Ndryshimi i kufijve/BE nuk mund të vendosë pa pëlqimin e këtyre shteteve, ky është mesazhi i deklaratës së Palmer

Politika

Ndryshimi i kufijve/BE nuk mund të vendosë pa pëlqimin e këtyre shteteve, ky është mesazhi i deklaratës së Palmer

Nga: G.B Më: 5 qershor 2021 Në ora: 16:00
Mirosllav Lajçak, Albin Kurti, Matthew Palmer

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ekziston dokumenti joformal "Non paper" slloven, i cili në mes tjerash, flet për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Këtë e ka konfirmuar Komisioni Evropian për Agjencinë austriake të lajmeve APA, derisa ka thënë se kanë “identifikuar” vetëm një dokument të këtij lloji, i cili i përmbush “kriteret” e pretenduara.

Në anën tjetër, zëvendësndihmës sekretari i shtetit, Mathew Palmer, ka deklaruar se ndryshimi i kufijve mund të ndodh vetëm nëse duan Kosova dhe Serbia, e që Kosova nuk e dëshiron një gjë të tillë.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se konfirmimi i BE-së e zbardh atë që është folur për Kosovën me dritë e terr.

"Konfirmimi i BE së Sllovenia ka kërkuar ndryshim kufijsh zbardh atë që është histori e përfolur prej javësh në qarqet e korridoret me dritë e me terr të politikës për Kosovën e rreth Kosovës", ka thënë ai.

Image
Rexhep Shahu

Sa i përket deklaratës së Palmer, Shahu ka thënë se ai pohon se Amerika është në tavolinën e bisedimeve dhe shqiptarët e duan këtë.

"Deklarimi i Palmerit si përfaqësues amerikan që kufijtë ndryshohen nëse duan Kosova e Serbia, pohon se Amerika është në tavolinë dhe shqiptarët atë duan që Amerika të jetë në tavolinën e bisedimeve shqiptaro - serbe", është shprehur Rexhep Shahu për "Bota sot".

Ndërsa, lidhur me BE-në, ai ka vlerësuar se ajo nuk mund të vendosë pa pëlqimin gjerman dhe atë amerikan.

"Besoj se BE nuk është e nuk mund të bëhet një zë, por gjithashtu besoj se nuk mund të vendosë BE pa pëlqim e pajtim gjerman, përjashto diktimin amerikan", ka shtuar ai.

Shahu më tej ka thënë se nuk e di arsyen pse Sllovenia kërkon ndryshim kufijsh por që në këtë lojë mes Kosovës e Serbisë, beson në arbitrimin amerikan dhe është i bindur se amerikanët e dinë se Kosova është investim i tyre.

"Nuk di arsyen pse Sllovenia kërkon ndryshim kufijsh, as se çfarë e si, as nuk e di fuqinë e saj politike e diplomatike që të ofrojë zgjidhje. Në këtë shah politik që po luhet mes Kosovës e Serbisë, unë besoj në arbitrimin amerikan. Besoj në arbitrimin amerikan i bindur se amerikanët politikë e dinë se Kosova është një investim amerikan, liria, pavarësia e shtetësia e Kosovës është para së gjithash investim amerikan", ka deklaruar Rexhep Shahu për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat