Ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK flet për “sulmet” ndaj Osmanit, Kurtit e Gërvallës – ky është skenari ndaj krerëve të vendit

Politika

Ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK flet për “sulmet” ndaj Osmanit, Kurtit e Gërvallës – ky është skenari ndaj krerëve të vendit

Nga: N. H Më: 22 maj 2021 Në ora: 17:04
Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla

Qeveria Kurti II ka bërë 60 ditë që është duke udhëhequr vendin. Sikurse në mandatin e parë, edhe në të dytin, sfida më e madhe e ekzekutivit mbetet përballja me pandeminë Covid-19, dhe dialogu me Serbinë.

Në këtë 60 ditësh, kjo qeveri ka arritur të sigurojë vaksinat Covid-19. Edhe pse ende nuk ka blerë asnjë, vaksinat që kanë ardhur deri më tani kanë qenë donacion.

Në lidhje me punën e deritanishme të qeverisë aktuale, “Bota sot”, ka kontaktuar ish-komandantin e Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK, Hafir Hoxha, njëherit njohës i mirë i zhvillimeve politike në vend.

Hoxha duke folur për Qeverinë Kurti II, ka thënë se fillimisht ekzekutivi aktual është duke e skanuar punën e qeverive të kaluara.

Image
Ish-komandanti I Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK, Hafir Hoxha.

“Që nga formim i Qeverisë Kurti II, zgjedhja e Kuvendit, dhe e presidentes Vjosa Osmanit, ka kaluar kriza institucionale e Kosovës. Tani këto organe, të gjitha institucionet janë duke u futë gradualisht në sektorin e punës për çka dhe janë detyrat e tyre e jo të merren vetëm më vetveten e tyre sikur që ndodhë në situata kur ato organe nuk janë stabile, dhe si organe ekziston mundësia më lehtë të ndërrohen sikur që edhe ndodhe me dy qeveritë e kaluara. Qeveria është duke i skanuar aktivitetet, punët, vendimet e qeverive të kaluara duke i evidentuar gabimet e tyre, shkeljet e ligjeve dhe keqpërdorimet të këtyre organeve, ku në të njëjtën kohë ballafaqohet edhe me prezantimin dhe paraqitjen e programit qeverisës për një qeverisje më ndryshe për çka dhe i kanë fituar zgjedhjet bindshëm me dallim të madh; VV-ja dhe Lista Guxo ne krahasim me partitë tjera e sidomos me LDK-në, PDK-në dhe AAK-në”, ka thënë Hoxha, për “Bota sot”.

Sipas Hoxhës, në 60 ditët e para të qeverisë aktuale vërehet një qasje ndryshe e të udhëhequrit me vendit, ndryshe me atë sa ishin në opozitë.

“Gjatë këtyre detyrave fillestare vërehen disa ndryshime tek institucionet, vërehen disa ndryshime të qasjes më ndryshe të politikës së VV-së, në krahasim me atë që kanë folur deri sa ishin në opozitë. PDK si parti e madhe opozitare ka probleme serioze të brendshme strukturale. Me shkuarjen e z. Thaçi dhe z.Veseli në Gjykatën Speciale vërehet se ka munguar funksionalizimi i demokracisë brenda kësaj partie, pasi funksionalizimi i saj shihet se është varur tepër nga z. Veseli dhe z. Thaçi, si dhe se nuk kanë pas staf, Kryesi të partisë të përgatitur që të funksionojë fuqishëm partia edhe në raste emergjente pra në mungesë të dy liderëve kryesore të saj. LDK e shokuar me dënimin nga votuesit që mori në zgjedhjet e fundit ka detyra primare që të ristrukturohet me kuadro, zgjodhën kryetarin e ri, janë duke u marrë me pasojat e “cunamit” politik që përjetoi në zgjedhjet e fundit, dhe është duke u munduar të ftohë, t’i qetëson fraksionet brenda saj në të njëjtën kohë duke hulumtuar të gjejë një formë të komunikimit me presidenten Vjosa Osmanit dhe me Qeverinë Kurti”, tha me tej ai.

Kurse, lidhur me sulmet e fundit të opozitës në drejtim të krervë të vendit, ai thotë se e gjithë kjo po ndodhë pasi këto parti janë në opozitë dhe e kaluara e tyre e dyshimtë ka bërë që këto të fundit të krijojnë panikë tek qytetarët, dhe të sulmojnë qeverinë pa asnjë bazë e logjikë.

“Se çfarë komunikimi bëjnë, ndikon direkt edhe te rehabilitimi i brendshëm i LDK-së që mundet me ndikua pozitivisht dhe negativisht. AAK-ja pasi po i ruajnë votat e veta mundohet mos t’i prish punët me askënd dhe kur t’i vjen rasti me hy në funksion si peshë e vogël, por që ndikon në nivelizim të fuqive politike. Në tersi opozita, partitë opozitare kanë problemet e tyre të brendshme brenda partive, fuqia e kuvendit dhe e Qeverisë Kurti i ka ngujuar seriozisht dhe gjinden në një situatë krejtësisht të re, ku tani i kanë mizat nën plis si thotë populli dhe përcjellin qeverinë se ku çka po hulumton e çka po gjen”, ka shtuar Hoxha.

Ai ka nënvizuar se opozita aktuale është shumë e dobët.

“Këtu keqbërësit e mëhershëm frikohen, kritikojnë, janë në panik. Tri partitë opozitare nuk kanë mundësinë tani të formojnë bllok të përbashkët më të fuqishëm opozitarë, andaj edhe si opozitë janë shumë më të dobët kur nuk i kanë qasjet opozitare të sinkronizuara mes tyre. Të gjitha vërejtjet dhe kritikat që i bëjnë opozitarët janë kritika të lidhura drejtpërsëdrejti në aktivitete e qeverisë, ku shpesh kritikojnë edhe për punët e pa bëra ose të bëra keq nga vet ata deri sa ishin në qeverisje”, ka nënvizuar Hoxha.

Kurse, ai është i mendimit se kritikat e fundit për Osmanin, Kurtin e Gërvallaën, janë të të paplanifikuara, të pabaza, të formuara aty për aty.

“Kritikat ndaj Albin Kurtit, Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës nga opozita janë kritika të paplanifikuara, të pabaza, të formuara aty për aty, kritika që ata që i bëjnë e bëjnë më shumë që t’i mbajnë partitë e tyre aktive, të mbajnë një ritëm të aktiviteteve politike gjallë, disa kritika vijnë edhe nga frika dhe si lloj kërcënimi ndaj qeverisë që t’u tregojnë atyre se deri ku guxojnë të hulumtojnë të kaluarën e tyre, dhe frika nga llogaridhënia nëse zbulohen keqpërdorime te funksioneve, menaxhim i dobët i resurseve njerëzore, materiale, financiare etj. Pra, opozita nuk posedon politik të qartë opozitare. Qeveria është duke u përballuar me të kaluarën e politikave të qeverive të mëhershme , por edhe me detyra me dhe obligime të ndryshme politike ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Mirëpo, krejt në fund, ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK, ka theksuar se kjo qasje e opozitës pa koncept, pa përmbajtje, ndikonë shumë negativisht edhe në suksesin e Qeverisë Kurti II.

“Për t’i ndryshuar politikat e deritanishme, duhet me i ndryshuar edhe kuadrat sikur rasti i përfaqësueseve diplomatik që u ndërruan, kjo qasje e opozitës pa koncept, pa përmbajtje, kritika nga frika dhe paniku kuptohet jo njëjtë nga të gjitha partitë opozitare duke u munduar të dëmtojnë seriozisht punën dhe ritmin e punëve të qeverisë, ndikojnë shumë negativisht edhe në suksesin e qeverisë e cila po mundohet dhe po vërejmë se ka një qasje ndryshe te qeverisjes, por në të njëjtën kohë është duke e kuptuar edhe Kurti, Osmani dhe shumë lider të qeverisë se nuk mundesh të mendosh dhe t’i zbatosh idenë opozitare kur je në pozitë pasi aty ka edhe faktor tjerë të jashtëm që janë me detyruar”, ka përfunduar Hafir Hoxha, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat