Lobimi për ndarjen e Kosovës/ Ish-ministrja Hoxha dyshohet se zbatoi ‘urdhrat’ e këtyre dy politikanëve shqiptarë

Politika

Lobimi për ndarjen e Kosovës/ Ish-ministrja Hoxha dyshohet se zbatoi ‘urdhrat’ e këtyre dy politikanëve shqiptarë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 korrik 2021 Në ora: 08:28
Dhurata Hoxha
Këtë të mërkurë, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të se ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministres së Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, dhe katër të pandehurve të tjerë: Fitim Mustafa, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, për veprën penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. 

Dhurata Hoxha vjen nga Partia Demokratike e Kosovës dhe ka qenë ministre në Qeverinë PAN, të udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj. 

Derisa emrat e të pandehurve tjerë, përmenden në një hulumtim të rrjetit BIRN në Kosovë, ku thuhet se “në vitin 2019, Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i ka paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se ‘modifikimi i territorit’ mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë - Serbi". 

Kjo ide, në të kaluarën, është promovuar pikërisht nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të ndodhë gjatë fazës së demarkacionit të kufirit me Serbinë. 

Bazuar në deklaratat e ish-presidentit Thaçit, korrigjimi do të përfshinte tri komunat me popullatë shqiptare në jug të Serbisë - Preshevën, Medvegjën e Bujanocin - në kuadër të Kosovës.

Lidhur ne aktakuzën, ish ministrja Hoxha ka thënë se është e pafajshme dhe kjo do të dëshmohet edhe në gjykatë, por që ka thënë se ka frikë nga një proces gjyqësor jo i drejtë.

Analistët politik për gazetën “Bota sot” u shprehën të bindur se prapa këtij lobimi të ish-ministres Hoxha, qëndrojnë ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Madje, ata kërkuan edhe zgjerim të aktakuzës dhe përfshirje të të lartpërmendurve.

Qarri: Ish-ministrja Hoxha argate e Thaçit dhe Haradinajt! 

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, aktakuzën e ndritur ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha e cilësoi si të vonuar dhe të mangët, pasi sipas tij është dashur t’iu ngritët aktakuzë edhe ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Image
Gani Qarri

Ai u shpreh se Thaçi e Haradinaj janë akterët kryesor të aventurave për ndarjen e Kosovës, duke paguar edhe firma të huaja dhe lobuar me parat e taksapaguesve shqiptarë.

“Aktakuza e ngritur nga Prokuroria ndaj ish "ministres së integrimit evropian", Dhurata Hoxha dhe 4 zyrtarëve tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përveç se është e vonuar, është edhe e mangët dhe jo serioze, kështu që, ajo duhet urgjentisht të plotësohet e zgjerohet dhe në aktakuzë të përfshiheshin medoemos edhe kuislingu Hashim Thaçi dhe ish kryeministri i PAN-it, Ramush Haradinaj, si strumbullarët kryesorë të të gjitha akteve tronditëse të shitjes së tokave të vendit dhe aventurave për ndarjen e Kosovës, duke paguar edhe firma të huaja dhe lobuar me parat e taksapaguesve kosovarë, për ndarjen e Kosovës, gjë që nuk ka ndodhur kund në botë”, deklaroi Qarri.

Gjithashtu, analisti potencoi se ish-ministrja Hoxha nuk ishte akteri kryesor në lobimin për ndarjen e Kosovës, pasi sipas tij ajo ishte vetëm një nga argatet e dëgjueshëm të Hashim Thaçit dhe ish kryeministrit Ramush Haradinaj, për të ndihmuar ish-presidentin Thaçi në aventurën e tij për ndarjen e vendit. 

“Madje siç është në dijeni mbarë opinioni vendor, të gjitha këto ndodhën me yshtjen, dijeninë dhe miratimin e Hashim Thaçit e të Ramush Haradinajt, përfshirë këtu edhe pagesën prej 168 mijë eurove ndaj kompanisë franceze me seli në Paris, "Majorelle PR & Events" për të lobuar për ndarjen e Kosovës, ku Dhurata Hoxha nuk ishte aktori kryesor por një nga argatët e dëgjueshëm të kuislingut Hashim Thaçi dhe ish kryeministrit Ramush Haradinaj, për të ndihmuar ish presidentin Thaçi në aventurën e tij të trishtë, për ndarjen e vendit, të kamufluar si shkëmbim territoresh, i cili nuk e kishte për turp që tokat e veriut të Kosovës, t'i quante publikisht edhe dhuratë të Rankoviqit”, theksoi ai.

Në vazhdim, Qarri bëri me dije se kjo aktakuzë u ngrit vetëm pasi partitë e inkriminuara u dërguan në opozitë. Megjithatë, ndonëse me vonesë, ky akt që arrin përmasat e trishta kundërligjore, arriti të konfirmohet nga Prokuroria Speciale. 

“Për aq më tepër, aktakuza kundër ish këshilltares së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, si dhe ministres së ashtuquajtur "për integrime evropiane" nga radhët e PDK-së, Dhurata Hoxha, megjithë faktin se ka paguar hiq më pak se 168 mijë euro firmën franceze "Majorelle PR & Events" me seli në Paris, për promovimin e ndarjes së Kosovës, mundi të ngritej vetëm pas dërgimit të partive të inkriminuara në opozitë, të cilat për mision kishin shitjen e tokave të vendit, ndarjen dhe shuarjen e shtetit të Kosovës. Madje megjithëse me vonesë të theksuar, përfundimisht kjo gjë më në fund, mundi të vërtetohet edhe nga vet "prokuroria" vendore duke materializuar këtë veprim renegat ish qeveritar edhe me ngritje aktakuze ndaj Dhurata Hoxhës dhe 4 ish zyrtarëve tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akt ky që arrin përmasat e trishta kundërligjore deri në tradhti të lartë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës”, nënvizoi ai. 

Analisti përmendi edhe kohën kur me urdhër të Hashim Thaçit, ambasadori i Kosovës në Francë Qëndrim Gashi, porositi gazetarin francez, Baptiste Chastand të publikojë tekste ekskluzive për promovimin e ndarjes së Kosovës.

“Për aq më tepër, përveç asaj që gjatë qeverisjes së PAN-it, përmes ministres nga radhët e PDK-së, Dhurata Hoxha, i janë paguar mbi 168 mijë euro, kompanisë franceze "Majorelle PR & Events" me seli në Paris, për promovimin e ndarjes së Kosovës, BIRN po ashtu ka zbuluar se me urdhër të kuislingut Hashim Thaçi, menjëher pas kërkesës së tij në Alpbach të Austrisë, drejtuar ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës në vitet 2018 dhe 2019, edhe ambasadori i Kosovës në Francë Qëndrim Gashi, ka kontaktuar, avokuar dhe porositur personalisht, korrespodentin për Evropë Qendrore të gazetës "Le Monde", Jean-Baptiste Chastand, i cili nga viti 2015, ishte i autorizuar të mbulonte si korrespondent Ballkanin, që të publikojë tekste ekskluzive për promovimin e ndarjes së Kosovës në Francë dhe Evropën kudo”, rikujtoi Qarri.

Tutje, ai citoi nenin 10 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, ku thotë qartë se të gjithë diplomatët dhe misionet diplomatike, kanë për obligim ligjor “mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial”. 

“Sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto, edhe përkundër faktit që neni 10 i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës thotë qartë dhe prerë se të gjithë diplomatët dhe misionet diplomatike, kanë për obligim ligjor “mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial" të shtetit që përfaqësojnë, Dhurata Hoxha si ministre e ashtuquajtur "për integrime evropiane " dhe Dardan Gashi ambasador i Kosovës në Francë, për rreth dy vite bënë çdo gjë, me veprimet e tyre të kundërligjshme, jo për mbrojtjen, por për ndarjen e Republikës së Kosovës”, shpjegoi analisti.  

Duke u bazuar në këto argumente, Qarri deklaroi se nuk po befasohet nga denoncimet për tradhti dhe ngritje të aktakuzave për bashkëpunëtorët e tij, jo vetëm jashtë por edhe brenda vendit, siç është denoncimi i Agim Bahtirit. 

“Ndaj sot as që tingëllon më si befasi, denoncimi i tradhtive të renegatit Hashim Thaçi dhe argatëve të tij, jo vetëm jashtë por edhe brenda vendit, siç erdhi para mëse një viti edhe denoncimi nga kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, i cili pati deklaruar publikisht se para tanimë-rreth tre vitesh, edhe atij, personalisht i ishte prezantuar dhe ofruar, nga vet kuislingu Thaçi plani për ndarjen e vendit, madje duke i ofruar edhe ryshfete e përfitime personale, nëse do ta preferonte edhe tek të tjerët dhe angazhohej për ta promovuar edhe ai personalisht ndarjen e Kosovës”, u shpreh ai. 

Krejt në fund, analisti tha se ngritja e aktakuzës ndaj ish-ministres Hoxha dhe katër zyrtarëve tjerë, është një akt i mirëpritur, i cili duhet të vihet urgjentisht nën llupën e ligjit, për sqarimin e një vonese kaq të madh. 

“Kështu që ngritja e aktakuzës nga Prokuroria, me vonesë prej disa vitesh, kundër ish ministres së integrimit, Dhurata Hoxha dhe 4 zyrtarëve tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përkundër faktit të ditur që nga fillimi, se ajo kishte paguar edhe mbi 168 mijë euro, para të taksapaguesve të Kosovës kompanisë franceze "Majorelle PR & Events", me seli në Paris, për të lobuar për ndarjen e Kosovës, megjithëse është akt i mirëpritur, duhet të vihet urgjentisht  nën llupën e ligjit, për sqarimin e një vonese kaq të madhe, kur dihet mirë fakti, se vetëm kundërshtimi i fuqishëm i Gjermanisë dhe ndonjë shteti tjetër mik, e ka shpëtuar Kosovën nga ndarja, dhe ka bërë që projekti i kuislingut Hashim Thaçi dhe argatëve të tij, për ndarjen dhe shuarjen e shtetit të Kosovës, të mbetet projekt i dështuar”, përfundoi Gani Qarri.

Krasniqi: Të gjithë e dijnë se kush ka qëndruar prapa projektit për shkëmbim territoresh 

Kurse, analisti tjetër politik, Islam Krasniqi kërkoi nga Prokuroria që të aktivizohet shumë në çështjen ku është keqpërdorur taksa e qytetarit.

Image
Islam Krasniqi

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se të gjithë kanë njohuri se kush ka qëndruar prapa projektit për shkëmbim të territoreve, ndonëse asnjëherë nuk është diskutuar më hollësisht kjo temë.

“Prokuroria e shtetit duhet të aktivizohet për çdo çështje ku është keqpërdorur taksa e qytetarit, pavarësisht asaj së çfarë qëllimi ka pasur veprimi apo kontrata e nënshkruar. Të gjithë e dijnë se kush ka qëndruar prapa këtij projekti lidhur me shkëmbimin e territorit, mirëpo asnjëherë nuk është diskutuar se çka ka pasur brenda kësaj marrëveshje, çka përfiton Republika e Kosovës me shkëmbim territoresh apo çka humb”, deklaroi Krasniqi.

Tutje, ai tha se nëse vërtetohet se ish-ministrja Hoxha ka lobuar për ndarjen e Kosovës, dihet qartë se ka vepruar me udhëzimet e ideatorit për shkëmbim të territoreve, ish-presidentit Hashim Thaçi.

"Nëse qëndron ajo që thuhet se ish-ministrja e integrimeve evropiane, Dhurata Hoxha e ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke paguar 168 mijë euro një kompanie në Paris, për të lobuar për ndarjen e Kosovës dihet  me udhëzimet e kujt, pasi që ish presidenti Thaçi ka qenë mos të them ideatori por projektuesi po”, theksoi analisti.

Në fund, Krasniqi bëri apel që të shqyrtohet aktakuza dhe nëse është nevoja edhe të zgjerohet ajo.

“Andaj edhe prokuroria duhet të shqyrtoj aktakuzën, nëse është nevoja dhe nëse ka prova edhe t’i ndëshkojë keqpërdoruesit e taksës së qytetarit apo ata që keqpërdoren detyrën zyrtare”, përmbylli Islam Krasniqi për gazetë "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat