“Thaçi ka qenë pro ndryshimit të kufijve të Kosovës”, Tomë Gashi për aktakuzën ndaj Dhurata Hoxhës: Ka të drejtë të mbrohet, por...

Politika

“Thaçi ka qenë pro ndryshimit të kufijve të Kosovës”, Tomë Gashi për aktakuzën ndaj Dhurata Hoxhës: Ka të drejtë të mbrohet, por...

Nga: G.B Më: 12 korrik 2021 Në ora: 16:08
Tomë Gashi, Dhurata Hoxha

Për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” po akuzohet ish ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ndaj të cilës Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë javën që lamë pas.

Përpos Hoxhës, aktakuzë është ngritur edhe ndaj ish-shefit të prokurimit të kësaj ministrie, Fitim Mustafa dhe tre ish-sekretarëve: Demush Shasha, Nuhi Osmani e Kushtrim Cukaj, akuzohen për veprën penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ata akuzohen se i kanë paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.

Për këtë aktakuzë Ish ministrja Hoxha është deklaruar e pafajshme, derisa ka thënë se këtë do ta vërtetojë edhe gjykata.

Ajo ka thënë se nuk ka dëshmi për këtë aktakuzë të ngritur, derisa ka thënë se është kërcënuar pas lajmit dhe se ka frikë se nuk do të ketë një proces të drejtë gjyqësor.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, për gazetën “Bota sot” ka thënë se Hoxha ka të drejtë të mbrohet pasi ia garanton ligji dhe Kushtetua e Kosovës, të cilat i ka shkelur me të dyja këmbët.

“Ish ministrja e PDK-së ka të drejtë të mbrohet si të dojë dhe këtë edhe asaj ja garanton ligji dhe Kushtetuta e Kosovës. Asaj këtë të drejtë ia garantojnë pikërisht këto ligje të cilat ajo i shkeli me dy këmbët, duke paguar para të taksapaguesve të Kosovës për projekte që do ta ndanin Kosovën. Kështu thuhet në aktakuzën që Prokuroria Speciale e ka ngritur kundër saj”, është shprehur ai.

Sipas tij, dihet se ish presidenti Thaçi ka qenë pro ndryshimit të kufijve dhe ai ka pasur ndikim te ministrat e PDK-së, duke shtuar se lexuesit e kanë të lehtë ta kuptojnë për ke u paguan 168 mijë euro.

“Tani dihet se Hashim Thaçi ka qenë pro ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe dihet ndikimi i tij te ministrat e PDK- së. Tani lexuesit e kanë fare lehtë ta kuptojnë se në favor dhe për kë u paguan këto 168.000 euro”, ka deklaruar Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat