Aktakuza ndaj ish-ministres Hoxha, ish-këshilltari amerikan tregon çka do të ndodhte po të ndahej Kosova - e përmend Thaçin

Politika

Aktakuza ndaj ish-ministres Hoxha, ish-këshilltari amerikan tregon çka do të ndodhte po të ndahej Kosova - e përmend Thaçin

Nga: A.Zh Më: 9 korrik 2021 Në ora: 20:20
Hashim Thaçi, David Phillips

Kreu i Institutit të Universitetit Columbia për të Drejtat e Njeriut në New York David Phillips, ka komentuar aktakuzën e ngritur ndaj ish-ministres së Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha dhe katër të pandehurve të tjerë.

Ish-ministrja Hoxha dhe ish-shefi i prokurimit i kësaj ministrie, Fitim Mustafa, e tre ish-sekretarët: Demush Shasha, Nuhi Osmani e Kushtrim Cukaj, akuzohen për veprën penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ata akuzohen se i kanë paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.

Për këtë çështje ka komentuar David Phillips, që ishte këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i angazhuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Por, ai ishte dorëhequr në tetor të vitit 2018, pasi kishte thënë se nuk dëshironte të bëhej pjesë e ndarjes së Kosovës.

“Unë nuk mund të marrë pjesë në planin e propozuar të ndarjes që ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e mia. Si parim i kam informuar edhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës për synimin tim për të dhënë këtë dorëheqje, që të mos marrë pjesë në ndarje”, kishte deklaruar në atë kohë Phillips.

Ndërsa tani, ish-këshilltari i lartë në Departamentin e Shtetit, për gazetën “Bota sot” ka përmendur dy çështje që lidhen me këtë temë.

“Ka dy çështje këtu. Nga buruan fondet për të punësuar firmën me bazë në Paris për të argumentuar ndarjen territoriale? Çfarë kualifikimesh kishte firma dhe a ishte bërë marrja me qira përmes një procesi konkurrues të tenderit? Grupi tjetër i çështjeve ka të bëjë me meritat e vetë ndarjes”, ka thënë eksperti amerikan.

Ai konsideron se ideja e ndarjes së Kosovës, do të rezultonte në një konflikt të madh. Sipas tij, ndryshimi i kufijve ishte një ide në përputhje me projektin e kasapit të Ballkanit Slobodan Millosheviçit, për krijimin e shteteve etnikisht të pastra.

“Gjithmonë mendoja se ndarja ishte një ide e keqe që do të rezultonte në konflikt më të madh. Ndarja dhe rregullimi i kufijve janë në përputhje me projektin e Millosheviçit për krijimin e shteteve etnikisht të pastra, i cili ishte shkaku i konfliktit të dhunshëm në Ballkan gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë”, është shprehur Phillips.

Ai ka pyetur se çfarë pune bëri firma e cila u pagua nga MIE, duke treguar se cili ishte roli i ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Është një pyetje gjithëpërfshirëse. Çfarë pune bëri firma për tarifën e tyre të majme? A kishte ndonjë kthim financiar ndaj Presidentit Thaçi, i cili gjoja rregulloi që firma të punësohej?”, ka theksuar Phillips.

Eksperti për Ballkanin, ka thënë për “Bota sot” se ideja për ndarjen dhe rregullimin e kufijve ishte një humbje e madhe kohe, që shkaktoi shumë dëme në shtet ndërtimit e Kosovës.

“Për më tepër, tema e ndarjes dhe rregullimit të kufijve ishte një humbje e madhe kohe. Ajo vonoi negociatat për çështje thelbësore për disa vjet. Në vend që të përqendrohej në njohjen e Kosovës nga Serbia, si një shtet sovran dhe i pavarur, debati për ndarjen luajti në duart e kundërshtarëve të Kosovës. Ndërtimi i shtetit u vonua nga debati për ndarjen dhe interesi i Kosovës për të fituar një njohje më të madhe globale brenda kufijve të saj aktual u minua”, ka theksuar David Phillips.

Ish-ministrja Hoxha ka deklaruar se është e pafajshme dhe se nuk ka bërë asnjë keqpërdorim.

Edhe ish-sekretari në MIE Demush Shasha, ka thënë se “nuk e ka mizën pas veshi”, duke u shprehur i befasuar nga vendimi i prokurorisë, e cila nga të qenit dëshmitar e ka zhvendosur në të qenit i pandehur. Ai ka treguar se e kishte refuzuar ta nënshkruante këtë kontratë./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat