Me Kurtin nuk mund të tallet Serbia, komentohen propozimet ndaj Serbisë që acaruan Vuçiqin

Politika

Me Kurtin nuk mund të tallet Serbia, komentohen propozimet ndaj Serbisë që acaruan Vuçiqin

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 qershor 2021 Në ora: 08:32
Takimi në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u takuan të martën në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut. 

Siç u raportua, brenda takimit pati edhe mospajtime mes palëve. 

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pas takimit kishte deklaruar se “Të dy liderët kanë pasur deklarata të sinqerta rreth asaj se çfarë duan palët nga dialogu. Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër përveç normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”. 

Kurse shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell kishte deklaruar se “Kemi një momentum të ri dhe na duhet ta shfrytëzojmë atë”. 

Kryeministri Kurti pas takimit kishte bërë të ditur edhe kërkesat të cilat i ka paraqitur në takim, konkretisht presidenti serb Aleksander Vuçiq. 

Kërkesat e kryeministri Kurti janë: 

“1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në. 

2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty. 

3. Pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. 

4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq. 

Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”. 

Analistët thonë se është ndryshuar rrjedha e bisedimeve dhe kërkesat e Kurti i vlerësojnë të qëlluara, të drejta dhe të logjikshme. 

Kelmendi: Kërkesa e Kurtit, të qëlluara 

Lidhur me këtë, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi për “Bota sot” ka thënë se kërkesat e Kurtit ishin të qëlluara. Ai veçon kërkesën për një lidhje të fortë ekonomike dhe lëvizjes së lirë midis shteteve dhe kjo tregon Kosova është për raporte normale në Ballkan. 

Image
Muhamet Kelmendi

“Kërkesat e Z.Kurti ishin të drejta! Është mirë dhe shumë e qëlluar pse Kosova doli me kërkesat e veta që u paraqitën nga z Kurti në takim me kriminelit Vuçiq në Bruksel. Ka mendime se këto kërkesa janë adekuate? Kjo mbetet të shihet në të ardhmen, sepse ka kërkesa që nuk shkojnë apo është vështirë të realizohen në raport me Serbinë dhe shtetet tjera në Ballkanin Perëndimor. Në kuadër të kësaj mendoj të kërkesa për një lidhje të fortë ekonomike dhe lëvizjes së lirë midis shteteve në këtë anë si në mes shteteve skandinave. Kjo është një kërkesë që kërkon analiza. Megjithatë është një kërkesë e logjikshme dhe politikisht e kapshme. Me këtë kërkesë u tregua se Kosova është për raporte normale në Ballkan. Kërkesa për deklaratë të përbashkët për mos sulmin me shtetin serb është jashtëzakonisht e qëlluar. Jo më pak ka rëndësi kërkesa e reciprocitetit dhe gjetja e të zhdukurve nga regjimi serb. Më këto krijojë Kosova një bazë të drejtë dhe tipike të karakterit shtetëror. Mbeten të shihen këto çështje në të ardhmen”, ka thënë ai.

Kelmendi sa i përket takimit mes Kurti dhe Vuçiq thotë se Kosova në këtë çështje ka një start pozitiv. 

“Mendoj se janë kërkesa paritative dhe që shtetit serb i krijojë vështirësi në paraqitjen e Asociacionit. Parimi i reciprocitetit të çështjes serbe në Kosovë me çështjen shqiptare në Luginë dhe të Sanxhakut është një fakt që nga askush nuk mund të refuzohet. Kjo për faktin se ato çështje shkojnë së bashku edhe BE e SHBA etj., nuk mund të refuzojnë. Pra, kemi një start pozitiv”, është shprehur profesori.

Krasniqi: Kryeministri pati një paraqitje të mirë por është shumë herët që të vlerësojmë 

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike Islam Krasniqi, ka vlerësuar si të mirë paraqitjen e Albin Kurtit, por që thotë se nuk duhet të ngutemi ta gjykojmë sepse është vetëm fillimi. 

Image
Islam Krasniqi

Sipas tij, duhet të presim për të vlerësuar punën e tij në dialog pasi që ky është një proces shumë i vështirë. 

“Ishte takimi i parë lidhur me dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë ku edhe rifilloi dialogu në Bruksel, e që mes vete shkëmbyen disa replika pasi që propozimet e shefit të qeverisë së Kosovës u refuzuan nga presidenti serb. Kryeministri pati një paraqitje të mirë por është shumë herët që të vlerësojmë pasi që ky ishte vetëm fillimi dhe akoma nuk mund të konsiderohet dialog gjersa palët në proces nuk fillojnë punën. Mirë është të presim edhe ca kohë që ta shohim dhe pastaj mund të vlerësojmë punën e kryeministrit në dialog sepse ky proces është shumë i vështirë dhe se kemi arritur në një pikë kritike ku BE-ja dhe SHBA-të duan ta përfundojnë këtë proces me një marrëveshje gjithëpërfshirës duke i kaluar ndoshta edhe vijat e kuqe që i kemi vendosur”, ka thënë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Bytyçi: Po të ishte kyçur Kurti më herët, Kosova do të kishte një pozitë më të favorshme në raport me Serbinë në dialog 

Në anën tjetër, analist politik Adem Bytyçi, ka thënë se Albin Kurti po të ishte kyçur me kohë në procesin e dialogut, Kosova do të kishte një pozitë më të favorshme në negociata me Serbinë. 

Image
Adem Bytyçi

“Një fakt duhet ta pranojë politika aktuale e Kosovës: po të ishte kyçur me kohë në negociata Kosovë-Serbi z. Kurti, sot Kosova do të kishte një pozitë më të favorshme në raport me Serbinë në negociata. Zoti Kurti nuk do pranonte të negociohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe siç pranuan Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi”, thotë Bytyçi. 

Sa i përket kërkesave të Kurtit, analisti ka thënë se ishin shumë të drejta dhe të logjikshme. 

“Katër kërkesat e Kryeministrit Kurti, në këtë takim me Vuçiqin ishin shumë të drejta dhe të logjikshme, të cilat i kanë habitur për të mirë edhe dy ndërmjetësuesit evropianë të këtij takimi. Kurti është politikan i pjekur, i dijshëm dhe vizionar, me të cilin nuk mund të tallet pala serbe siç është tallur në të kaluarën me negociatorët e Kosovës. Këtë fakt e ka pranuar edhe vet Presidenti serb Vuçiq, para se të takohej me Kurtin”, ka deklaruar Adem Bytyçi për “Bota sot”. 

Kujtojmë që takimi i radhës në Bruksel do të mbahet me 25 korrik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat