Ka përfunduar koha kur... Ja çka e pret Aleksandër Vuçiqin në takimin “kokë më kokë” me Albin Kurtin

Politika

Ka përfunduar koha kur... Ja çka e pret Aleksandër Vuçiqin në takimin “kokë më kokë” me Albin Kurtin

Nga: P.R Më: 14 qershor 2021 Në ora: 22:01

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për herë të parë do të takohet kokë me kokë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Para këtij takimi, Kurti ka thënë se nuk mund të formohet asnjë asociacion njëetnik, kurse Vuçiq ka deklaruar se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.

Por cfarë do të diskutohet nesër në takimin Kurti-Vuçiq? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

Sipas tij, tani e tutje Kosova dhe Serbia do të takohen vetëm si dy shtete të barabarta.

“Koha kur krimineli dhe bashkëpunëtori i kasapit Millosheviq, Aleksandër Vuçiqi caktonte nga Beogradi, datat dhe temat për të cilat do të bisedohej në Bruksel, fatbardhësisht ka përfunduar. Madje ai duhet ta dijë dhe të mësohet sa më shpejt edhe me faktin se më nuk do të bisedohet ndërmjet "Beogradit e Prishtinës" dhe Kosova të ulet në tryezën e bisedimeve si krahinë e Serbisë e mbuluar me fusnotë ku e pati katandisur kuislingu Hashim Thaçi, por tani e tutje do të bisedojnë vetëm Kosova dhe Serbia si dy shtete të barabarta, dhe as që do të flitet më për rregullimin e brendshëm shtetëror të Kosovës, por për arritjen e një marrëveshje me përfundim njohjen reciproke”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se njohjen reciproke po e kërkon edhe shteti më i fuqishëm në botë, SHBA.

Image
Gani Qarri

“Për aq më tepër, në të gjitha letrat dhe deklaratat e tij, këtë e kërkon edhe vet presidenti i SHBA-ve, z. Joe Biden, i cili ka ndaluar paraprakisht edhe tendencat e kriminelit Vuçiq që në tryezë, serish të mund të figurojnë edhe tema për ndryshimin e kufijve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe ndarjen e Kosovës”, thekson Qarri.

Sipas analistit Qarri, në takimin e nesërm, Vuçiq synon që të dialogojë për Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë.

“Kështu që, pikërisht sa i takon Republikës së Kosovës, me 15 qershor bisedimet në Bruksel do të rifillojnë në format dhe kondita krejt të reja, ku për herë të parë, do të takohen zyrtarisht kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, lajm që është konfirmuar edhe nga Peter Stano në Bruksel, zëdhënësi për Politikë të Jashtme i BE-së. Por megjithëse deri më tani nuk dihet saktësisht rendi i ditës, presidenti serb, serish tenton nga Serbia, që një prej temave më të nxehta që ai dëshiron të diskutohet, të jetë marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, deklaron Qarri.

“Mirëpo z. Kurti ka deklaruar, jo një por disa herë prerë se jo vetëm që nuk do të bisedohet, por në Kosovë as që do të ketë kurrë, një “Asociacion një-etnik", për çka, Vuçiq duke harruar se në Bruksel përball tij, nuk do të ulet më Hashim Thaçi, por z. Kurti, shprehet se nëse kryeministri Kurti nuk do të flasë, për Asociacionin, "nuk ka nevojë fare të vije në Bruskel", sikur kryeministri i ri i Kosovës, të ishte ftuar nga Serbia dhe jo nga BE, në dialog”, shpjegon më tej analisti politik, Gani Qarri.

Më tej, Qarri thotë se në Bruksel duhet trajtohet heqja e Republikës së Kosovës nga preambula e Kushtetutës serbe.

“E në fakt, siç dihet nga të gjithë, Serbia është vetëm njëra palë pjesëmarrëse, dhe jo padroni që mund të caktojë e vendosë, për gjithçka e vetme, si deri më tani, ku Kosova figuronte vetëm si dekor në bisedime, sa për të plotësuar kushtin e hapjes së kapitujve të ri për Serbinë, në rrugëtimin e saj drejtë BE-së. Madje edhe temat e dialogut, as që mund t’i i caktojë më Vuçiqi por ndërmjetësuesit e BE-së dhe atë me dakordimin e të dy palëve, dhe aty është koha të trajtohet heqja e Republikës së Kosovës nga preambula e Kushtetutës serbe dhe jo të trajtohet edhe më tej, vetëm oaza e dëshirave të Vuçiqit, siç dëshiron ai të vendos dhe shohë Kosovën, ngase tash e tutje, Kosova do të flas vet për vete”, shprehet Qarri.

Ai shton se Asociacioni i Komunave Serbe, e bosnjëzon Kosovën.

“Kurse sa i takon asociacionit një etnik serb, sidomos në takimin e parë, ai vetëm mund t’i acarojë përplasjet mes palëve, nëse BE vërtetë lejon të ndodhë një gjë e tillë, sepse bisedime të njëmendta për asociacion një-etnik në Kosovë, jo vetëm që nuk pritet por as nuk guxon të ketë, ngase këtë e ka hedhur poshtë edhe vet Kushtetuta e Kosovës, e cila ndalon rreptësishtë një ngrehinë tjetër të re ala "Republika srpska" me kompetenca ekzekutive, e që do ta bosnjëzonte edhe Kosovën dhe rrezikonte paqen, jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë Ballkanin perëndimor”, deklaron Qarri.

Për fund, Qarri shprehet se nëse Bashkimi Evropian synon të krijojë paqe, nuk duhet të bëjë presion për krijimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.

“Ndaj nëse BE, vërtet tenton të krijojë paqe dhe jo të nxisë kriza de ngritë vatra të reja lufte, në këtë pjesë të Evropës Juglindore edhe vet ajo nuk mund të lejojë krijimin e asociacioneve një etnike në Kosovë, përderisa Kosovën me mbi 95 % të popullsisë shqiptare, strukturë etnike kjo, që pak shtete mund ta kenë në këto përmasa në Evropë e më gjerë, e ka detyruar me insistimin e vet BE-së, të pranojë kompromisin e emërimit të saj si Republik multietnike. Kështu që, tani as që mund të ketë moral dhe karakter, që ta ri detyrojë edhe njëherë Kosovën, të bëjë një akt tjetër të paprecedent dhe krijojë asociacion një etnik vetëm për 20-30 mijë serb, një pjesë e të cilëve janë ardhacak nga Bosnja e Kroacia, ku mund të kenë kryer edhe krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si ushtar të kriminelit Ratko Mladiqit dhe oficerëve tjerë kriminel serb, gjatë viteve të luftës atje, të cilët për bëmat e tyre makabre, Tribuanili i Hagës ende vazhdon t’i gjykojë dhe dënojë me dënime kapitale”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat