“Ky do të jetë fundi politik i Lutfi Hazirit”/ Ja çfarë fshihet pas rikandidimit të tij në Gjilan - ky është plani i Abdixhikut!

Politika

“Ky do të jetë fundi politik i Lutfi Hazirit”/ Ja çfarë fshihet pas rikandidimit të tij në Gjilan - ky është plani i Abdixhikut!

Nga: A.Morina Më: 21 korrik 2021 Në ora: 13:37
Lutfi Haziri

Ditë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zyrtarizoi rikandidimin e Lutfi Hazirit për kryetar të Gjilanit.

Edhe pse ky i fundit është kryetari aktual i Gjilanit, kandidimi mund të cilësohet si befasi, pasi Haziri në vazhdimësi kishte bërë me dije se nuk do të kandidojë për kryetar të komunës.

Mirëpo, për rikandidimin e Lutfi Hazirit kishe edhe kundërshtime, për vetë faktin se ai bënë pjesë në të ashtuquajturën ‘garda e vjetër’, prandaj nuk u prit mjaftë mirë ky vendim i LDK-së.

Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar kandidimin e Lutfi Hazirit për kryetar të Gjilanit.

Maxharraj kritikoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për këtë vendim, duke thënë se me rikandidimin e Hazirit, po dëshmohet se Abdixhiku, reformave partiake nuk po iu shkon deri në fund.

Image
Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj

“Është pritur shumë nga kryetari i ri Abdixhiku, që te bëjë refeorma duke e freskuar partin me anëtarë të rinj, duke bërë reforma të brendshme, por jo, punës së reformave nuk u shkojë deri në fund, i bëri vetëm disa reforma gjysmake sa për sy e faqe të cilat nuk ishin të mjaftueshme për partinë.

Nuk i përfshiu në organe vetëm disa kuadro të vjetra, por i la shumë kuadro tjera që ishin bashkëpjesëmarrës në shkatërrimin e partisë si Hotin, Hazirin, Shalën e shumë të tjerë, që do të thotë se me këto ndryshime kozmetike anëtarësia nuk është e kënaqur”, deklaroi profesori.

Ai u shpreh se Abdixhiku po humb kohë duke u marrë me gjëra të kota.

Sipas, Maxharrajt kryetari i LDK-së me ëndrra po mundohet t’i rikthejë anëtarët dhe elektoratin e humbur, e këtë po tenton ta bëjë me 17 tetor në zgjedhjet lokale.

“Por, në vend se Lumir Abdixhiku të bëjë reforma të thella në parti ai më shumë po humb kohë duke u marrë me punë të kota, bash sikur ato plakat kur më shumë i shikojnë punët e kojshisë se sa të vetat duke theksuar, duke parë ëndrra se do ta rikthejë anëtarësinë dhe elektoratin e humbur, duke mos ditur se me fjalë e pallavra nuk kthehet elektorati që po pretendon këtë ta bëjë me 17 tetor të këtij viti në zgjedhjet lokale që do të jetë si barometër për matjen e aktivitetit të partisë”, theksoi ai.

Në vazhdim, Maxharraj deklaroi se elektorati dhe anëtarësia e LDK-së janë të befasuar me rikandidimin e Hazirit për kryetar të Gjilanit.

Krahas kësaj, ai tregoi edhe dy arsyet kryesore psë Abdixhiku e vendosi Lutfiun në garën për të parin e Gjilanit, e njëra nga ato ishte ‘djegia’ e Lutfi Hazirit përmes elektoratit dhe më pas largimi i tij nga LDK-ja.

“Anëtarësia dhe elektorati i LDK-së është i pazmatuar se pse Lumir Abdixhiku e përfshiu edhe Lutfi Hazirin në strukturat e reja, por bile edhe e zgjodhi për nënkryetar të parë të LDK. Po ai këto ditë në aktivitetin parazgjedhor shkoj edhe më largë duke e propozuar Lutfi Hazirin për kryetar për të tretën herë në komunën e Gjilanit. Pse, e bëri këtë Lumir Abdixhiku e di vetëm ai, i bëri edhe lëvdata për udhëheqjen e deritashme të LDK-së në Gjilan. Mendoj se janë dy arsye që e bëri këtë, së pari, të matet se a i ka mbetur ndonjë fije autoriteti në elektoratin e Gjilanit, kurse arsyeja tjetër mund te jetë që në këtë mënyrë përmes elektoratit ta djeg Lutfi Hazirin bash në qyetetin e tij në Gjilan dhe pastaj ta hedh si leckë”, nënvizoi profesori.

Mirëpo, sipas tij, Haziri nuk e ka shansin as më të vogël që të shpallet fitues në zgjedhjet lokale. Ai kandidaturën e tij e cilësoi si një aventurë të ‘Don Kishotit’, pasi Haziri është një figurë kantradiktore bashkëpunuar me”armiqët” e LDK, siç janë PDK, Hashim Thaçi dhe SHIK-u.

“Unë mendoj se kjo e dyta është e vërtëtë, se qëllimi i Abdixhikut është që edhe ky “mohinikan i fundit” i LDK të digjet duke i humbur zgjedhjet në Gjilan, të cilat Luta nuk e ka as shansin më të vogël ti fitoj, këtë e di fortë mirë edhe Abdixhiku por në këtë mënyrë do ta heq qafe. Do të jetë kjo vetëm një aventurë Don Kishoti, sepse Luta nuk ka as shanset teorike të fitoj edhe për së treti herë si kryetar i Gjilanit. Kjo për arsye se Lutfi Haziri është një figurë kantradiktore, një njeri që gjatë gjithë kohës ka hëngër me dy lugë duke qëndruar në LDK, por duke vepruar dhe bashkëpunuar me ”armiqtë” e LDK, siç janë PDK, Hashim Thaçi dhe SHIK-u me të cilët kishte lidhje edhe biznisore por edhe lidhje tjera, për çfarë Lutfi Haziri bënë pjesë në mesin e atyre që u bënë milionerë pas luftës”, potencoi ai.

Tutje, profesori nga Amerika përmendi edhe afërsinë e Haziri me Thaçin dhe përkrahjen që ia kishte dhënë ish-presidentit për lobimin e ndarjes së Kosovës.

“Nga ana tjetër Lutfi Haziri është i njohur për përkrahjen e madhe se bashku me Rexhep Qosjen që ia kanë dhënë Hashim Thaçit duke lobuar për ndarjen e Kosovës që ishte projekt mafioz slavo-ruso-serb qëllimi i të cilit ishte goditja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, por falë zotit dhe kancelares Angela Merkel që ndali këtë projekt të rrezikshëm për Kosovën”, rikujtoi Maxharraj.

Krejt në fund, ai tha se rikandidimi për kryetar të Gjilanit do të jetë fundi i karrierës politike të Lutfi Hazirit, pasi nuk e ka asnjë shans që të dal fitues në zgjedhjet lokale.

Gjithashtu, Maxharraj kërkoi që të bëhen reforma rrënjësore në LDK, për të u këndellur nga ‘goditja’ e 14 shkurtit.

“Pra, vlen të theksohet në fund se kandidimi i Lutfi Hazirit për kryetar të komunës së Gjilanit do të jetë edhe fundi i karrierës politike, sepse në konstelacion të rrethanave nuk ka shanse që të fiton. Kjo do të jetë edhe si një sinjal edhe për vetë LDK-në e cila gjithashtu në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021 nuk do të tregon ndonjë performancë të duhur në rikthimin e anëtarësisë së humbur, sepse për të kthyer një diçka të humbur duhet punë e palodhshme, duhen reforma rrënjësore të partisë të cilat LDK edhe pas goditjes katastrofale të 14 shkurtit 2021nuk ka bërë mjaftueshëm që të këndellet për ta bindur elektoratin që të votoi për të”, përmbylli Binak Maxharraj, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat