“Lufta titanike me Serbinë e Vuçiqit” – ja kush po bëhet pengesë e Qeverisë Kurti

Politika

“Lufta titanike me Serbinë e Vuçiqit” – ja kush po bëhet pengesë e Qeverisë Kurti

Nga: A.Morina Më: 2 korrik 2021 Në ora: 22:38
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - ilustrimi Bota sot

Padyshim se këto ditë Qeveria Kurti II ishte qendër e analizave, lëvdatave, kritikave dhe sugjerimeve, pas 100 ditëshit të parë të saj qeverisës.

Natyrisht që kritikat kryesisht erdhën nga kundërshtarët e saj politik dhe partitë opozitare.

Mirëpo, nuk u anashkaluan problemet dhe parregullsitë e shumta të cilat i gjeti kryeministri Albin Kurti, me të marrë udhëheqjen e qeverisë.

E kësaj çështje, i dha hapësirë dhe e shtjelloi gjatë njohësi i çështjeve politike nga Amerika, Binak Maxharraj.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” përmendi vështirësitëdhe sfidat me të cilat është përballur Qeveria Kurti II, shkaku i keqqeverisjeve të kaluara.

Krahas kësaj, tha se ajo çfarë trashëgoi qeveria aktuale nga nga qeveritë e kaluar, është një rrëmujë në menaxhimin e keq të shtetit, ku çdo gjë i përngjante situatës së pas luftës apo të një katastrofe natyrore.

Image
Profesor Binak Maxharraj

“Është bërë zakon që të vlerësohet puna 100 ditëshe e çdo qeverie në ardhje, ani pse mendoj se kjo periudhë është aq e shkurtër për të arritur ndonjë rezultat të kënaqshëm në fusha të ndryshme, kur dihet se asnjë qeveri në kushtet normale, e lëre më në kushtet katastrofale të keq menaxhimit të shtetit nga qeveritë e kaluar me të cilat Qeveria Kurti II duhet të ballafaqohet që në fillim të punës së saj. Qeveria Kurti II në fillim të punës së saj hasi në një teren të papërshtatshëm për të vepruar normalisht, sepse ajo trashëgoi nga qeveritë e kaluar një rrëmujë në menaxhimin e keq të shtetit ku çdo gjë i përngjante situatës së pas luftës apo të një katastrofe natyrore”, deklaroi analisti.

Duke u nisur nga ky fakt, Maxharraj u shpreh se është pothuajse e pamundur që për 100 ditë të bëhet identifikimi i të gjitha problemeve, e aq lëre më të bëhet diçka me shumë për të cilat duhet kohë më e gjatë veprimi.

“Qeveria Kurti II në fillim, pra, hasi në shumë pengesa, në shumë atogje bërlloku të punës së qeverive të kaluara, ku mbizotëronte jo interesi për menaxhimin e mirë të shtetit nga grupet e konfliktit të interesit, por dominonte euforia e kapjes së shtetit, hajnisë dhe plaçkitjes së tij i cili karakterizohej me një shkallë te lartë korrupsionit i cili nuk luftohej fare. Prandaj, 100 ditët e para gati se nuk janë të mjaftueshme për identifikimin e problemeve, e lëre më të bëhet diçka me shumë për të cilat duhet kohë më e gjatë veprimi, sepse problemet janë aq të mëdha në kapjen e shtetit nga grupet kriminele sa që duhet më parë të aprovohen instrumentet ligjore për luftimin e tyre”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, analisti nga Amerika, përmendi edhe problemet e trashëguara nga qeveritë e kaluara të cilat rrezikojnë shtetin e sovranitetit, në këtë rast është Demarkacioni me Malin e Zi.

“Qeveritë e mëparshme i lanë si “trashëgimi” Qeverisë Kurti II edhe probleme tjera të cilat e rrezikojnë drejtë për së drejti shtetin, siç ishin Demarkacioni me Malin e Zi, me të cilën ia falen Çakorrin, kurse tani kërkoj nga kjo qeveri te merret me këtë çështje të cilën kur ishte në opozitë LVV dhe personalisht Kurti e luftoj këtë Demarkacion në çdo mënyrë si në rrugë dhe parlament”, vlërsoi Maxharraj.

Kurse, ai nuk e la pa i përmendur edhe çështjet tjera, si Asociacioni, eksterritorialiteti i kishave serbe në Kosovë, problemet me Manastirin e Deçanit, e ku fajtorë kryesor i cilësoi Hashim Thaçin e Isa Mustafën.

“Pastaj është edhe çështja tjetër qe iu la kësaj qeveria të merret me të, siç është Asociacioni i komunave me shumicë serb me kompetenca ekzekutive, eksterritorialiteti i kishave serbe në Kosovë, e sidomos problemet rreth Manastirit të Deçanit, por edhe dialogun poshtërues me Serbinë, ku Kosova ishte në rrezik të humbjes së sovranitetit dhe integritetit të saj, të cilat ia lanë si “amanet” Thaçi dhe Mustafa me nënshkrimet e tyre”, theksoi analisti.

Tutje, ai tha se puna e Qeverisë Kurti nuk ishte e lehtë në 100 ditët e para të punës, kjo pasi problemet e shumta, mosbashkëpunimin e opozitës dhe përballja me Serbinë, ia vështirësuan punët edhe më shumë.

“Prandaj, Qeveria Kurti II nuk e ka lehtë te bëjë për këto 100 ditë të jetës së saj, ndryshime të mëdha, sepse për këto problemet e mëdha që ia lanë në trashëgimi qeveritë e mëparshme i duhet kohë më e gjatë veprimi, e sidomos një luftë titanike me çetnikët e Serbisë, të cilët gjendet në krye të shtetit serb. Nga ana tjetër, Qeveria Kurti II në vend se të përkrahet edhe nga opozita e cila vetë ëshrë fajtore që ia lanë këto probleme Qeverisë Kurti II, ata si skakafcat, si gjelat si tareqet, si bizonët po marrin guximin prej qyqarit, prej mjeranëve, për ta kritikuar Qeverinë Kurti II se gjoja ajo nuk ka bërë asgjë për këto 100 ditë, bile e quajnë edhe qeveri totalisht të dështuar, duke u bërë pengesë edhe për punën e qeverisë dhe të Parlamentit në aprovimin e vendimeve të rëndësishme për zhvillimin e vendit”, vlerësoi Maxharraj.

Ndërsa, sa i përket kritikave të opozitës, ai i konsideroi si të pa baza, shkaku që nuk po munden ta marrin vetën e as ta pranojnë se janë në opozitë.

“Por, kritikat drejtuar nga opozita e cila ka mbetur si e pashpirtë, e cila ka mbetur në margjina, të cilët që nga 14 shkurti 2021, kur populli i nxori si plaçkat e pa lara në opozitë, nuk po munden ta marrin vetën e as ta paramendojnë se janë në opozitë, por për çdo ditë për fëlliqësirat e tyre që ia lanë kësaj qeverie si bishat e egra, po mundohen pa kurrfarë argumentesh të gjuajnë shkelma ndaj Qeverisë Kurti II, duke e quajtur qeveri mashtrues, keqmenaxhuese. Po e akuzojnë qeverinë se gjoja ajo tani po e kap shtetin kur ata po bëjnë luftë titanike për ç ‘kapjen e shtetit në të gjitha segmentet e deri te ajo kur e quajnë Qeverinë Kurti II si qeverinë më të dobët të pas luftës”, potencoi analisti.

Krejt në fund, Maxharraj tha se Qeveria Kurti II gjatë këtyre 100 ditëve mori disa vendime të rëndësishme në luftën e saj për ç 'kapjen e shtetit nga kupola e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Por, edhe përkundër këtyre kritikave të arrogantëve të opozitës drejtuar Qeverisë Kurti II, pa asnjë argument, megjithatë Qeveria Kurti II në këto 100 ditët e para të qeverisjes kishte rezultate të konsiderueshme, i pëlqeu dikujt apo jo, kjo lë për të kuptuar se Qeveria Kurti II gjatë këtyre 100 ditëve mori disa vendime të rëndësishme në luftën e saj për ç 'kapjen e shtetit nga kupola e krimit të organizuar dhe korrupsionit melagoman. Ajo solli për këto 100 ditë mbi 200 vendime të rëndësishme”, përmbylli Binak Maxharraj, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat