Reagimi i opozitës skandal i paparë/Përkrahje e fuqishme ndaj Kurtit, ja çfarë dëshmoi takimi me Vuçiqin

Politika

Reagimi i opozitës skandal i paparë/Përkrahje e fuqishme ndaj Kurtit, ja çfarë dëshmoi takimi me Vuçiqin

Nga: G.B Më: 16 qershor 2021 Në ora: 12:58
Pamje nga takimi në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar dje në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe emisarit të tij Miroslav Lajçak.

U raportua se takimi ishte mjaft i vështirë, por që dialogu është i nevojshëm.

Kryeministri Kurti bëri katër propozim, 3 prej të cilave u refuzuan nga ana e palës serbe.

“1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në. 2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty. 3. Pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. 4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, ishin propozimet e Kurtit.

Kryeministri po ashtu përmendi padinë për gjenocid dhe të pagjeturit, ndërsa që nuk ka dashur të flas për Asociacionin e komunave serbe.

Ai po ashtu ka pyetur Vuçiqin se kur do ta njohë Kosovën si shtet, për çka ky i fundit ka thënë “kurrë”.

Lidhur me takimin Kosovë-Serbi të mbajtur dje në Bruksel, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Ai ka thënë se takimi i djeshëm ishte ndryshe nga që jemi mësuar të shohim deri tani, me fotografi dhe fjalime pa përmbajtje, ndërsa dje ishte e vërteta dhe Kurti dje e devijoi agjendën e dialogut nga temat e imponuara prej Serbisë te temat që dëshiron Kosova të diskutohen e për të cilat duhet marrëveshje.

“Takimi i djeshëm i zotit Kurti me zotin Vuçiq në Bruksel në praninë e ndërmjetësuesve të BE-së, Borrell dhe Lajçak, ishte ndryshe nga takimet e mëparshme. Ishim mësuar të shihnim fotografi të Vuçiq me Thaçin, fjalime pa përmbajtje, por me fjalë mashtruese, kur secili komunikonte me elektoratin e vet. Dukej sikur takimet bëheshin për të forcuar pozitat autoritariste të dy liderëve në bisedime, përkatësisht presidentit të Serbisë dhe ish-presidentit të Kosovës. Por në fakt intriga zhvillohej në prapaskenë, jashtë syve të qytetarëve. Dje pamë diçka tjetër. Pamë të vërtetën, atë që njerëzit prisnin të shihnin. Formalisht ky takim shërben për të rikthyer besimin te lidershipi I ri, sepse makiazhi I lidershipit të kaluar e kishte dobësuar e zvetënuar këtë besim. Dje Albin Kurti e devijoi agjendën e dialogut nga temat e imponuara prej Serbisë te temat që dëshiron Kosova të diskutohen e për të cilat duhet marrëveshje. Dje pamë se dialogu duhet të fillojë me diskutimin për njohjen dhe jo me diskutime për tema pa fund, të cilat e çojnë dialogun në pafundësi”, është shprehur ai.

Sipas tij, reagimet e opozitës ishin në mbrojtje të agjendës serbe në dialog, pasi Kurti nuk ka pse të jetë i detyruar të diskutojë për Asociacionin e nënshkruar nga dikush tjetër.

“Fatkeqësisht shumë përfaqësues të opozitës në reagimet e tyre mbrojtën agjendën serbe në dialog. U tha se "Albini nuk mund t'u ikë temave të dialogut", ose "po ikën nga dialogu, sepse ka frikë"! Këto interpretime me ose pa dashje janë në funksion të agjendës së Beogradit. Sepse nënkuptojnë se Albin Kurti është i detyruar të diskutojë për Asociacionin. E pse qenka i detyruar? Se këtë e dëshiron Aleksandër Vuçiq dhe ata që e firmosën marrëveshjen e Asociacionit ?! Të mos dish të reflektosh është më e rëndë sesa të gabosh! Kjo duhet ta shqetësojë qytetarin e Kosovës sa i përket të bërit opozitë në këtë vend”, ka vlerësuar profesori.

Ai ka theksuar se njohja duhet të realizohet më parë se normalizimi dhe marrëveshjet e tjera dhe ky është parim i Kurtit që paraqiti dje në Bruksel.

Bytyçi përmend dhe Ramush Haradinajn, derisa thotë se ishte ai që e hoqi taksën ndaj Serbisë dhe tani i kërkon Kurtit që ta pranojë agjendën serbe.

“Parimi që të realizohet njohja më parë se sa normalizimi dhe marrëveshjet e tjera është parimi themelor i ideve të Kurtit që ai shprehu dje në Bruksel. Kjo është ajo që duhet bërë. Jo zhagitja pafund në llumin e një diskutimi pa bereqet, apo në dështimin e përpjekjeve për të zbatuar marrëveshjet e nënshkruara nga ana e Serbisë. Edhe zoti Haradinaj mu duk pak i çuditshëm. Po më duket se ka harruar se vendosja e taksës ndaj Serbisë e bllokoi marrëveshjen e ndarjes së Kosovës. Nga ana tjetër i kërkon Albin Kurtit të pranojë agjendën serbe të Aleksandër Vuçiq. Në fakt zoti Kurti e ka theksuar para shkuarjes në Bruksel para disa javësh se agjendën e bisedimeve si dhe datën e saj nuk e përcaktojnë të tjerët, aq më pak Beogradi. Që këtu nis epërsia politike dhe diplomatike në këto diskutime. Këtë epërsi të krijuar po e kritikojnë sidomos Partia Demokratike, por dhe zoti Haradinaj e Lutfi Haziri. Partinë Demokratike e kuptoj në qëndrimet e veta. Nëse përkrah qasjen e zotit Kurti, ajo do të dëshmohet si dështuese e udhëheqjes së dialogut. Por nuk po e kuptoj zotin Haradinaj e zotin Haziri”, ka thënë Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai ka vlerësuar se propozimet e Kurtit ishin të duhura dhe se ato e vendosën në vështirësi delegacionin serb dhe zbuluan mashtrimin e Serbisë se ajo është pro paqes.

“Propozimet e zotit Kurti në atë takim ishin ato që duheshin. Ka "ekspertë" që p.sh propozimin për një pakt paqeje e kritikojnë si kundërvënie të Marrëveshjes së Kumanovës të 9 qershorit 1999. Në fakt marrëveshjet e paqes përtërihen vazhdimisht. Kjo është praktikë ndërkombëtare. Ndërkaq kërkesa e Kurtit e vendos në vështirësi delegacionin serb, sepse kundërshtimi I një marrëveshjeje të tillë është kundërshti për paqen në rajon. kështu Serbia demaskohet si destabilizuese e rajonit, siç edhe është në fakt. Në Beograd thonë vazhdimisht se qeveria serbe është për paqe, për lojalitet etj. Ja ku e dha provën Albin Kurti, që të gjitha deklarimet e Vuçiç të zbulohen si mashtrime të opinionit publik”, ka deklaruar Bytyçi.

Sa i përket kërkesës për ndërrimin e kryetarit të komisionit serb për të pagjeturit, profesori thotë se nuk është në rregull kritika e opozitës, e as lidhur me Asociacionin, për çka Kurti kërkoi që të zëvendësohet me Këshillin e minoritetit serb në Kosovë, derisa reagimin e opozitës e quan mjerim dhe skandal të paparë.

“U tha se duhet ndërruar kryetari i komisionit serb për të pagjeturit. Natsha Kondiç sot thoshte të njëjtën gjë. E quante të pamoralshme që ish-guvernatori I Kosovës në kohën e Milosheviçit të kryesonte atë komision. Madje ajo hedh mendimin që për kreun e këtij komisioni në Serbi duhet të bie dakord Kosova. Ndërsa opozita na del më ortodokse se Natasha Kondiç! Absurdi i absurdit është ky! Nga ana tjetër zoti Kurti kërkoi që Asociacioni të zëvendësohet me Këshillin e minoritetit serb në Kosovë, njësoj si ai që ekziston në Serbi për shqiptarët dhe pakicat e tjera. Ky ishte test i reciprocitetit. Por edhe kjo u duket e paarsyeshme jo vetëm Vuçiqit, por edhe shumë opozitarëve! Turpi ka emër! Një pjesë e opozitës në Kosovë ka emrin e turpit! Në vend që të kërkojnë pjesëmarrje në dialog dhe ta mbështesin qëndrimet e kryeministrit, këta opozitarë mbrojnë projektet dhe agjendën serbe në dialog përballë Kosovës! Mjerim dhe skandal i paparë”, ka potencuar ai.

Në fund, sa i përket padisë për gjenocid, Bytyçi ka thënë se kjo çështje as nuk duhet të diskutohet në Bruksel, pasi është e drejtë ndërkombëtare e Kosovës.

“Ndërsa sa i përket mos përmendjes së padisë për gjenocid ndaj Serbisë, kjo padi nuk ka pse të vihet në diskutim në Bruksel. Kjo e drejtë buron nga e vërteta dhe e drejta ndërkombëtare. Nëse vihet në tavolinën e diskutimeve, atëherë do të bësh autogol, sepse kërkon që një të drejtë të pamohueshme ta diskutosh me njeriun që udhëhoqi gjenocidin në Kosovë”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat