“Vuçiqit i hasi sharra në gozhdë”, kjo i ndodhi me Vjosa Osmanin në Slloveni – ja paralajmërimi për presidenten

Politika

“Vuçiqit i hasi sharra në gozhdë”, kjo i ndodhi me Vjosa Osmanin në Slloveni – ja paralajmërimi për presidenten

Nga: P.R Më: 20 maj 2021 Në ora: 21:19
Vjosa Osmani në kuadër të Samitit të Brdo-Brionës në Slloveni

Që nga zgjedhja në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është ballafaquar për herë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

E në përballjen e saj, Osmani është përplasur me Vuçiqin në kuadër të Samitit të Brdo-Brionës në Slloveni, ku për këtë Osmani ka dhënë vet detajet.

“Vuçiq insistonte që ndryshimi i kufijve të vendeve të Ballkanit Perëndimor t’ju lihen vetëm shteteve anëtarëve që janë pjesë e OKB-së. Kur ne folëm për këto krime, aty ndodhi kundërshtimi i Vuçiqit. Ne folëm qartë për krimet e kryera edhe në Bosnje edhe në Kosovë dhe kjo o pengoi Vuçiqin. Unë isha e qartë që Serbia do të ecë përpara vetëm kur e pranon shtetin e Kosovës dhe vetëm kur i vë prapa grilave kriminelët. Vuçiq kishte qasje tjetër dhe kjo është për të ardhur keq”, ka thënë Presidentja Vjosa Osmani lidhur me përplasjen me Vuçiqin në kuadër të Samitit të Brdo-Brionës në Slloveni.

Por analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, paraqitjen e Vjosa Osmanit e cilëson si më dinjitozen në 15 vitet e fundit.

Image
Gani Qarri

“Lidhur me samitin e fundit të Brdo-Brione-së, sa i takon paraqitjes së Dr. Vjosa Osmani, ashtu siç u citua edhe nga presidenti kroat, ai malazez dhe slloven, presidentja e vendit tonë ishte mjaft bindëse, shumë e vendosur dhe pafundësisht insistuese, gjë që e dëshmoi edhe në përplasjen e saj të ashpër me Aleksandër Vuçiqin. Paraqitja e saj, ishte ndër paraqitjet më sublime të deritanishme dhe qëndrimi i parë më dinjitoz i një presidenti/eje të vendit tonë, në 15 vitet e fundit, në një samit rajonal të dominuar kryesisht nga shumica e vendeve sllavishtfolëse, siç ishte ky i fundit i bashkëorganizuar nga Sllovenia dhe Kroacia, në Brdo-Brione si anëtare të BE-së, nga Ballkani Perëndimor”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Por Qarri shprehet i habitur dhe i befasuar me heshtjen e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ishte pjesë e Samitit të Brdo-Brionës në Slloveni.

“Ndërsa ajo që befasoi dhe la shumë për të dëshiruar, ishte heshtja e turpshme e Ilir Metës, i cili jo vetëm që nuk u pa ta mbështeste publikisht me asnjë fjalë zonjën Vjosa Osmani, por ai edhe sillej më tepër si një kurir i thjeshtë i tubimit, se sa, si një burrështetas dhe president e përfaqësues zyrtar i shtetit amë Shqipërisë, duke lënë të zhgënjyer të gjithë shqiptarët me neglizhencën e tij, aspak diplomatike, dhe tejet të ulët, nga rangu, në të cilin atë, shteti e ka deleguar”, shprehet Qarri.

“Madje presidenti serb, duke parë heshtjen memece të Metës dhe menduar se Vjosa Osmani do të mbetej e vetme e pa përkrahjen e të tjerëve, si dhe i mësuar me qëndrimet përulëse dhe gjithë pajtuese të Thaçit, krimineli Vuçiq, të cilin Kosova e mbanë mend mirë edhe si ministër të informatave të qeverisë së kasapit Millosheviç gjatë viteve të okupimit klasik të Kosovës nga Serbia okupatore, edhe në këtë samit kishte shkuar me pretendimet për ta poshtëruar serish Kosovën, duke propozuar edhe një formulim të ri oportunist, që do t’i ndalonte të gjitha shtetet që ta njohin Kosovën dhe ti tërhiqnin njohjet edhe Kroacia, Sllovenia e shtete të tjera që tanimë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në emër të mos ndryshimit të kufijve, të ish Jugosllavisë, që moti të shuar”, thekson më tej analisti Qarri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Aleksandër Vuçiqit i hasi “shara në gozhdë” në përballjen me Vjosa Osmanin.

“Ndaj që në fillim, u përpoq, që në dokumentet e shkruara të samitit, si dhe raportin e përgatitur zyrtar të këtij takimi, ta fuste Kosovën brenda kufijve të Serbisë hegjemoniste, njëjtë si në marrëveshjet e ashtuquajtura të "minishengenit" që Vuçiq bënte, në formë të "hajgareve" të turpshme me Edi Ramën, i cili për t`ia bërë qejfin Vuçiqit, menjëherë publikonte harta, duke paraqitur Kosovën si pjesë e territorit të Serbisë. Mirëpo kësaj radhe Vuçiqit i hasi sharra në gozhdë, ngase Prof. Dr. Vjosa Osmani ishte arrë e fortë për të, në përballje me të cilën, ai ishte gati t’i thyente dhëmbët ndaj dhe u largua kokulur para kohe nga tubimi, pasi që presidentja jonë e ngritur dhe me arsimim superior, nuk pranoi në asnjë mënyrë që të heshteshin gjenocidi dhe krimet e luftës të shkaktuar nga Serbia në Kosovë, siç veproi kuislingu Thaçi, për mbi 21 vite me radhë, duke i quajtur ato publikisht para të gjithë pjesëmarrësve me emrin përkatës”, deklaron Qarri.

Qarri shton se me paraqitjen e saj në Slloveni, Vjosa Osmani u dha leksion ish presidentëve të kaluar se si duhet të mbrohen interesat e shtetit.

“Për aq më tepër zonja Vjosa Osmani hodhi poshtë kategorikisht, edhe deklaratën e pretenduar të Vuçiqit sipas të cilit, në dokument duhej të cekej ruajtja e kufijve të krijesës ish jugosllave, me qëllim të parashkrimit arbitrar të Kosovës si territor me status të papërcaktuar dhe krahinë të Serbisë, përkundër faktit që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, qysh me 22 korrik të vitit 2010 e ka vulosur juridikisht legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, të cilën tanimë e kanë njohur shumica e vendeve anëtare të OKB-së, si shtet sovran e të pavarur . Kështu që vet akti i saj i guximshëm e parimor, u dha leksion edhe ish presidentëve të kaluar dhe atyre që do ta pasojnë Dr. Vjosa Osmanin, duke dëshmuar se si mbrohen interesat e shtetit”, nënvizon Qarri.

Sipas Qarrit, Kosova më në fund po po përfaqësohet nga njerëzit e duhur në arenën ndërkombëtare.

“Kosova vërtetë po përfaqësohet nga njerëzit e duhur, të cilëve me të drejtë populli ua dha votën dhe vendosi ata në krye të presidencës dhe Qeverisë, për mbrojtjen dhe çuarjen përpara të interesave të qytetarëve e shtetit të lirë e të pavarur dhe sovran të Kosovës, të cilët munden dhe dinë ta mbrojnë burrërisht dhe siç u ka hije përfaqësuesve të vërtetë diplomatik e shtetëror, Kosovën dhe kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Për fund, Qarri deklaron se Vjosa Osmani do të jetë e pa kompromis përballë Aleksandër Vuçiqit dhe zyrtarëve serb.

“Prof. Dr. Vjosa Osmani ashtu siç e vërtetoi edhe në samitin e fundit, ka krijuar siguri të madhe dhe bindje shumë të fortë tek të gjithë qytetarët e vendit tonë, se edhe në vitet dhe takimet pasuese, ajo do të jetë e pa kompromis përballë pasardhësve të Millosheviqit dhe ministrave e bashkëpunëtorëve të tij kriminel, si Aleksandër Vuçiqi të cilët ishin edhe pjesë e mekanizmave ekzekutive dhe urdhërdhënëse të masakrave dhe gjenocidit e krimeve të organizuara shtetërore të Serbisë ndaj shqiptarëve të pambrojtur, në vitet e okupimit klasik të Kosovës nga policia dhe ushtria pushtuese serbe, si Aleksandër Vuçiqi, i cili dëshmoi se nuk është në gjendje të ballafaqohet me të vërtetën, as ta pranoj realitetin dhe detyrohet të ik nga mejdanet, aty ku ato i citohen me fakte dhe dëshmohen para syve të tij dhe gjithë pjesëmarrësve tjerë të takimeve të tilla të rëndësishme ndërshtetërore dhe rajonale”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat