Borrell e ka kuptuar rrezikun e lojës me kufijtë, ja çfarë përfiton Kosova nga “Non paper” i ri për Ballkanin

Politika

Borrell e ka kuptuar rrezikun e lojës me kufijtë, ja çfarë përfiton Kosova nga “Non paper” i ri për Ballkanin

Nga: G.B Më: 11 maj 2021 Në ora: 16:51
Josep Borrell

Duket se dokumentet joformale “Non paper” do të vazhdojnë të jenë ende aktualë.

Pas 2 dokumenteve të tillë të publikuar javë më parë, të cilët bëmë “zhurmë” të madhe e ngjallën reagime të shteteve më të fuqishme në botë, e autorët e të cilëve nuk u ditën, tani një të tillë e ka bërë Josep Borrell.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së ka hartuar një “Non paper” për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Dje pas takimit 7 orësh të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian të cilët mes tjerash diskutuan situatën në Ballkanin Perëndimor, Borrell tha se duhet çuar përpara procesin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sa i përket Kosovës, u përmend fillimi i dialogut me Serbinë në qershor.

Lidhur me këtë “Non paper” dhe ato se çfarë mund të përfitojë Kosova, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Këtë dokument ai e sheh si dëshmi se për Bruksel është jetik integrimi i këtyre vendeve dhe se është momenti që këto vende ta shtyjnë përpara integrimin evropian.

“Takimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian dhe paraqitja e zotit Borrell me një "non paper" në këtë mbledhje për Ballkanin Perëndimor, dëshmojnë se për Brukselin integrimi i këtyre vendeve është jetik. Nga pikëpamja gjeopolitike nuk ka moment më të përshtatshëm për ta shtyrë përpara integrimin europian të gjashtë vendeve, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës. Fakti që në këtë samit çështja e zgjerimit me këto vende është një ndër temat më të rëndësishme që diskutohen, e bën angazhimin e sotëm të BE-së më serioz dhe më të përkushtuar. Deri tani të dy palët kanë qenë në distancë sa i përket çështjeve të integrimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor ishin të papërgatitura dhe faktikisht janë të papërgatitura për t'u bërë pjesë e BE-së. Por edhe disa vende të BE-së, sidomos Franca, kanë luajtur me kartën e integrimit dhe e kanë zhvleftësuar këtë kartë në një farë mase”, është shprehur ai.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Sipas tij, tani vendet e BE-së janë të gatshme t’i pranojnë këto shtete në gjirin e tyre, derisa shton se çdo përpjekje për të ndryshuar kufijtë jo vetëm pengon integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, por e kthen një pjesë të tij në agjendën ruse të gjeopolitikës.

“Tani duket se në BE kanë ndryshuar ekuilibrat, vendet anëtare të saj janë të gatshme të pranojnë në gjirin e vet këto vende. Madje non paper-i i Borrell e tregon këtë. Ai thotë se "Ballkani Perëndimor është një rajon kyç me rëndësi gjeostrategjike në Evropë dhe për Evropën. Ai tha gjithashtu se "Nuk do të presim më dy vjet, madje as dy muaj derisa ta rikthejmë Ballkanin Perëndimor në agjendën e BE-së". Ndërkohë duhen zgjidhur shumë probleme dhe konflikte. Ka qarqe që i shërbejnë interesave ruse e serbe në rajon dhe që rekomandojnë se problemet e Ballkanit "zgjidhen përmes ndryshimit të kufijve"! Por është e qartë se çdo përpjekje për të ndryshuar kufijtë jo vetëm pengon integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, por e kthen një pjesë të tij në agjendën ruse të gjeopolitikës. Për pasojë përveçse konflikteve lokale, rajonit I shtohet edhe një pengesë tjetër e pakapërcyeshme në integrime, e cila ka të bëjë me influencën e Rusisë dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë”, ka vlerësuar Bytyçi.

Profesori më tej ka theksuar se duket se Borrell e ka kuptuar rrezikun e lojës me kufij, jo vetëm për Spanjën por për destabilizimin e të gjithë kontinentit.

“Nëse Borrell flet për rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor për Europën, ai e di se vetëm zgjidhja e drejtë e problemeve dhe konflikteve në rajon krijon stabilitet dhe paqe. Dhe pa stabilitet e paqe nuk do të ketë integrime euro-atlantike. I ngarkuari për Siguri dhe Politikë të Jashtme të Europës, spanjolli Borrell duhet ta ketë kuptuar se loja me kufijtë është rrezik jo vetëm për vendin e tij, Spanjën, por për destabilizimin e të gjithë kontinentit. Me siguri që kjo lojë do të çojë në përshpejtimin e zgjidhjes së konflikteve në rajon. Para së gjithash në Bosnjë-Hercegovinë e më pas edhe në Kosovë me dialogun e saj me Serbinë”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai përmend edhe faktin se në “Non paper” flitet dhe për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, të cilat BE nuk dëshiron t’i ndajë.

“Në non-paper flitet për nisjen e bisedimeve për integrim midis BE-së nga njëra anë dhe Shqipërisë e Maqedonisë, nga ana tjetër. Analiza gjeostrategjike shërben për t'i kujtuar në këtë rast Bullgarisë se ajo "dëmton interesat e Europës, nëse vendos veton e saj kundër Maqedonisë së Veriut"! Duket se Brukseli nuk dëshiron t’i ndajë nga njëra tjetra Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, megjithë problemet e mëdha me demokracinë që ka shkaktuar qeveria e Tiranës. Dhe ky do të ishte një sukses për të dy vendet si dhe për BE-në”, ka shtuar profesori.

Sa i përket Kosovës, Bytyçi ka thënë se premtohet nënshkrimi i MSA-së, por që sinjali i parë do të ishte liberalizimi i vizave pasi nëse nuk ndodh kjo shumë shpejt, mund të përdoret si karrën dhe nëse ndodh kështu, marrëveshja Kosovë-Serbi mund të jetë larg.

“Premtohet që me Kosovën të nënshkruhet Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit. Por sinjali i parë i angazhimit europian për Kosovën do të ishte liberalizimi i vizave. Nuk e di nëse kjo lidhet me dialogun Kosovë-Serbi, për ta përdor si presion ndaj Kosovës, siç e përdoren në rastin e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Pra, nëse vizat nuk liberalizohen shpejt, atëherë ka mundësi që ta përdorin si karrem këtë akt. Kjo është pabesi. Dhe nëse ndodh kjo, atëherë duket se marrëveshja përfundimtare midis dy vendeve nuk do të jetë e drejtë dhe e ndershme. Sa I përket Kosovës ka gjithashtu një dilemë. Sa kohë që pesë vendet anëtare të BE-së nuk e kanë njohur atë, vështirë se zoti Borrell do të ketë sukses në objektivat e tij që paraqet në non paper-in e tij”, ka thënë ai.

Krejt në fund, profesori ka deklaruar se BE duhet ta zgjidh konfliktin Kosovë-Serbi dhe konfliktin tjetër midis Beogradit dhe Banja Llukës nga njëra anë dhe Sarajevës nga ana tjetër, derisa shton se është lehtë të shkruhen “Non paper” dhe të thuash se duhet integruar Ballkani Perëndimor por të zgjidhësh sipas parimeve të drejtësisë konfliktet midis vendeve ballkanike dhe se tani BE e ka mundësinë ta bëjë këtë.

“Ka një tendencë që gjithë rajoni të shkojë në bllok në BE. Por është krejt e pasaktë dhe e pamundshme kjo. BE-së i duhet të zgjidhë jo vetëm konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe konfliktin tjetër midis Beogradit dhe Banja Llukës nga njëra anë dhe Sarajevës nga ana tjetër. Kjo është detyra më e vështirë për BE-në. Është lehtë të formulosh një non-paper e të thuash se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në BE. Por është vështirë të bësh drejtësi dhe të zgjidhësh sipas parimeve të drejtësisë konfliktet midis vendeve ballkanike. BE e ka mundësinë që ta bëjë këtë, nëse do të ishte homogjene në qëndrimet e saj. Por sa kohë që një shtet I fuqishëm përkrah padrejtësinë e një shtet tjetër drejtësinë. vështirë që në Bruksel të gjendet gjuha e përbashkët për integrimet europiane të Ballkanit Perëndimor”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat