Seanca e radhës për ish krerët e UÇK-së, flasin nga Gjykata Speciale, juristët kanë një kërkesë

Politika

Seanca e radhës për ish krerët e UÇK-së, flasin nga Gjykata Speciale, juristët kanë një kërkesë

 Majlinda Haziri Nga  Majlinda Haziri Më 25 korrik 2021 Në ora: 09:14
Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Ditë më parë është mbajtur seanca e radhës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Në sallë ishin të pranishëm pala mbrojtëse, prokuroria dhe gjyqtarët, ndërsa ish-krerët e UÇK-së ndoqën gjithçka online.

Kjo është seanca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish krerëve të UÇK-së, shkruan “Bota sot”.

Në këtë seancë nuk u vendos asgjë për ish-krerët e UÇK-së, kjo sepse Specialja dhe avokatët e palëve të akuzuar nuk arritëm të gjenin një “mes të artë”.

Avokatët e të akuzuarve kanë kërkuar në këtë seancë që të u jepet kohë më shumë deri në seancën e radhës, kjo sepse përgatitja po zgjatë më shumë, mirëpo që gjykatësi nuk ka miratuar këtë kërkesë duke mos dhënë datë se kur do të ndodhë.

Mirëpo, përveç kësaj, avokatët kanë pasur një ankesë tjetër e kjo ishte që materialet e Speciales të përkthehen në gjuhën amtare, kjo pasi që vazhdon të jetë pengesë.

Për këtë kërkesë kanë reaguar edhe KMDLNJ, derisa kanë thënë se mungesa e përkthimit të materialeve pamundëson mbrojtjen efektive të të akuzuarve.

KMDLNj edhe më parë ka reaguar për faktin se edhe në vendimet për konfirmim të aktakuzës, përkthimi në gjuhën shqipe ka qenë jo i plotë dhe ishte bërë me vonesë.

Më tej, KMDLNJ ka theksuar se kjo çështje ndërlikohet dhe banalizohet skajshmërisht për faktin se Gjykata Speciale deklaron se të burgosurit në aktakuzë e sigurisht edhe të paraburgosurit duhet t’i drejtohen kësaj Gjykate që materialet të përkthehen në gjuhën amtare apo në gjuhën që e kuptojnë.

Kujtojmë që ish-krerët e UÇK-së ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë në fillim të muajit nëntor. Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe.

Gjykata Speciale: Nuk ka datë për seancën e radhës për ish-krerët e UÇK-së

Në lidhje me këtë temë, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me Gjykatën Speciale në lidhje me seancën e radhës për ish-krerët e UÇK-së, derisa sipas përgjigjes së tyre, gjykatësi ende nuk ka vendosur datë për seancën e radhës.

“Në çështjen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, gjykatësi i procedurës paraprake ende nuk ka caktuar një datë për kalimin e dosjes së çështjes tek trupi gjykues”, u shpreh Specialja për “Bota sot”.

Krasniqi: Mungesa e përkthimeve është shkelje e një të drejtë themelore që ju garantohet një qytetari

Avokati, Islam Krasniqi në një prononcim për “Bota sot”, ka folur në lidhje me mungesën e përkthimeve të materialeve për të akuzuarit nga ana e Speciales.

Image
Islam Krasniqi

Ai u shpreh që Gjykata Speciale është e obliguar të përkthejë materialet në gjuhën amtare të të akuzuarve dhe se mos përkthimi është shkelje e një drejte themelore që i garantohet qytetarit.

“Gjykata Speciale është e obliguar që të akuzuarit t’i pajis me materiale në gjuhën që ata e kuptojnë saktësisht në gjuhën shqipe sepse kjo është e garantuar me konventa ndërkombëtare por mbi të gjitha edhe me Kushtetutën e republikës së Kosovës dhe dispozitat ligjore dhe mungesa e përkthimeve është shkelje e një të drejte themelore që i garantohet një qytetari e në këtë rast të akuzuarve që mbahen padrejtësisht në Hagë”, tha avokati.

Tutje, ai shton se kjo mungesë nga Specialja tregon që ajo nuk është e drejtë dhe po shkel ligjin, derisa shton se termat juridik sidomos duhet të përkthehen në gjuhën amtare, kjo sepse janë vështirë të kuptueshëm.

“Ky veprim i Gjykatës Speciale tregon së ajo nuk respekton dispozitat ligjore dhe së ajo timonin e ka diku tjetër por jo aty ku u themelua. Normal që do të ishte me e letë për t'u kuptuar dhe gjykuar sepse çlirimtaret ka fjalë që mund të mos e kuptojnë gjuhën mirë besa edhe termet juridike në gjuhën angleze dhe materialet duhet të përkthehen që të na bëjnë të kuptojmë edhe ne si qytetarë se vërtetë do të ketë një gjykim fer dhe të drejtë”, potencoi Krasniqi për “Bota sot”.

Kelmendi: Materialet për të akuzuarit duhet të përkthehen në gjuhën amtare

Ndërsa, juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se Specialja po del të jetë jo produkteve dhe me shumë shkelje gjyqësore.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai shton që edhe mos paraqitja e provave me kohë ka krijuar vështirësi dhe pabarazi, duke shtuar se kjo është edhe një shkelje e lirisë dhe drejtave të palëve të akuzuar.

“Si vetë Gjykata Speciale, ashtu edhe vetë procedura në Gjykatë, po del jo produktive dhe me mungesë e shkelje jo gjyqësore. Është gjë normale që akuza e prokurorisë që në momentin e paraqitja së saj në Gjykatë të ketë dëshmitë dhe faktet konkrete që provojnë padinë dhe arrestimet e bëra nga ky mekanizëm. Mos paraqitja e provave në kohë e paraqitja së padisë ka krijuar vështirësi dhe pabarazi, madje edhe shkelje të lirive dhe të drejtave të palëve në Gjykatë”, tha ai.

Juristi thotë se Prokuroria nuk ka të drejtë t'i mbajë provat për veti sepse bën shkelje të procedurave dhe zgjat procesin e gjykimit.

Ai shton se për çdo gjë ka afat të caktuar ashtu edhe për prova mirëpo që nuk duhet kaluar atë.

“Prokuroria nuk ka të drejtë të mbajë provat për vete. Ka mundësi mos të publikohen, por palëve të akuzuara dhe avokatëve, domosdo është dashur të iu jepet. Në të kundërtën krijohen shkelje procedurave dhe jo vetëm kjo, por kështu shkelën të drejtat themelore. Në anën tjetër, në formën e tillë të punës, po zhagitet së tepërmi procesi. Kuptohet se edhe këtu ka afate dhe të njëjtat duhet të respektohen. Nuk mund të kalohet në pafundësi”, tha juristi.

Kelmendi shprehet më tej se provat duhet të jenë të përkthyera pasi që është e drejtë themelore e të akuzuarve dhe se mungesa e përkthimit të materialeve po arrin deri tek zbulimi i provave të reja pa qenë në dijeni palët e akuzuara.

Mos dhënia e tyre nënkupton diskriminim dhe pabarazi në Gjykatë dhe natyrisht se as që mund të zhvillohet gjykimi pa i dhënë ato palëve të akuzuar dhe mbrojtësve.

“Gjykata duhet të veprojë dhe të caktojë afatet e veprimit juridik. Po kështu, me prova të përkthyera edhe të palëve, shqyrtimi kryesor tash do të kishte filluar dhe do të dihej zhvillimi. Duhet të them se nuk ka të drejtë me prova të përgjysmuara të arrestohen të dyshimtit. Kjo del edhe nga fakti se edhe tash po nxirren gjoja prova dhe po jepen e paraqiten dëshmitarë. Këto duhet domosdo t'i jepen palëve dhe avokatëve. Mos dhënia e tyre nënkupton diskriminim dhe pabarazi në Gjykatë. Natyrisht se as që mund të zhvillohet gjykimi pa i dhënë ato palëve të akuzuar dhe mbrojtësve. Mundet kështu vetëm të ngadalësohet procedura dhe ajo të vazhdojë me vite të tëra. Asgjë tjetër”, përfundon Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat