagës minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe ngritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, do të sigurohemi që ata që kanë paga më të ulëta, të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit.

– Do ta përmbyllim zhvillimin e sistemit informativ shëndetësor dhe do të fillojmë rritjen e fondit të sigurimeve shëndetësore.

– Deri në fund të mandatit do ta përmbyllim reformën e administratës publike.

– Do të zbatojmë diversifikimin e burimeve të energjisë, asetet strategjike do t’i mbështesim, ndërsa “Trepçën” do ta bëjmë ndërmarrje fitimprurëse.

-Do t’i trajtojmë me prioritet mbrojtjen e resurseve natyrore dhe të mjedisit, si edhe efiçiencën e energjisë. Do të bëjmë dialog parimor, të përgatitur e të barabartë me Serbinë me marrëveshje të njohjes së ndërsjellë”, ka theksuar ai.

Në fund, Halili shton se besimi i qytetarëve e ka ngarkuar tepër rëndë Kryeministrin Kurti, sa që tani e tutje çdo e keqe dhe e mirë në vend do të varet prej qeverisë së tij.

“Konsiderojnë se besimi i qytetarëve e ka ngarkuar tepër rëndë Kryeministrin e Kosovës, z.Albin Kurtin, sa që tani e tutje çdo e keqe dhe e mirë në vend do të varet prej qeverisë së tij. Sipas mendimit tim vendi ka probleme të mëdha dialogu me Serbinë, korrupsioni me gjyqet e policinë e korruptuar dhe se me të gjitha këto nuk do ta ketë aspak të lehtë kryeministri i ri i Kosovës. Sigurt se do të jetë sfidë për qeverinë Kurti, realizimi i programit 100% pa një mbështetje e bashkëpunim te përbashkët pozitë e opozitë, kur dihet se vendi është duke u përballur me një mijë e njëqind probleme të trashëguara e si pasojë mund te ngufatin realizimin e programit te qeverisë aktuale”, ka deklaruar Njazi Halili për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat