Pse Gani Geci u dënua nga një gjykatës serb?

Politika

Pse Gani Geci u dënua nga një gjykatës serb?

Nga: Nesib Hoti Më: 17 qershor 2021 Në ora: 14:13
Gani Geci

Ish-bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, njëherësh ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3 vite e 6 muaj burgim lidhur me akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014.

Sipas aktgjykimit të shpallur të premten e kaluar, nga gjykatësi serb Radosllav Markoviq, ish-luftëtari i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është dënuar me 3 vite burgim për vrasje të rëndë, kurse me 10 muaj burgim për armëmbajtje pa leje. Ndaj tij u shqiptua dënimi unik prej 3 vite e 6 muaj burgim efektiv.

Por, pse ishte pikërisht Radosllav Markoviq, gjykatësi serb, që mori një vendim të tillë?

Lidhur me këtë rast, “Bota sot” ka provuar gjatë këtyre ditëve të marrë qëndrimin e juristëve lidhur me ketë proces, mirëpo ata pa dashur të komentojnë këtë rast ka thënë se kjo është një çështje që i takon gjyqësisë.

Kurse, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, konsideron se janë të shumtë personat të cilët e dëshirojnë që Gani Geci të futet përfundimisht në burg, andaj ai mendon se ka qenë prapavijë e tentativës për ta dënuar ish-ushtarin e UÇK-së përmes një gjykatësi serb.

Juristi: Është një çështje e gjyqësisë

Gazeta “Bota sot” ka biseduar me njohësin e çështjeve juridike, profesorin e juristin e njohur, Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai pa dashur ta komentojë shumë këtë rast, ka bërë me dije se kjo çështje për këtë vendim i takon vetëm gjyqësisë, dhe se askujt tjetër.

“Kjo është një çështje e gjyqësisë”, ka deklaruar shkurtimisht njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

Analisti Mehmeti: Gani Geci është legjendë e gjallë

Kurse, për dallim nga juristi, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, ka deklaruar se rasti i është dhënë një gjykatësi serb në mënyrë që mos të ketë presion nga disa që dëshirojnë që Gani Gecin ta shohin në burg.

Image
Faton Mehmeti

“Realisht nuk e di arsyen pse një gjykatës serb e ka marr këtë rast, mbase ka qenë prapavijë e tentativës për ta dënuar Gani Gecin. Derisa gjykatës shqiptar nuk kanë pasur guximin për të trajtuar këtë rast nga gjykimi i opinionit publik, rasti i është dhënë një gjykatësi serb në mënyrë që mos të ketë presion nga disa që dëshirojnë që Gani Gecin shohin në burg”, ka thënë analisti Mehmeti.

Madje, analisti Mehmeti kujton faktin dhe shprehet se Geci ishte i vetmi që i ka rezistuar një ofensive të “ish-krahut të luftës” që tentonin të diskreditonin atë dhe familjen e tij, vetëm pse kanë mbajtur anën e presidentit Ibrahim Rugova.

“Janë shumë njerëz, disa edhe të dalë nga lufta, të cilët dëshirojnë që Gecin të futet në burg që mos të iu nxjerr të palarat gjatë luftës. Shto këtu pastaj faktin se Gani Geci është legjendë e gjallë, në kuptimin që ishte i vetmi që i ka rezistuar një ofensive të ish-krahut të luftës, që tentonin të diskreditonin atë dhe familjen e tij vetëm pse kanë mbajtur anën e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova”, tha me tej ai.

Në fund, Mehmeti ka theksuar se është tentuar që Geci të marrë sa më shumë vite burg, në mënyrë, gjithnjë sipas tij, që të izolohet nga jeta publike.

“Geci ka shumë armiq, edhe në rastin e Ruzhdi Shaqirit është tentuar që Ganiu të marrë sa më shumë dënim me burg, në mënyrë që të izolohet nga jeta publike. Kjo besoj dhe është afër mendsh të jetë arsyeja pse është tentuar që ish-luftëtari i orëve të para të UÇK-së të gjykohet nga një gjykatës serb, edhe për të tentuar të ul sado pak anën e tij patriotike dhe të familjes së tij gjatë dhe pasluftës në Kosovë”, ka deklaruar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Ish-polici hetues: Gani Geci ka qenë cak i një grupi të strukturuar që kryente vrasje, ku bënte pjesë edhe Ruzhdi Shaqiri

Kujtojmë se gjatë seancës gjyqësore, dëshmitari Murat Mehmeti që atë botë kishte punuar si zyrtar policor në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ndrecë Dodaj, kishte deklaruar se Gani Geci ka qenë cak i një grupi të strukturuar që kryente vrasje, ku bënte pjesë edhe Ruzhdi Shaqiri.

“Detyrë primare e kësaj Njësie ka qenë siguria fizike personale e disa personave në mes tjerave edhe tani të pandehurit tuaj Gani Geci dhe familjeve të tyre. Me sa më kujtohet deri në atë kohë 2003, persona të vrarë për shkak të fjalës së lirë, bindjeve politike kanë qenë 197 duke përfshirë ky ka qenë i plaguar, vrasje në tentativë, ndërsa bashkudhëtarët e tij kanë qenë të vrarë, jo vetëm në Mitrovicë”, tha Mehmeti.

Atentati ndaj Gani Gecit

Më datën 19.10. 2001 në një atentat në rrugën Skenderaj/Llaushë, Gecit iu vranë dy shokët e tij të ngushtë; Besim Dajaku e Bekim Kastrati (gazetar i gazetës “Bota sot”), kurse vet mori plagë të rënda.

Shërimi i tij u bë në kampin ushtarak Amerikan në Bondsteell.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat