Ambasadori amerikan i “ngreh veshin” politikanëve, analistët zbërthejnë mesazhin e Kosnett

Politika

Ambasadori amerikan i “ngreh veshin” politikanëve, analistët zbërthejnë mesazhin e Kosnett

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 18 qershor 2021 Në ora: 13:58
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett

Sa herë që Kosova është përfshirë në krizë politike, miqtë ndërkombëtarë i kanë zgjatur dorën.

Shtet e Quintit, si Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë i kanë dalë në krah Kosovës, duke i ndihmuar në tejkalimin e problemeve politike.

Por, kjo ndihmë nuk do të zgjasë gjithmonë. Kështu ka paralajmëruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Ai u ka tërhequr vërejtën politikanëve në Kosovë, duke thënë se kjo situatë ka vazhduar për 20 vite me radhë.

“Mendoj se armiku më i madh i Kosovës është vetëkënaqësia. Çfarë dua të them me këtë? Gjatë njëzet viteve të fundit, një situatë ka lindur në Kosovë ku njerëzit janë mësuar me bashkësinë ndërkombëtare që hedh shumë para në vend, duke e ndihmuar popullin e Kosovës për t’i zgjidhur problemet e tij. Sa herë që ka krizë të brendshme, anëtarët e Quintit, KFOR-i ose BE-ja janë atje për t’ua mbajtur duart njerëzve dhe për t’i ndihmuar ata në momente të tilla. Nuk do të zgjasë përgjithmonë”, deklaruar Kosnett për media.

Lidhur me këtë paralajmërim të ambasadorit Kosnett, analistët janë shprehur se mesazhi i tij është mjaft i qartë për pozitën dhe opozitën në Kosovë, si dhe për qytetarët e saj.

Ata për këtë deklaratë të ambasadorit Kosnett, kanë thënë se është mjaft e drejtë, si dhe politikanët e vendit duhet të punojnë në forcimin e institucioneve.

Krasniqi: Abasadori Kosnett ka të drejtë

Analisti politik, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar rolin e Quintit në disa çështje të rëndësishme gjatë zhvillimeve politike në Kosovë.

Image
Islam Krasniqi

“Vendet e Quintit gjithmonë kanë bërë presion mbi klasën politike të vendit, duke i detyruar të nënshkruajnë apo edhe ratifikojnë amendamente të dëmshme për vendin dhe kur ato kanë rënë në kundërshtim me praktikat ligjore apo aplikimin e tyre, ata janë arsyetuar duke thënë së ju vetë e keni votuar, e ka votuar Kuvendi Republikës së Kosovës, duke e hedhur topin të klasa politike”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Krasniqi ka komentuar edhe deklaratën e Kosnett, ku ka treguar se për çfarë ka të drejtë ambasadori.

“Deklarata e Ambasadorit Amerikan z. Philip Kosnett është deklarata kërcënuese për klasën politike duke e gjuajtur topin të formimi i Asociacionit, edhe pse ai ka të drejtë sepse ata që e nënshkruan këtë marrëveshje duhet ndjekur penalisht pasi që kjo marrëveshje po na sjell shumë telashe”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Më tej, Krasniqi ka thënë se klasa politike në Kosovë duhet të bëhet bashkë për çështje nacionale.

“Pa harruar të cekim së klasa politike duhet të pjekët për çështje nacionale të bashkohen duke shkelur apo kaluar ngjyrat partiake pasi që partitë politike shkojnë e vinë e shteti duhet të ndërtohet dhe gjeneratat e reja mos të ndëshkohen për gabimet tona”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

Burjani: Të punohet në forcimin e institucioneve

Ndërkaq, analisti politik, Blerim Burjani, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka potencuar se Kosova duhet të forcohet në vendimmarrje demokratike, në mënyrë që mos të ketë nevojë që dikush tjetër t`i merr vendimet për të.

Image
Blerim Burjani

“Kosova duhet të rimëkëmbet, ri-konsolidohet dhe forcohet në vendimmarrja demokratike, në forcimin e institucioneve. Normal, Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të ketë nevojë gjithmonë të marrë vendime dikush ose ndikojë në institucionet e saj në mënyre të përjetshme”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Burjani ka theksuar se institucionet duhet të nxjerrin vendime për të forcuar sistemin e drejtësisë.

“Pra do të varet shumë nga institucionet e saj për të nxjerr vendime të drejta, për të forcuar sistemin e drejtësisë, si dhe për të ndalur nepotizmin, korrupsionin dhe për të ndjekur keqbërësit 20 vjeçar”, është shprehur ai.

Po ashtu, Burjani ka kritikuar partitë opozitare të cilat nuk po bashkëpunojnë me organet e rendit për të denoncuar personat që i kanë bërë dëm vendit.

“Përkushtimi duhet të jetë i madh, e keqja është se partitë politike si PDK, LDK,  AAK, nuk po bashkëpunojnë me organet e rendit për të denoncuar të gjithë ata njerëz që i kanë bërë dëm Kosovës dhe buxhetit të saj dhe kanë lënë prapa shumë probleme”, ka theksuar Blerim Burjani për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat