“Vuçiq në krizë të rëndë politike”, sfidoi Amerikën me shkeljen e Marrëveshjes së Uashingtonit, tani ‘ngacmon’ edhe Turqinë

Politika

“Vuçiq në krizë të rëndë politike”, sfidoi Amerikën me shkeljen e Marrëveshjes së Uashingtonit, tani ‘ngacmon’ edhe Turqinë

Arife Morina  Nga Arife Morina  Më 22 korrik 2021 Në ora: 21:27
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, foto ilustrim nga "Bota sot"

Serbia, me Marrëveshjen e Uashingtonit, ka marrë obligim që ta ndalojë lobimin për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, ndërsa Kosova është obliguar që të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit.

Mirëpo, kësaj marrëveshje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Amerikë, nuk po i përmbahet shteti serb.

Gjatë ditës së djeshme, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq deklaroi publikisht se do të bisedojë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, lidhur me lobimet për njohje të reja për shtetin e Kosovës.

Madje, ai la të nënkuptojë se nëse presidenti Erdogan nuk i ndal lobimet pro Kosovës, shteti serb mund të fillojë fushatën kundër këtyre njohjeve.

“Turqia është superfuqi, Erdogani është lider i madh. Unë do të përpiqem të flas me të. Deri më 1 shtator e kemi për detyrim që të përmbahemi nga lobimi, por nëse ata fillojnë para kësaj periudhe… Turqia është superfuqi, Erdogani është i madh, unë jam i vogël dhe i papërfillshëm, por Serbia nuk është aq e vogël sa të mos përpiqet që ta kundërshtojë këtë çështje”, tha Vuçiqi.

Ky reagim i Vuçiqit, erdhi pasi presidenti turk, Erdogan, ditë më parë tha se do të angazhohet për t'i sjellë Kosovës njohje të reja.

Madje, Erdogan u ka thënë mediave turke se shpreson se çështjen e njohjes ndërkombëtare të Kosovës do ta hapë në bisedimet me presidentin amerikan, Joe Biden, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë vjeshtë.

E njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e politike, për gazetën “Bota sot”, kanë komentuar deklaratat e presidentit Vuçiq kundër Kosovës dhe shkeljen e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Voca: Erdogan nuk do të veprojë karshi kërkesave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq 

Në lidhje me këtë temë, Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, për gazetën “Bota sot”, u shpreh se pavarësisht Marrëveshjes së Uashingtonit, nuk duhet të besohet se Serbia e ka ndalur lobimin kundër Kosovës.

Image
Mirsad Voca

Kjo për faktin se shteti serb është i lidhur ngushtë me interesat ruse, kur vjen puna te rajoni i Ballkanit Perëndimor. 

“Nuk mund të besohet se Serbia ka reshtur së lobuari kundër Kosovës, me gjithë atë zotimin e saj nga Marrëveshja e Uashingtonit sepse politika serbe në krye me A. Vuçiq është lidhur ngushtë me interesat ruse sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo mjafton për të gjykuar qëndrimin e saj lidhur me Kosovën dhe tërë rajonin, qëndrim i cili nuk ka ndryshuar dhe të cilin e kanë përçuar tek vendet tjera dhe organizatat ndërkombëtare përmes Rusisë dhe Kinës”, deklaroi Voca. 

 Sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Vuçiq për momentin është në një krizë të rëndë politike, pasi iu kanë ngushtuar manovrat politike me Amerikën dhe Bashkimin Evropian. 

“Presidenti aktual i Serbisë është në një krizë politike sepse janë duke iu ngushtuar mundësitë për manovra politike si brenda Serbisë ashtu dhe në marrëdhëniet e tij me BE dhe SHBA. Ai thotë se do të lobojë tek R.T. Erdogan ndërsa ky i fundit natyrisht që nuk do veprojë siç i thotë A. Vuçiq, duke pas parasysh miqësinë konsistente midis Turqisë, Kosovës dhe Shqipërisë, miqësi e cila vetëm sa do të mund të përforcohet në vazhdimësi”, theksoi ai. 

Në vazhdim, Voca potencoi se me këto veprime dhe deklarata Serbia po jep sinjale se nuk është e gatshme të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës dhe vendeve tjera ballkanike. 

“Serbia, me këtë garniturë politike aktuale nuk jap shpresë se do të ndryshoj qasjen ndaj Kosovës dhe ndaj shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor. Ne e dimë se këto figura politike në Serbi janë trashëgimi e regjimit serb të epokës së S. Millosheviq dhe nuk do mend se qasja e këtyre të tanishmëve është ndryshe”, nënvizoi ligjëruesi. 

Tutje, Voca tha se prezenca ndërkombëtare e NATO-s, BE-së dhe pozita gjeopolitike e shqiptarëve po e ndalon politikën serbe të shkaktojë agresion dhe trazira në rajon. 

“Vetëm rrethanat politike aktuale e bllokojnë politikën aktuale serbe që të shkaktoj ndonjë agresion rajonal ndërsa liderët e saj gjithnjë bëjnë deklarata agresive, me potencial konfliktuoz. Natyrisht, ata nuk munden tani të sulmojnë asnjë vend të vetëm në Ballkanin Perëndimor, marrë parasysh prezencën ndërkombëtare, NATO-n, BE-në dhe pozitën gjeopolitike më të fuqishme që tani bota shqiptare posedon si në zhvillim të mbrojtjes po ashtu në marrëdhëniet e saj me shtetet mike të saj”, u shpreh njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gjithashtu, ai tregoi edhe hapat të cilët duhet ndërmarrë shteti i Kosovës, karshi kësaj qasje të Serbisë. Voca deklaroi se institucionet e vendit duhet të lobojë pranë organizatave ndërkombëtaren në mënyrë që Kosovë të njihet më tutje nga vendet tjera të botës. 

“Për ta ndaluar qasjen destruktive, agresive serbe dhe me potencial destabilizues, Kosova jo vetëm që duhet të lobojë pranë organizatave ndërkombëtare dhe të njihet më tutje nga vende tjera, por edhe pranë shteteve që kanë njohur Kosovën duke përçuar mesazhin e qartë se qasja serbe nuk mund të ndalet me ndonjë gjuhë tjetër përveç përmes të një presioni të palëkundur ndaj qëndrimit të saj destruktiv ndaj pothuaj tërë hapësirës ish-jugosllave, hapësirë e cila nuk ekziston më dhe apetitet territoriale që ajo ngjalli nuk sollën asnjë begati por që vetëm e degraduan rajonin dhe vet shtetin serb” potencoi Voca.

Krejt në fund, ai kërkoi nga BE që të ia përshpejtojë afatin kohor Serbisë për njohjen e Kosovës, pasi sipas tij, vetëm kështu do të mund të ngriten baza të shëndosha për një fqinjësi të mirë dhe afatgjate.

“Rajoni i Ballkanit perëndimor do të mund të katapultohej drejt BE-së në afate jashtëzakonisht të përshpejtuara vetëm në rast se Serbia pranon realitetin dhe njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran pa asnjë kusht sepse vetëm kështu do të mund të ngriten baza të shëndosha për një fqinjësi të mirë dhe afatgjate, me një kulturë evropiane dhe me një perspektivë zhvillimi afatgjatë”, përfundoi Mirsad Voca.

Bytyçi: ‘Fshehtësia’ e vizitës së Vuçiqit në Turqi 

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi tha se presidenti serb është në telashe të mëdha pas zgjedhjes së Albin Kurtit, si kryeministër i Kosovës.

Image
Adem Bytyçi

“Tani, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, është në hall pas ardhjes në krye të ekzekutivit të kryeministrit Kurti”, deklaroi ai.

Gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, Bytyçi u shpreh se qëllimi kryesor i Vuçiqit për bllokimin e njohjeve të Kosovës, po tentohet të arrihet përmes viktimizimit të shteti serb gjatë luftës së fundit.

Ai krahas kësaj përmendi edhe faktin se Vuçiqi në të kaluarën e kishte më të lehtë negocimin me shtetin e Kosovës.

“Presidenti i Serbisë Vuçiq, nuk e ka lehtë në negociatat me Kurtin, si me negociatorët kosovar para Kurtit. Tani për t'i sabotuar negociatat Kosovë-Serbi, dhe për ta paraqitur Serbinë si viktimë në luftën e fundit do të mundohet të gjej përkrahjen e disa shteteve për të  prolonguar njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, nga ato shtetet të cilat nuk e kanë njohur, ky është edhe qëllimi i vizitës së bashkëpunëtorët të diktatorit Millosheviq, presidentit aktual të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Turqi”, theksoi analisti. 

Tutje, Bytyçi zbuloi edhe fshehtësinë e vizitës së presidentit serb në Turqi. Ai u shpreh se arsyeja kryesore është se Vuçiq do ta lus presidentin Erdogan që të mos lejojë hapjen e arkivave turke nga ekspertët shqiptarë. Kjo, krejt shkaku i paralajmërimit të kryeministrit Kurti për padi gjenocidale. 

“Unë dyshoj se përtej kësaj vizite të presidentit serb dhe takimi i tij me presidenti Erdogan, qëndron edhe një fshehtësi tjetër:  Presidenti serb, do lus Erdoganin që mos t'i mundësoj ekspertëve të Kosovës , që t'i hulumtojnë arkivat e Turqisë , të cilat kanë të bëjnë me gjenocidin e shtetit serb kundër shqiptarëve, pasi që, z. kryeministri Kurti, veç e ka bërë publike se shteti serb , do të paditet për tri gjenocidet kundër shqiptarëve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krimin gjenocidal”, nënvizoi ai. 

Në fund, analisti nuk u shpreh i befasuar nga mosrespektimi i Marrëveshjes së Uashingtonit nga pala serbe.

Madje, Bytyçi rikujtoi se Serbia historikisht Serbia i ka shkel marrëveshjet ndërkombëtare, duke i përshtatur dhe adaptuar interesave të padrejta të saj. 

“Sa i përket obligimit të Serbisë në Marrëveshjen e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë për të mos lobuar kundër njohjeve të reja të Kosovës nga shtetet tjera, nuk është për tu çuditur pse Serbia nuk e respekton këtë marrëveshje, sepse Serbia, historikisht i ka shkel marrëveshjet ndërkombëtare , duke i modifikuar për t'iu adaptuar interesave të padrejta të saj. Tani mbetet në gjykimin ë SHBA-ve, se a do ta lejojnë Serbinë që ta shkel Marrëveshjen e Uashingtonit ne Shtëpinë e Bardhë lidhur me mos lobimin kundër njohjeve të reja të Kosovës”, përmbylli Adem Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat