Shpifjet ndaj Gërvallës/ Veprimtari nga Amerika ‘godet’ PDK-në: Ju tregoheni ‘sokola’ ndaj grave, por lepuj ndaj Vuçiqit!

Politika

Shpifjet ndaj Gërvallës/ Veprimtari nga Amerika ‘godet’ PDK-në: Ju tregoheni ‘sokola’ ndaj grave, por lepuj ndaj Vuçiqit!

Nga: A.Morina Më: 11 maj 2021 Në ora: 13:09
Donika Gërvalla

Gjatë javës së fundi, partitë opozitare më saktësisht Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zhvilluar një fushatë të ‘egër’ ndaj ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallës, e cila kishe thënë se do ta ndihmojë Gjykatën Speciale me materiale.

Ministrja Gërvalla, vite më parë kishte deklaruar se në Speciale do të dërgoj materiale kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Kurse, ka mjaftuar një deklaratë e saj që deputetët dhe anëtarët e PDK-së, ta rikthejnë vëmendjen te ish-shefat e tyre, duke linçuar dhe akuzuar Gërvallën.

Veprimtari nga Amerika dhe njëherësh njohësi i çështjeve politike, Ramazan Bekteshi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar situatën politike brenda PDK-së dhe sulmet e disa anëtarëve të saj ndaj ministres Donika Gërvalla.

Ai përmendi edhe faktin se si disa ‘komandantë’ të shndërruar në ‘diplomatë’ e nxorën Kosovën në ankand, dhe i harruan komandantët dhe themeluesit e vërtetë të UÇK-së nga Zahir Pajaziti e deri te kryekomandant, Adem Jashari.

Image
Veprimtari nga Amerika dhe njëherësh njohësi i çështjeve politike, Ramazan Bekteshi

“Nuk dua t’a paragjykoj anëtarësinë e gjerë të PDK-së, sepse unë aty njoh shumë burra me taban kombëtar por pa fuqi politike, njerëz me vepra të mëdha por pa zë, familje heroike e të viktimizuara, njerëz që lanë gjymtyrët e tyre nëpër beteja pa punë e kujdes shëndetësor, të uritur, e të dëshpëruar me jetën e me shtetin për dy dekada të stërzgjatura, të udhëhequr nga shokët e tyre të luftës, por që ishin larg betejave, disa te Rogneri e të tjerë duke sajuar komunikata, si ajo 59-shja kundër luftëtarëve më hakikat të UÇK-së. Ishin ‘komandantët’ e shndërruar në ‘diplomatë’ që Kosovën e nxorën në ankand, dhe i harruan komandantët dhe themeluesit e vërtetë të UÇK-së nga Zahir Pajaziti e deri te kryekomandant, Adem Jashari. Janë do ‘trima’ që krenohen me trimërinë e heronjve tanë dhe me bullizmin dhe intimidimin e vet ndaj grave tona të guximshme, shumë më sypatrembura se kërcënuesit vetë”, deklaroi Bekteshi.

Kurse, sa i përket sulmeve ndaj ministres Gërvalla, tha se ato po bëhen nga një bandë e vogël militantësh të PDK-së.

Bekteshi e vlerësoi lartë punën e krye diplomates së Kosovës, duke e cilësuar Gërvallaën si një grua të guximshme e mendjendritur që çdo shtet demokratik do ta dëshironte ta kishte në radhët e veta

“Një bandë e vogël militantësh të PDK-së janë vërsulur egërsisht një gruaje të guximshme e mendjendritur që çdo shtet demokratik do ta dëshironte ta kishte në radhët e veta, derisa Kosova e pati fatin që ajo t’a përfaqësoj shtetin e saj në mënyrë të dinjitetshme që kishte munguar fort, një figurë e pastër si loti, një trashëgimtare e një familje epike, vajza e një babai të madh, një vizionari sypatrembur që e nisi ‘vallen’ e rebelizmit ndaj pushtuesit, dhe u flijua për afirmimin e Kosovës ndërkombëtarisht”, theksoi analisti.

Në vazhdin, veprimtari nga Amerika tha se disa hyzmeqarë të denjë të bosave të tyre të shndërruar në milionerë, po e kërkojnë dorëheqjen e një gruaje të guximshme.

Bekteshi kishte edhe një pyetje për ‘trimat’ që po kërkojnë dorëheqje e Gërvallës, ai tha se ku kishin këta në kohën “kur falej Cakorri, kur nënshkruhej Zajednica?”.

“Një bandë burrash paturp kërkojnë dorëheqjen e një gruaje të guximshme, me edukatë shqiptarie e edukim prestigjioz, burra të ‘fortë’ që dinë të shtyhen vetëm me gra, por që janë hyzmeqarë të denjë të bosave të tyre të shndërruar në milionerë. Burra, që shtyhen me një grua që fitoi me një votë plebishitare.

Ku ishit ju ‘trima’ kur falej Cakorri, kur nënshkruhej Zajednica, ku ishit ju ‘trima’ që s’e ngritët zërin kur bosi juaj kërkonte këmbim tokash, kur e ftonte Vuçiqin në Drenicë. Ju heshtët, derisa Drenicën dhe Kosovën e shpëtuan drenicakët me barrikada, që krimineli mos të hynte në tokën tonë që e kishte bërë shkrumb-e-hi”, potencoi ai.

Në fund, Bekteshi iu tregoi partive opozitare se opozitarizmi nuk bëhet me shpifje ndaj dy grave shumë të suksesshme.

Ai tha se anëtarët e PDK-së po tregohen ‘sokola’ ndaj grave por lepuj ndaj Vuçiqit.

Mirëpo, veprimtari nga Amerika i paralajmëroi se me këto veprime ndaj grave më të guximshme, ju pret fati i Isa Mustafës!

“Opozitarizmi nuk bëhet në kohë pandemie, me shpifje e intimidime, kur dy gratë tona më të guximshmet ankohen sepse qeveritë e shkuara kanë qenë tepër të korruptuara, kur ata tregojnë një realitet të hidhur, ju i akuzoni. Ju i akuzoni edhe atëherë kur gratë tona dhe KM Kurti kanë pasë paraqitje briliante në arenën ndërkombëtare. Ju tregoheni ‘sokola’ ndaj grave por lepuj ndaj Vuçiqit. Ju nuk patët as guximin qytetar të paditni Vuçiqin që ishte bashkëpunëtor i kryekriminelit por bashkëpunuat me aq pasion, ju nuk patet dijen dhe guximin të paditni Serbinë për gjenocid as pas 20 vitesh, kërkim falje dhe reparacion lufte. Me paditurinë tuaj ju e shndërruat Kosovën nga viktima në agresor, ju që votuat Specialen dhe frikësoni gratë që janë në rrugë të zotit e kombit, e parlamentin e keni shndërruar në një ‘teatër’ Orvelian. Me këto veprime ndaj grave më të guximshme, ju pret fati i Isa Mustafës!”, përfundoi Ramazan Bekteshi, përcjell “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat